“Kanabis sativa që mbin vetë”

793
Nga Miltiadh M. Muçi
Dy javë më parë ishte përvjetori i dytë i vrasjes në Lazarat, i efektivit të policisë Ibrahim Basha, ndërsa në javën e parë të korrikut, në Krimet e Rënda gjykohen anëtarët e grupit që e sulmuan policinë, në ditën e 24 gushtit 2015. Pikërisht në këtë datë të vitit 2016, në gazetën “Telegraf” botova shkrimin me titull “Një vit nga vrasja e Ibrahim Bashës dhe metastazat e Lazaratit”, i cili u pasua me tituj të tjerë, deri në shkrimin më të fundit “Ministria e kanabisit”. Atëherë policia mori përsipër aksione të “fuqishme” për mos t’u kultivuar kanabisi, midis të tjerash duke arrestuar jo pak banorë të Lazaratit dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Thuhet se aktualisht në burgjet e vendit ndodhen rreth 60 lazaratas, shumica e tyre djem të rinj. Kurrsesi policia nuk veproi njësoj në rrethet e tjerë të vendit jo vetëm në Labëri, por në Malësinë e Madhe, në Skrapar dhe Kolonjë, pa përjashtim në të gjithë rrethet e vendit. Pa dyshim se, punonjës të veçantë bashkëpunuan me krerët e fushatës së mbjelljes dhe kultivimit të kanabis sativës, sikurse u vërtetua qofte nga ata pak punonjës të policisë të arrestuar dhe të dënuar. Ndërsa strukturat e policisë tonë bënin sikur nuk linin rrënjë pa i asgjesuar, ato të vendeve fqinjë në kufirin e gjelbërt dhe atë ujor kapnin kilogramë e kuintalë por dhe tonelata kanabis sativa. Më në fund lidershipi i policisë e pranoi se kanabisi i Lazaratit kishte lëshuar metastazat në të gjithë vendin, ndërsa në janarin e vitit 2017 i siguroi ndërkombëtarët se Shqipëria do të ishte pa kanabis. Shumë shpejt erdhi dhe qershori i fushatës për mbjelljen e kultivimin e kanabisit dhe jo vetëm, por edhe i zgjedhjeve parlamentare, ku partitë opozitare mandatet e arritur nga partia në pushtet i quajtën si fitore të kanabisit, të blera me paratë e krimit dhe të drogës. A thua kanabisi në gjithë vitet është mbjellë e kultivuar nga anëtarët e simpatizantët e partisë fituese, ndërsa pjesa tjetër ka ruajtur të pastërt moralin e partisë humbëse? Kështu lidershipi i partisë në opozitë i ka justifikuar humbjet e katër viteve të fundit, për zgjedhjet parlamentare dhe vendore, të përgjithëshme dhe të pjesshme. Njësoj si ndaj liderit të partisë në pushtet, liderët e partive opozitare bënë akuzua e sulmuan lidershipin e policisë. Dhe rezultatet u certifikuan ku puna e policisë, garante të sigurisë në ditët para, gjatë dhe pas zgjedhjeve u vlerësuan, sidomos nga ndërkombëtarët. Ishte inkurajim që ajo vazhdon aksionet e nisura në parandalimin e mbjelljes dhe kultivimit të kanabis sativas. Në krye të aksioneve u vendos drejtori i policisë i shoqëruar nga stafi i tij. Me avionin që qeveria i vuri në dispozicion, bëri shëtitjen e parë mbi veriun e vendit ku fatmirësisht nuk panë parcela të mbjella me kanabis sativa, veçse të ndonjë parcele të vogël tek-tuk me dhjetëra rrënjë apo disa qindra të tilla, zbuluar nga toka prej kontrollit të forcave të policisë. Pas pak ditësh kjo shëtitje e avionit u përsërit edhe në jugun e vendit ku u pa e njëjta situatë. Shenjat e para të kontrollit të rreptë dhe të përsëritur nga toka dhe ajri në media po sjellin lajme të mira. Zotimi që është marrë publikisht po jep rezultatet që priten, zero rrënjë kanabis sativa në vendin tonë. Pra si dhe në vitin e kaluar ku parcelat e mbjella u panë nga afër edhe nga gazetarët, se do të asgjësoheshin të gjitha, deri në rrënjën më të fundit të shpallur nga ish-ministri i brendshëm në parlament. Pra e njëjta propagandë që u bë vitin e kaluar po përsëritet dhe në këtë vit. Policia është vendosur në krye të aksionit, si asnjëherë tjetër duke arrestuar për procedurë administratorë të atyre njësive ku gjenden ato pak rrënje të mbjella nga persona të paidentifikuar. Hera – herës nëpër ekranet e televizioneve dalin edhe drejtues të policisë qendrore dhe lokale, që intervistohen nga gazetarët, të cilët vazhdojnë të garantojnë se mbjellja dhe kultivimi i kanabis sativës është thuajse në zero, veçse në parcelat e mbjella vitin e kaluar kanë nisur të mbijnë vetë, sikurse deklaroi në mbrëmjen e 5 korrikut në një kanal televiziv zoti Shtëmbari. Pra gjatë vitit 2017, si asnjëherë “do të kemi kanabis sativa të mbirë vetë”. Këtë nuk e kishim dëgjuar ndonjëherë më parë nga drejtuesit tanë të policisë, sikurse do të presim dhe xhevahire të tjera ashtu sikurse në vitin 2016.
Sigal