Miltiadh M. Muçi: “Ish - ministria e kanabisit”

Kështu do të “kujtohet” për kohë të gjatë Ministria e Brendshme, edhe pas zëvendësimit të ish - ministrit të “larguar” në ditët e fundit të marsit 2017, midis replikave me kundërshtarët politikë të opozitës e medias. Në tre vitet e fundit edhe pse është marrë me “luftën“ kundër kanabisit, më shumë se me çdo problem tjetër, kultivimi e tregtimi i tij u shtuan si asnjëherë më parë. Më 24 qershor 2016, kur u mbush një vit nga vrasja e policit Ibrahim Basha në Lazarat, ishte angazhimi i parë që kam shkruar, “çfarë do ndodhte me kanabisin në vendin tonë”. Vrasja e efektivit të policisë ndryshe nga e të tjerëve u organizua nga grupe kriminal, duke aktivizuar mosha të reja. Banorët e Lazaratit ishin të njohur jashtë kufijve, si kultivuesit masiv, përpunues e tregtues “të mëdhenj“ të kanabisit, kancerit malinj që sjell vetëm vdekje. Lazarati i kishte shtrirë metastazat në të gjithë vendin, me anëtarë të organizatave kriminale brenda e jashtë vendit, ndërsa policia bënte sikur i “zbulonte”. Dhjetëra mijë rrënjë “asgjësonte”, qindra mijë të tjera shkonin në Evropë. Ajo që ndodhi me kanabisin u kthye në prodhim bujqësor kryesor i “eksporteve shqiptare”, edhe pse pushtetarët e qytetarët e kuptonin, që “rrezikohej mbyllja e dyerve për t’u bërë anëtarë të BE-së”. Përsëri mu desh të shkruaj në media, “Sa Policia e Shtetit besohej në luftën për parandalimin dhe zbulimin e kultivuesve të kanabisit”? Operacionet më kujtonin qeverinë Nano të fillimviteve 2000, që në prani të ndërkombëtarëve në Gjirin e Vlorës, për show mediatik dogjën gomone të trafikimit dhe më pas ndodhi tragjedia e 9 janarit 2004. Në 15 shtatorin e 2016-ës, rezultati i zgjedhjeve të kryebashkiakut të Peshkopisë bëhet objekti më i debatuar i rezultateve euforike të rilindësve urban, zhgënjyes për opozitën që akuzonte blerjen e votës nga “karteli i drogës i lidhur me ish - Ministrin e Brendshëm”. Nuk mjaftuan argumentet e saj dhe pse në seancë parlamentare pozita pranonte të “kishte mbetur pa u asgjësuar 1% e prodhimit ”. Fill pas Vitit të Ri 2017, ish - ministri bëri takimin e parë me gazetarët, u tha qytetarëve se “viti 2016 ishte i suksesshëm, krimi i vrasjes pësoi rënie, në vitin 2017 fushata e kanabisit do parandalohet ndjeshëm”. U tregua “racional” sa ngatërroi shifrat e vrasjeve të vitit 2016, por sikurse rezultoi nga Drejtori i Policisë së Qarkut vetëm në Tiranë kishin ndodhur gjashtë vrasje më shumë. Një muaj pas intervistës së parë të 2017-ës, ish - ministri informoi, se “policia do të parandalojë prodhimin e kanabisit”. Më 22 shkurt, sipas planveprimt të ish - ministrit, 3000 forca nisin operacionin “për evidentimin e farishteve dhe kubikëve në sera, ish - depot ushtarake, tunele, magazina e banesa të braktisura”, që më kujtuan të verës së vitit 2016, kur 3500 forca u shpërndanë në “plantacione” të korrnin kanabisin. Aksionet kishin për qëllim të “parandalonin“ trafikimin nëpër Evropë, por tonelatat vazhdojnë të mbërrijnë. Dy ditë më pas nisën të shpallen rezultatet e para, se “3100 efektivët e angazhuar kontrolluan 6901 objekte të ushtrisë, tunele, magazina, banesa të braktisura, etj., u mbajtën procesverbale e deklarata nga pronarët se “nuk do të kultivojnë bimë narkotike”. Mbështetur në planveprimin e firmosur nga personi politik, më i rëndomti ishte lajmi për plotësimin e deklaratave të punonjësve të policisë, familjarëve e të afërmve, se “nuk do kultivojnë kanabis”, veprim qesharak e antiligjor si presion psikologjikë ndaj qytetarëve. E gjitha propagandë, si e vitit 2016, kur efektivat e policisë “korrnin e digjnin” pemët e kanabisit nëpër parcela, mbi 2 m të larta. Kaluan rreth tre muaj nga deklaratat mediatike dhe dy muaj të “planveprimit” të ish - ministrit, por rezultatet nuk po vinin, përveç shifrave të kontrolleve të ushtruara. Çuditërisht rreth dy javë pas “largimit“ të ish - ministrit, mësojmë rezultate të pa dëgjuara ndonjëherë më parë jo vetëm në shifra, por dhe mënyrën e kultivimit në ambiente të mbyllura të banesave, magazinave e tuneleve, në kushte “industriale” dhe për gjatë gjithë vitit. A thua ky ndryshim është rastësi apo meritë e ministrit të ri, edhe pse emërimi i tij u kundërshtua shumë nga opozita? Çfarëdo të ketë ndodhur, nëse do të vazhdohet kështu, ministri i ri i mbështetur nga ambasadori Donald Lu, do të mbahet mënd si ministri “agresiv kundër narkotikëve e krimit të organizuar”, krejt ndryshe nga ish - ministri i “larguar” për detyra partie. Ndërsa unë do të vazhdoj të shkruaj “Për Shqipërinë pa kanabis”, edhe pse disa këmbëngulin të na mbushin mendjen të legalizojmë kanabisin !!