Mustafa Koçerri/Dhora Leka, kompozitorja e paharruar e këngëve partizane

2499
Sigal

(Me rastin e 90- vjetorit të lindjes)

 Kanë kaluar afro 74 vjet nga koha kur në Shqipëri filloi rezistenca dhe lufta e popullit për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Në këtë luftë të drejtë, të vështirë e plotë sakrifica një rol të pazëvendësueshëm kanë luajtur edhe këngët partizane. Ato kanë ndikuar për të ngritur më lartë moralin, guximin, trimërinë e partizanëve, për të përballuar çdo vështirësi dhe për të arritur deri në fitoren e kësaj lufte. Midis shumë partizaneve dhe partizanëve në këtë luftë ka marrë pjesë edhe Dhora Leka, e lindur në qytetin e Korçës më 23 shkurt të vitit 1923, në një familje të thjeshtë qytetare dhe të lidhur ngushtë me lëvizjen NAÇL. Në kohën që ajo vazhdonte studimet në Institutin “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, është dalluar si një vajzë e shkathët dhe e zgjuar dhe për aktivitetin e saj anti-fashist ajo përjashtohet dy herë nga shkolla, duke e cilësuar si një nxënëse  të rrezikshme dhe revolucionare. Në fund të vitit 1942, në moshën 19 -vjeçare, Dhora Leka për shkak të aktivitetit të saj fillon të bëjë një jetë në ilegalitet. Më pas ajo duke mos duruar pushtimin e Atdheut nga të huajt si dhe dëshira për ta parë atë të lirë, inkuadrohet partizane në radhët e Ushtrisë NAÇL deri në çlirimin e vendit. Si një vajzë e arsimuar ajo emërohet oficere në shtabin e Korporatës së I Sulmuese, me gradën kapitene. Si një vajzë me talent të rrallë, në gusht të vitit 1942 ajo fillon kompozimin e këngëve të pavdekshme revolucionare partizane, duke u bërë kështu kompozitorja e parë e këngës partizane. Disa nga kompozimet e saj janë këngët: “Rini, rini”, “Hakmarrja”, “Ato maja rripa-rripa pse gjëmojnë”, “Kushtrimi”, “Britma e Çlirimit” etj..  Po kështu ajo është autorja e disa marsheve partizane si, “Marshi i Divizionit dhe Korporatës së i Sulmues”, Himni i Ushtrisë NAÇL etj.. Krijimtaria e saj është vazhdim i këngëve shqiptare të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe më pas asaj të përpjekjeve për shpalljen e Pavarësisë. Ato kanë pasur si karakteristikë kryesore karakterin popullor, politik dhe atdhetar. Këtë e dëshmon përhapja e tyre shumë e shpejtë. Nga dita që krijohej një këngë ajo për disa ditë ishte përhapur e mësuar në krahina, në batalione e brigada të tjera. Në gusht të vitit 1944, Dhora Leka caktohet me detyrë në shtabin e Divizionit të Parë Sulmues. Në këtë shtab ajo kompozoi melodinë për Himnin e Brigadës së V Sulmuese, tekstin e së cilës e kishte shkruar poeti partizan Andrea Varfi. Më pas në tetor të këtij viti me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë u vendos që ky Himn të ishte “Himni i Ushtrisë Antifashiste NACL”. Më pas ajo kompozon Himnin e Kop-Armatës së Parë, për Kongresin e Parë të Gruas Anti- Fashiste. Në brendinë e përmbajtjen e këngëve dhe marsheve të Dhora Lekës shprehet bota e brendshme e partizanëve dhe popullit shqiptar, vitaliteti dhe qëndrueshmëria për të luftuar e çliruar vendin. Në to shprehet optimizmi për fitoren dhe urrejtja për armikun. Këngët e Dhora Lekës janë kënduar, në përfundim të betejave, në demonstrata, në kujtim të rënëve, në marshime, u janë mësuar nga partizanët familjeve kur strehoheshin nëpër fshatra e qytete etj. Ato janë kënduar nga populli në ditë festash, në aksione të ndryshme të rinisë, në përvjetorët e krijimit të reparteve dhe njësive partizane. Ato u mësuan dhe janë kënduar nga partizanët që u grumbulluan dhe krijuan Brigadën e I Sulmuese më 15 gusht 1943 në Vithkuq të Korçës si dhe në krijimin e reparteve të tjera. Ato janë kënduar edhe pas çlirimit në marshimet dhe stërvitjet e reparteve dhe shkollave ushtarake të Ushtrisë shqiptare. Disa nga himnet e krijuara nga Dhora Leka janë transmetuar gjatë paradave ushtarake që janë zhvilluar. Veprimtaria e Dhora Lekës në kompozimin e këngëve partizane është cilësuar nga shumë studiues, artist dhe historianë, si një fenomen i papërsëritshëm, një nga rastet më të veçantë e të jashtëzakonshëm të periudhës së luftës antifashiste jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë në Ballkan e Evropë. Ajo ka mare pjesë në transmetimet e para në radio Tiranës, në ditët e çlirimit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Më pas në vitin 1948 ajo vazhdoi studimet e larta në Konservatorin “P.I.Cajakovski” në Moskë. Edhe në Moskë gjatë kohës së studimeve ajo ka vazhduar krijimtarinë e saj me muzikë klasike të cilat janë transmetuar në Radio Moskën. Pas përfundimit të studimeve të larta ajo caktohet pedagoge në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në vitin 1954 ajo zgjidhet Sekretare e Përgjithshme e Lidhjes së Artistëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për mendimet dhe qëndrimet e saj kritike ndaj sistemit monist, ajo përjashtohet nga radhët e PPSH dhe shkarkohet edhe nga detyra e Sekretares së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe dënohet me 25 vjet heqje lirie. Mbas daljes nga burgu në vitin 1963 (për shkak të disa amnistive) ajo detyrohet të jetojë e internuar në Berat e më pas në Fier derisa u ndërrua sistemi. Gjatë kohës që ajo ishte e dënuar dhe e internuar, këngët e saj të dashura dhe me ritëm luftarak këndoheshin dhe transmetoheshin, pa thënë autorësinë e tyre. Edhe në kushtet e vështira të dënimit e internimit ajo vazhdoi punën e saj krijuese duke krijuar disa vepra muzikore, marshe, muzikë klasike, shumë poezi, prozë dhe tregime. Dhora Leka nisur nga dëshira e mirë për të ndihmuar e mbështetur artistët e rinj në fushën e kompozimit muzikor në shkurt të vitit 1996 krijoi fondacionin me emrin e saj “Dhora Leka”, jo për qëllime fitimi dhe ndërkohë ky fondacion nuk funksionon më në ditët e sotme, pasi artistja e njohur Dhora Leka, ka ndërruar jetë. Ai nuk merrej me politikë dhe ishte e pavarur nga partitë dhe shteti. Për veprimtarinë e saj të shquar ajo është nderuar nga Bashkia e qytetit të Gjirokastrës me titullin “Qytetar Nderi”. Po kështu ajo ka pasur vlerësime dhe i janë dhënë diploma nga shoqata artistësh brenda vendit si dhe nga Qendra Internacionale Biografike e Kembrixhit.  Në vitin 1992 krijimtaria dhe talenti i saj vlerësohen duke u nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me dhënien e titullit “Artiste e Popullit”. Po kështu ajo është dekoruar dy herë nga Presidenti Rus Jelcin dhe një herë nga Presidenti Putin. Ne shqiptarët duhet të krenohemi me njerëz të tillë, me talente të tilla që rrallë përsëriten. Është detyrë e çdo shqiptari patriot të ruajë dhe të transmetojë nga një brez në tjetrin vlerat dhe krijimtarinë e Dhora Lekës për këngët e pavdekshme të Luftës Nacional Çlirimtare.