Muho Asllani: “16 Tetori, ditëlindja e burrit të shtetit, e burrit të kombit”

1287
Sigal

Gazeta Telegraf/

Intervistë me ish-anëtarin e Byrosë Politike të KQPPSH Muho Asllani 

Muho Asllani për Edi Ramën: “Do të ishte një kryetar Komiteti Ekzekutiv i zoti  në kohën time

Bisedoi  Artur AJAZI

Muho Asllani u
lind në tetor 1937 në Bërdicë të Shkodrës. Pas shkollës 7-vjeçare Muho Asllani
shkon në shkollën e mesme bujqësore në Lushnje, por pas një viti kthehet në
shtëpi. Mbaron shkollën e mesme në 1958, punon në fermën “Perlat Rexhepi”,  si brigadier i vreshtarisë. Në vitet 1958-‘59  ushtar në kufi. Pas ushtrisë shkon  në shkollën e lartë në Institutin Bujqësor në
Kamëz në degën e agronomisë. Në 1964 emërohet instruktor i komitetit të Partisë
së rrethit Shkodër, mbulon zonën e Malësisë së Madhe. Në vitin 1966 instruktor
i komitetit të Partisë për Malësinë e Madhe, në instruktor të Komitetit të
Partisë për sektorin e Statutit, sekretar i Komitetit të Partisë së Shkodrës
për problemet e bujqësisë. Nëntori i vitit 1971, në Kongresin VI të PPSH-së,
anëtar i KQ, pa kaluar fare fazën e kandidatit. Në 3 janar të vitit 1974
Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Matit. Në maj të vitit
1976 zv/ministër i Bujqësisë, në mars të vitit 1979 Sekretar i Parë i Komitetit
të Partisë së Burrelit, ku zëvendëson Foto Çamin, që kaloi ndihmës i Ramiz
Alisë në KQ të Partisë. Pas sukseseve në eliminimin e pasojave të tërmetit, në
nëntorin e vitit 1981, pikërisht në Kongresin e Tetë të PPSh, zgjidhet  anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror
dhe Sekretar i Parë në Durrës. Shkarkohet 
vetëm në vitin 1991 nga Byroja Politike e drejtuar nga Ramiz Alia.

Shoku Muho, ka ardhur sërish 16 Tetori,
ditëlindja e Enver Hoxhës, si e prisni ju dhe përkrahësit e tij këtë ditë?

Më bëhet qejfi
që më quajtët Shoku Muho, sepse nuk kam pranuar asnjëherë të jem “Zoti Muho”.
Tani për sa i përket 16 tetorit, e kam deklaruar  dhe e deklaroj përsëri me bindjen e
komunistit, kjo ditë nuk do të harrohet kurrë nga ne komunistët por edhe të
gjithë shqiptarët e zgjuar dhe patriotë. Enver Hoxha është një prej  figurave historike më të shquara të kombit.
Enver Hoxha duhet të vlerësohet nga i gjithë kombi, pasi kjo figurë historike do
të mbahet mend për luftën kundër fashizmit dhe nazizmit si dhe për ndërtimin e
Shqipërisë e rrënuar nga lufta. Figura e shokut Enver duhet të vlerësohet nga i
gjithë populli shqiptar, pasi  është një
nga tre figurat historike të kombit shqiptar, pas Skënderbeut, Ismail Qemalit
dhe pastaj vjen Enver Hoxha. Shoku ynë i paharruar Enver Hoxha themeloi Partinë
(Komuniste) Punës në 8 Nëntor 1941 me 200 petrita, ai mobilizoi popullin
shqiptar kundër fashizmit italian dhe nazizmit gjerman. Fshatarët dhe gjithë popullata
dolën me opinga dhe rrëmbyen armët kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë. Ne
ishim 900 mijë shqiptarë në analfabetizëm, arsimi i mesëm u bë i detyrueshëm,
vendi doli nga gjendja mesjetare. Shoku Enver Hoxha rindërtoi Shqipërinë dhe
zhduku analfabetizmin, dhe hodhi parullën “Do ndërtojmë Shqipërinë e djegur nga
lufta”. Unë si  Muho Asllani, nuk e kam
shkelur amanetin ndaj  shokut Enver dhe
se i kam qëndruar besnik Partisë së Punës. Unë jam betuar se do jem besnik i
Partisë së Punës. Amanetin e  shokut tonë
të shtrenjtë Enver Hoxhës e kam ruajtur. Çdo 16 tetor ne do ta kujtojmë burrin
e shtetit, burrin e kombit shqiptar. E mbani mend, kur  vdiq Enver Hoxha doli një shprehje që sot
është më aktuale se kurrë,  “5 vjet do e
qani, 5 vjet do e shani dhe 5 vjet do e kërkoni, por nuk keni për ta gjetur!”.

Shoku Muho, ju vazhdimisht keni qenë
kritik gjatë 25 viteve si ndaj Nanos, Berishës, PS, dhe së fundi edhe Edi Ramës,
dhe së fundi një mendim për kryeministrin aktual?

Para disa vitesh
unë u përfola se “i shërbej Nanos, pastaj i shërbeja Berishës”, dhe rezultuan
se ishin të gjitha idiotësi të ndyra, pasi unë kam qenë dhe do të mbetem
komunist, dhe nuk do ti shërbej kurrën e kurrës asnjë  pushtetari të sotëm, unë kurrë nuk i kam
shërbyer as Nanos, as Berishës dhe  aq më
tepër Ramës. Gjatë këtij tranzicioni tragjik për shqiptarët, gjithmonë kam qenë
kritik i ashpër, edhe kur isha anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, ndaj
fenomeneve negative të qeverive të pas viteve 1992. Çdo qeveri që erdhi pas
1992, ka mbjellë urrejtjen, korrupsionin, dembelizmin, krimin dhe trafiqet,
kaosin dhe gjithçka negative, që kanë 
regjimet borgjeze. Unë i kam shërbyer dhe do ti shërbej deri në fundin e
jetës time vetëm idealit të Enver Hoxhës, dhe PPSH. Kam qenë anëtar i byrosë
Politike të KQPPSH, mik dhe shok besnik i saj dhe Enverit, dhe i tillë  jam edhe sot. Partinë ma ka lënë  amanet Enver Hoxha, ndërkohë që vitet e fundit
ata që deri dje përfituan nga Enveri dhe shijuan të mirat e tij, u blenë nga
Berisha, Nano, dhe së fundi edhe nga Rama. Unë kandidova në Shkodër dhe nuk i
shërbeva as Berishës dhe as Jozefina Topallit. PPSh ka qenë në koalicion me të
majtën, me komandant Edi Ramën, por shpejt u zhgënjyem, pasi ata që sot e
shesin veten si “socialistë” dhe aq më keq si “Rilindas”  nuk na dolën besnikë por të pabesë. Unë e deklaroj
se, me fizikun e fortë, me mendjen e mprehtë, do t’i shërbej vetëm PPSH-së, që
ma la amanet Enver Hoxha. Tani deshët një mendim për kryeministrin aktual,
mendoj se e nisi mirë, është punëtor, njeri i zoti, mendoj dhe jam i bindur se
në kohën time, do të ishte një kryetar Komiteti ekzekutiv shumë i zoti. E
treta, për pensionistët dhe veteranët duhet të bëjë më shumë, sepse jemi
shtresa më e vuajtur në Shqipëri. Për ne komunistët nuk ka bërë asgjë. Kaq
mjafton besoj. 

Do ta kujtoni gjithmonë Enver Hoxhën?

Ashtu siç e kam kujtuar
ashtu do ta kujtoj gjithmonë sa të jem gjallë 
shokun Enver Hoxha, Komandantin e pavdekshëm, që ngriti nga shkatërrimi  vendin dhe e bëri me shtet, dinjitet, me
industri të zhvilluar, bujqësi të përparuar, arsim  dhe kulturë bashkëkohore, atij burri që bëri
shtetin ligjor, dhe që i dha dinjitet shqiptarit cep më cep të botës. Ai mbetet
burri shtetit që kurrë nuk i binte fjala poshtë, atij burri shteti që mikun dhe
njeriun e ndershëm e vlerësonte, kurse armikun dhe çapaçulin e dënonte. Atij
burri që ngriti nga e para forcat tona të armatosura, policinë, organet e
drejtësisë të cilat sot janë shkatërruar dhe korruptuar pa fund. Veprën e Enver
hoxhës, duhet ta nderojë sot  dhe
gjithmonë çdo shqiptar me dinjitet dhe të vlerësojë çfarë ai bëri për vendin.
Ata që flasin ndryshe janë njerëz që nuk kanë formimin e duhur, nuk kanë
arsimimin e duhur, dhe që flasisipas  berihait, themi ne, pra flasin  çfarë 
dëgjojnë lart e poshtë. Historia do të dijë dhe nuk do të vonojë të
vlerësojë figurën, veprën  dhe
kontributet e Enver Hoxhës, duke nisur nga Lufta NÇ deri në ngritjen e shtetit,
emrit dhe flamurit të Shqipërisë për 50 vjet.