Kur do të flasë Drejtësia Shqiptare për votat e vjedhura?

82
Shpëtim ZINXHIRIA

Demokracia e çdo vendi në themelin e saj ka pikërisht drejtësinë dhe roli i kësaj demokracie varet në radhë të parë nga drejtësia në zbatimin e ligjit dhe që përballë tij, të gjithë të jenë të barabartë.

Pa zgjedhje të lira dhe pa demokratizimin e modernizimin e partive politike ky vend nuk do të ketë, as përparim, as liri të vërtetë dhe as stabilitet.

Edhe pas 25 vitesh dy partitë më të mëdha të vendit pa pikën e turpit vazhdojnë ende të vjedhin votat e popullit, ti manipulojnë ato siç duan dhe kur duan, pa pasur fare frikë nga ligji dhe drejtësia shqiptare, pasi kjo e fundit ende nuk po ndërgjegjësohet për të luajtur rolin e saj ashtu siç duhet. Demokracia e çdo vendi në themelin e saj ka pikërisht drejtësinë dhe roli i kësaj demokracie varet në radhë të parë nga drejtësia në zbatimin e ligjit, ku përballë tij janë të gjithë të barabartë. Votat u vodhën përsëri, po kësaj here në dritën e diellit dhe jo më në natën në atë të hënës, me protagonist dy partitë e mëdha të vendit, si gjithmonë PD dhe PS, dy aleatë që lidhin aleancë kur vjen puna për të vjedhur votat, për të vjedhur atë që nuk duhet të vidhet. Por fatkeqësisht për pushtetin absolut ka edhe një anë tjetër të monedhës, aq sa vetë kryeministri Edi Rama i dehur nga suksesi pat deklaruar menjëherë se, “Kjo është shumë e rrallë për një parti që udhëheq vendin”, duke anashkaluar vjedhjen e votave dhe manipulimin e tyre. Drejtësia Shqiptare po hesht përball këtij krimi social dhe politik, përballë një turpi që ende vazhdon të mbizotërojë në kushtet aktuale të një vendi që po troket në BE, të një vendi ku dy apo tre koka njerëzish vendosin fatet e këtij populli të varfër. Drejtësia shqiptare po hesht edhe kur Presidenti i vendit Bujar Nishani në mënyrë publike në televizionin publik RTH, ka bërë akuza të të forta ndaj procesit zgjedhor që vendi ynë mbajti më 25 qershor, duke akuzuar se pati shit-blerje të votave. Heshtja vazhdon edhe kur presidenti deklaroj se ka informacione që i kanë mbërritur në rrugë zyrtare se në të gjithë Shqipërinë 1 javë, e deri në 24 orë para zgjedhjeve, janë ofruar lekë për të blerë votat. Duke deklaruar se : “Për sa kohë është kaq e përhapur si dukuri, ndikon në mandatet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për sa kohë ndikon në mandate, mandatet përbëjnë rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Dhe nëse ka një dukuri që ka ndikuar shumë është shitblerja e votës. Dhe të shpenzosh para kaq shumë për të blerë vota, do të thotë që këto para nuk janë para të ndershme. Parlamenti bëri një ndryshim para fushatës zgjedhore në Kodin Penal. E kriminalizoi aktin e shitblerjes së votës. Fenomeni ka qenë shumë i përhapur për fatin e keq. Ndërsa rastet e goditjes penale janë krejt të papërfillshme. Pra tregon një deformim të madh midis asaj çfarë ka ndodhur dhe reagimit”. Drejtësia Shqiptare heshti edhe kur ka pasur akuza direkt publike nga partitë e vogla, për vjedhjen e votave dhe manipulimin e tyre. Heshtje dhe vetëm heshtje që tregon se pajtohet me fenomenet e kësaj natyre, fenomene që ende nuk po ndërgjegjësojnë këtë dikaster të kaq të rëndësishëm. Ajo heshti edhe kur pati akuza edhe nga Partia LIBRA, viktima më e madhe e këtyre vjedhjeve. Kjo heshti edhe kur pamjet filmike të News 24 tregonin qartë që dy partite e mëdha u vidhnin votat me radhë herë njëra dhe herë tjetra partisë LIBRA. Po kjo Drejtësi heshti edhe kur kreu i Partisë ‘LIBRA”, Ben Blushi, me anë të një statusi në “Facebook”, ka publikuar foto se si i janë vjedhur votat e kësaj partie në zgjedhjet e 25 qershorit, që nga numërimi i votave në pamjet filmike të marra zyrtarisht nga KQZ, në kutitë 19 39 ZAZ 38 dhe 19 44/2 ZAZ 38, në njësinë 8 në qytetin e Tiranës, rezultoi se LIBRA ka pasur 9 vota tek secila prej tyre, të cilat janë bërë zero ne fund të numërimit. Drejtësia Shqiptare heshti edhe kur Monika Kreyemadhi u shpreh se, do të kërkojë hetim për të gjitha rastet e shitblerjes së votave për 25 qershorin, pasi ka fakte tronditëse për këtë gjë. LSI ka nisur betejën për të vërtetuar vjedhjen masive të votave të shqiptarëve dhe do ta konkretizojë këtë nismë të sajën në kërkim të demokracisë së vërtetë duke takuar çdo ditë qytetarët që do ta dëshmojnë manipulimin e votës. LSI tashmë është e qartë dhe e vendosur, e fortë dhe e bindur në luftën e saj për të rikthyer të drejtën themeltare të demokracisë, votën e lirë… Drejtësia Shqiptare nuk u ndërgjegjësua për të bërë detyrën e saj edhe kur Luan Rama, ka kërkuar krijimin e Frontit Kombëtar Opozitar kundër vjedhjes së votës, duke theksuar se “Procesi zgjedhor ishte i kriminalizuar. Paratë e krimit e drogës dominuan mbi parimet e zgjedhjeve të lira. Po konfirmohet edhe me sjelljen më të fundit në raportin e subjekteve politikë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Siç e dini janë shfaqur të dokumentuara, në mënyrë shumë korrekte, raste konkrete të vjedhjes së votës, të tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve. E gjitha kjo padyshim që është një njollë e madhe turpi për procesin”. Drejtësia hesht edhe atëherë kur kjo drejtësi në zgjedhje është një faktor i rëndësishëm në procesin zgjedhor për të siguruar të drejtën e votës si të drejtë themelore, e cilat duhet të ushtrohet në mënyrë të lirë dhe pa pengesë. Ajo hesht edhe atëhere kur qytetarëve duhet të ju mundësohet që të votojnë në mënyrë të lirë, duke mos u manipuluar apo të detyruar për të votuar, pasi kjo është baza kryesore e zhvillimit të një procesi demokratik. Zgjidhja e kishte parashikuar këtë skenar ogurzi dhe të përsëritur prej dy dekadash në zgjedhjet shqiptare. Drejtësia Shqiptare heshti edhe ndaj paralajmërimeve të njëpasnjëshme të partisë ZGJIDHJA, kur kryetari i partisë Koço Kokëdhima, i dërgoi një letër ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt; ambasadorit Peter Tejler, kreu i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të 25 qershorit si dhe për dijeni z. Donald Lu, ambasador i SHBA-ve dhe Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së. Ku shprehte shqetësimin për hapin prapa që u bë në zgjedhjet e 25 qershorit si dhe u kërkohet partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të vendosen përfundimisht në anën e popullit shqiptar dhe jo në anën e politikanëve të kapur të Tiranës që blejnë, vjedhin dhe manipulojnë zgjedhjet me paratë e marijuanës dhe të krimit, sepse pa zgjedhje të lira dhe pa demokratizimin dhe modernizimin e partive politike ky vend nuk do të ketë as përparim, as liri të vërtetë dhe as stabilitet. Zgjedhjet e fundit ishin treguesi real se sa larg shteteve të rajonit dhe të botës demokratike është Shqipëria, si vendi i vetëm që nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rinumërimi i 64 kutive në Tiranë ishte shembulli emblematik i asaj çfarë ka ndodhur më 25 qershor në mbarë vendin. Vetëm në 7 kuti nuk ishte deformuar vullneti i zgjedhësve, ndërsa në 57 kutitë e tjera votat e partive të vogla u numëruan për llogari të katër partive që administruan zgjedhjet. Drejtësia Shqiptare heshti edhe atëherë kur “Zgjidhja” e përcolli me shqetësim deklaratën e Parlamentit Evropian, pas zgjedhjeve të 25 qershorit, se procesi duhet parë më shumë në kontekstin politik, sesa në atë teknik, që bie në kundërshtim edhe me frymën e raportit të gjetjeve paraprake të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it dhe druan se kjo është në dëm të përpjekjeve për instalimin e vlerave të demokracisë në Shqipëri. Zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit do të prodhojnë deformime edhe më të thella, korrupsion, keqqeverisje, stanjacion ekonomik, kriminalitet, varfëri, papunësi, emigrim të madh dhe destabilizim. Pa zgjedhje të lira dhe pa demokratizimin dhe modernizimin e partive politike ky vend nuk do të ketë as përparim, as liri të vërtetë dhe as stabilitet. Gjithashtu ZGJIDHJA kërkon me urgjencë pastrimin dhe reformimin përfundimtar të zgjedhjeve dhe liberalizimin e konkurrencës politike. ZGJIDHJA fton të gjitha forcat e interesuara për çlirimin e zgjedhjeve dhe të Shqipërisë nga kusarët e tranzicionit dhe nga kjo elitë politike që e ka mbaruar misionin e saj, duke i kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të hapë gjithë kutitë dhe të çojë përpara drejtësisë të gjithë kriminelët që kanë vënë dorë mbi votën e popullit në 25 qershor! Drejtësia “Made in Albania” hesht edhe kur ky “model shqiptar” i zgjedhjeve është i vetmi në bashkësinë e vendeve demokratike ku dy partitë e vjetra PD dhe PS në aleancë, të cilat janë të kriminalizuara, numërojnë votat e të gjitha partive të tjera. Gjithashtu edhe Berisha ka kërkuar hapjen e kutive të votimit në Qarkun e Tiranës dhe në të gjitha qarqet e tjera, me pretendimin se votat janë tjetërsuar gjatë procesit të numërimit. Ndërsa Lulzim Basha shkon edhe më tej, teksa thotë se votat janë blerë para se Partia Demokratike të niste fushatën. Drejtësia heshti edhe atëherë kur presidenti i zgjedhur i Republikës, Ilir Meta, paralajmëroi forcat kryesore politike, që të mos përfshihen në manipulime të votimit për zgjedhjet parlamentare, se nuk do të dekretojë si kryeministër apo ministër asnjë politikan, që vë dorë mbi zgjedhjet dhe do të përpiqet të manipulojë rezultatet e tyre”. KQZ ndaj 76 numëruesve të votave ka ngritur akuzë për vjedhje dhe manipulim të votave, por a mjafton vetëm kjo, shikon se Drejtësia si zbatuese e ligjit në këtë vend ende se ka thënë fjalën e saj, por hesht akoma… Një turp është se Vota në emër të tjetrit rezulton të jetë një nga mënyrat më të shpeshta të manipulimit zgjedhor edhe në ditët e stome. Një turp që fatkeqësisht për 25 vjet është përshtatur aq mire se sa zor mund ta luftosh atë sot, kur vendi përballet me një drejtësi të tillë. Por, pyetja qëndron se, kur do të flasë Drejtësia Shqiptare për votat e vjedhura?