Kthimi i shtegtarëve si dukuri politike

1049
Sigal

Nga Gëzim ZILJA

Ka ndodhur dhe ndodh në partitë shqiptare. Drejtues ose anëtarë të pakënaqur sidomos nga lideri i saj, largohen dhe krijojnë parti të reja ose kërkojnë vendstrehim në parti të tjera. Në PD kjo ngjau shumë shpejt, tre vjet pas themelimit, me grupimin e parë të shkëputur prej saj, i përbërë nga intelektualë, që nuk duronin dot sipas tyre autoritarizmin e lidershipit sidomos mungesën e votës së lirë brenda PD-së. Neritan Ceka, Blendi Fevziu, Preç Zogaj, Frrok Çupi, Gramoz Pashko, Arben Imami etj., do të ishin disa nga emrat që do të shkëputeshin e do të formonin një parti të re të quajtur Aleanca Demokratike, që ndriçoi më pak se xixëllonja ditët e prillit, në dorën e një fëmije. Në ngjarjet e vitit 1997 disa nga këta do të ishin nga kundërshtarët më të egër e të vendosur të Partisë Demokratike, duke e quajtur atë dhe lidershipin e saj fashist, vrasës, hajdut (shih shtypin e kohës) etj., etj. Një nga kritikuesit më të ashpër, nga gazetarët ishte F. Çupi e nga organizatorët e kryengritjes së armatosur ishte Arben Imami. Qeveria Demokratike me goditjen e parë të turmave u shkërmoq dhe mbi drejtuesit e saj u ushtrua një dhunë e pashembullt në Tiranë e rrethe, duke i fajësuar për gjithçka. Po kjo është histori tjetër për të cilën është folur mjaft. Dy nga drejtuesit kryesorë të asaj lëvizjeje të armatosur, A. Imami dhe N. Ceka, u shpërblyen, duke u emëruar respektivisht, njëri Ministër i Drejtësisë dhe tjetri Ministër i Brendshëm në qeverinë socialiste. I pari është dhe një nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë. Mirëpo siç dihet në vitin 2005 pushtetet u ndërruan dhe në fuqi hipi sërish Partia Demokratike me të pamposhturin Sali Berisha, siç u tha atëherë.

Për çudi të demokratëve një pjesë të të cilëve vet lidershipi i PD-së i quajti plot krenari Qëndrestarë, për qëndresën e tyre në ngjarjet e vitit 1997, organizatori i Komiteteve të Shpëtimit Publik (KSHP) dhe ish-ministri i PS-së, tashmë bëhet Ministër i Mbrojtjes por këtë herë në qeverinë demokratike. Edhe një kundërshtar tjetër i deklaruar i kryeministrit (çfarë të zezash nuk kishin thënë për njëri-tjetrin!) u bë Ministër i Financave e më vonë i Bujqësisë. Ata demokratë që e kishin pësuar nga Komitetet e Shpëtimit Publik, (Për KSHP-të lexo librin “Unë e Pashë kush e dogji Vlorën”) me të drejtë i kërkuan të shpjegohesh lidershipit ose vetë ish-Ministrit të Drejtësisë, lidhur me ngjarjet e vitit 1997. Gjithë Qëndrestarët që kërkuan shpjegime u mënjanuan me marifet e pa zhurmë pa marrë kurrë përgjigje. Edhe sot asnjë nuk e di pse Imami, që kërkoi me forcë të marshohej mbi Tiranë me armë, për të rrëzuar Sali Berishën (Lexo librin me kujtime të Bashkim Finos) u bë Deputet dhe Ministër Mbrojtjeje. Shpjegimet që kërkonin Qëndrestarët atëherë ishin: Kush gaboi në vitin 1997, Partia Demokratike apo Arben Imami me të tijët? Kush duhet t’i kërkojë falje njëri-tjetrit? A kishte të drejtë Arben Imami e një lukuni gazetarësh që e quajtën PD-në “Parti që duhet të zhduket nga faqja e dheut” dhe Sali Berishën “vrasës e gjakatar” (shih shtypin e kohës ose librin “Skaner 1997” me plot dokumente të tilla) e më vonë u “qerasën” rëndshëm nga PD-ja me emërime në vende drejtorësh e shefa sektorësh ku kishte para’ e tenderë me bollëk? As Partia Demokratike u shpreh ndonjëherë për këta dhe as këta për Partinë Demokratike. Zbardhja ose sqarimi pse këta individë që i drejtuan turmat e zemëruara kundër njerëzve të PD-së dhe i nxitën t’u vunë zjarrin institucioneve të brishta, të ngritura me aq mund e dëshirë nga Partia Demokratike, duhet të ishte në kodin moral të PD-së. Të ikësh nga një parti e të kthehesh sërish mbasi ke hedhur aq të zeza, gurë e baltë mbi të, nuk është sikur të luash domino me pleqtë e lagjes. Ose duhet të gëlltitësh botërisht ato që ke vjellë e ke bërë, po botërisht kundër PD-së e lidershipit, ose Partia Demokratike të bëjë autokritikë e të thotë se ka gabuar në rastin e tyre e është korrigjuar. Sot thuhet rëndom: nëse e kaluara harrohet ka gjasa të përsëritet. Në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike shkëlqyen dy emra “të rinj, të vjetër” si A. Biberaj dhe G. Oketa. Të dy këta ikën nga PD-ja dhe bashkë me ish-Presidentin Bamir Topi, formuan partinë me emrin romantiko-vizionaro-revolucionar, “Fryma e Re Demokratike”. Ish-presidenti-Topi, i famshëm për shprehjen legjendë: “Unë flas me heshtjen time” e thënë më shkoqur “unë flas, kur nuk flas’” i lakuar si Kryetar i KLD-së për emërimet e transferimet në Prokurori e Gjyqësor, megjithëse kurrkush nuk e përmend, sikur gjithë kjo bandë hajdutësh e prokurorëve dhe gjyqtarëve të jetë propozuar e emëruar nga ndonjë marsian, u bë vetë kryetar i FRD-së.

Të pyetur nga gazetarët Oketa dhe Biberaj gjithë gaz e hare por me luk pak më burrëror se para dhjetë vitesh u përgjigjën “…Na thirri Basha dhe ne erdhëm, se kjo është shtëpia janë e përbashkët”. Por gazetareve sikur u ha macja gjuhën në këto raste. Pyetja që duhet bërë e kërkon përgjigje, sepse ka të bëjë me kodin moral ,jo vetëm të partisë, por edhe të shoqërisë shqiptare është: “Ju ikët nga Partia Demokratike pasi keni deklaruar se ishte parti private e Berishës dhe nuk funksiononte sipas parimit, një anëtar një votë. Çfarë ka ndryshuar në PD, që ju erdhët sërish me bekimin e Kryetarit të Ri, e me gjasa (siç ndodhi) do të bëheni anëtar të KKPD-së? A është PD-ja ende një parti private ku Kryetari bën diellin dhe shiun?’’. Madje do të shtoja edhe pyetjen: “A morët leje te Bamiri, sepse FRD-ja i ka ende nja tetë zyra, te ish-godina e PD-së?” Përfundimisht kemi të njëjtit njerëz me të njëjtat parime: PD-ja i thërret këta për kopertinë, se gjoja po afrohen të larguarit e të penduarit dhe dyert janë të hapura madje fitojnë lehtësisht. Ndërsa këta që vijnë as që janë penduar e as që kanë ndërmend. Ndryshe si do të kuptohet kur ata nuk flasin për këtë pikë? Apo edhe këta flasin me heshtjen e tyre. Ku i dihet? Me kohë mund të ndodh që PD-ja merr pushtetin dhe u hedh ndonjë kockë apo tul! Sa për kod moral e etik asnjëra palë nuk ka: As ajo që i fton badihava e as ajo që i pranon. Përndryshe dikush duhet të kërkojë falje, sepse flitet për autoritarizëm, për privatizim partish e njerëz që nesër do të drejtojnë Shqipërinë. Apo punë tepsish e kusish është kjo puna e Albanisë!? Personalisht nuk i gëlltis dot këto lloj akrobacish dhe nuk besoj që me veprime të tilla thellësisht të pasinqerta PD-ja është në rrugën e duhur. Por si thonë besimtarët: Inshallah zoti vë dorë dhe e bën mirë!