Majlinda KETA: Universiteti përgatit studentë që janë Shoqëri Civile për Shqipërinë

618
Tanimë nuk është ngjarje që salla e ekselencës e Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës të hapë dyert për të ftuar, intelektualë, profesionistë fushash apo lektorë të huaj. Për mua ngjarje është kur ftesa përkon me respektimin dhe ndërgjegjëzimin që veprimtaria e radhës kryen në përputhje me misionin e universitetit në tërësi dhe atë të fakultetit të Shkencave Sociale në tërësi. I fundit i ftuar nga Departamenti i Filozofisë ishte zv.ambasadori i OSBE në Tiranë, zoti Robert Wilton. Departamenti është futur në muajin e vet të Ditës Ndërkombëtare të Filozofisë, UNESCO, (19 nëntor) e për të ka programin e tij të angazhimit, por kuratori i këtij aktiviteti Profesor Gjergj Sinani, ishte kujdesur që me këtë ftesë t’i jepte mundësi pjesëmarrësve që tek i ftuari të spikaste aftësia për debat e një intelektuali më shumë se e një diplomati, mirëdimensionimi i tij me mendimin kritik dhe vizioni i tij për shqiptarin e shekullit 21. Në mision të formimit tonë universitar që ne ofrojmë përpiqemi të dimensionojmë sa më mirë të jetë e mundur përdorimin e lirisë intelektuale dhe qytetare drejt vendimmarrjeve të përgjegjshme në emër të profesionalizmit dhe shtetbërjes. Them përpiqemi, pasi relativizmi duhet pranuar për shumë arësye ku më e thjeshta është se ky është një dimension ende i tronditur për shqiptarin edhe pas 103 vjet pavarësi, proces shtetformues. 

Roli i ndërkombëtarëve
Padyshim që edhe ndërkombëtarët dhe roli i tyre në Shqipëri këtë edukim të shqiptarëve nuk mund të anashkalohet për të mos thënë që duhet analizuar se me çfarë cilësie na është ofruar, ndërsa ndërmerrnin misionet e tyre këtu, në këtë vend. Paralel me këtë vlerësim analizë për të ftuarit dhe “shërbimn” e tyre për universitetin në një shoqëri të hapur vërej dhe vërejta edhe ato çka ne duhet të përmirësojmë në edukimin akademik po aq sa në mirëedukimin me lirinë dhe mendimin kritik. Këto auditore të hapura janë edhe si një pasqyrë e nivelit të aftësimit të studentëve tanë në shërbim të kësaj cilësie të menduari dhe vepruari për Shqipërinë. Z. Wilton vjen nga një ekperiencë e lavdërueshme me shqiptarët dhe çështjet e tyre, këtu dhe andej kufiri dhe këtë e shprehte edhe shqipja e tij e qartë, ndërsa lektoi e debatoi por edhe “kujdesi” që ai tregoi për çështje “delikate” të kombit dhe shteteve shqiptare. Sigurisht njohuritë e dhëna për funksionimin e OSBE dhe misionet e saj pas 1997-ës në Shqipëri apo përjetimet e tij në angazhim e sipër do të ishin pjesë e dialogut me studentët. Ajo që më tërhoqi dhe e vlerësova tek ky lektor ishte fraza e tij drejtuar studentëve “universitetet dhe cilësia e tyre janë manifestim i Shoqërisë Civile edhe në Shqipëri. Ju studentët jeni shoqëri civile”. Përkundrejt këtij përcaktimi lypset të rivlerësohet edhe mendimi kritik i jo pak pedagogëve dhe studentëve për vlerësimin për Ligjin e Arsimit të Lartë. Universiteti, pedagogu dhe studentët, miqtë e auditoreve të tij duhet të jenë institucione që shfaqin e mbrojnë edhe interesa dhe vullnete të qytetarëve të këtij vendi. Kur të mos flasë universiteti, kur atë ta mbulojnë konformizmi me qeveritë duhet të trembet vetë qeveria dhe për më tepër qytetari, kombi. 

Universitetet inkurajojnë formimin racional
Habermas tek “New German critique” shprehet se sfera publike (nënkupto universitetet publike, M.K) inkurajojnë formimin racional, ajo është një sferë e ndërveprimit social racional dhe demokratik në shoqëri. Fakulteti i Shkencave Sociale, Departamenti i Filozofisë duhet të jetë në ballë të përmbushjes së këtij misioni. E ndërsa kryejmë këtë mision nuk duhet të harrojmë etikën në emër të misionit. Këtë e nxunë shumë shpejt studentët “e vëzëve” kundrejt Kryeministrit, ndërsa demonstruan dhe protestuan paqësisht në 11 nëntor para Kryeministrisë. Studentët pjesëmarrës provuan suksesshëm mendimin e tyre kritik, ndërsa pyesnin dhe dialogonin me diplomatin dhe i kërkuan të vlerësonte Kodin Elektoral shqiptar dhe pasojat e sjella në politikën dhe parlamentin shqiptar, ndërsa tentuan t’i rrëmbenin një frazë se si i vlerësonte politikanët shqiptarë dhe diplomati i “edukonte”: “Është vota juaj që i përzgjedh ato”, për programet në favor të të rinjve që ka OSBE apo se si i gjykonte ndërhyrjet e shumta të disa ambasadorëve të huaj të akredituar në Shqipëri, për çdo gjë dhe në çdo vend për të ardhur tek pyetja “delikate” mbi çështjen shqiptare në tërësi si komb, shtet i mundshëm apo rezolutën e OKB ende për Kosovën dhe procesin e njohjes së saj të cilën diplomati i zgjuar e mbyti me frazën: “Ka shumë rëndësi stabiliteti i shqiptarëve dhe i Shqipërisë…”. 

Kjo frazë ishte shumë më e zbehtë se fortësia e argumentit në favor të shqetësimit studentor se diplomatët e huaj në Shqipëri jo rrallë e tejkalojnë vijën e kuqe që ju njeh misioni diplomatik ku lektori cilësor konkludoi dhe pasuroi dijen se në shtete të brishta në tranzicionin e tyre demokratik forma të tilla mund të cilësohen edhe si role “neokoloniale”. Pas një auditori të tillë, plot dinamizëm e metodika dialogu e debate, studentët mbeten pasqyra më e pastër e asaj që shoqëria jonë, universiteti dimensionon studentët me lirinë dhe mendimin kritik. E në mendje nuk më ndahet “porosia” e z. Wilton “Ndërgjegjësohuni për misionin dhe rolin e ndërkombëtarëve në vendin tuaj pasi ju shqiptarët (gjenerata e re, M.K) duhet të jeni kritikë, të ndërgjegjshëm për pasojat e çdo vendimmarrje në shtetin tuaj sovran”. Faleminderit Robert, për bashkëndihmesën që japim për “New Albanian critique”, “Shqiptarin e Ri kritik”, ju, si ndërkombëtarë me etikë në misionin tuaj diplomatik dhe ne, si universitet ku mësohet filozofia dhe procesi i të filozofuarit për demokracinë e brishtë shqiptare.
Lektore e Filozofisë nw Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.
Sigal