Gëzim Zilja/ Bëni një monument për këpucarin Sadik Memeti

78

Sadik Memeti (Diku) është këpucari i lagjes Skelë. Ka dyzetepesë vjet që e kryen atë profesion. Nuk ka kryer asnjë heroizëm, nuk ka qenë partizan, nuk ka qenë sekretar partie, as deputet, nuk ka vjedhur, nuk ka qenë në burg për asnjë arsye, nuk është themelues i asnjë partie dhe nuk ka kërkuar favore prej tyre. E bija studion në fakultetin juridik në Tiranë dhe është studente e shkëlqyer. 

– Nuk i kam zënë njeriu derën as për të drejtë studimi dhe as për nota

Kur thotë këto fjalë buzëqesh dhe më shikon në sy. Unë e kuptoj nëntekstin: E ku do të shkoj? Këta të gjithë duan para, por unë nuk u jap asnjë qindarkë. Vajza po qe e zonja le t’i fitojë të gjitha vetë. Ndërkohë në dyqan vijnë dhe ikin të burra, gra, të rinj, të reja por edhe fëmijë. Diku i dëgjon plot durim, u thotë ditën, kur të vijnë t’i marrin këpucët dhe nuk pranon parapagim. 

– Duhet t’u pëlqejë puna pastaj të bëjnë pagesën- përgjigjet kur e pyes.

– Pastaj ka nga ata që nuk kanë lekë dhe i bien me vonesë. Më shumë se dymijë lekë të vjetra nuk u marrë. Kur dikujt nuk i pëlqen çmimi, gjithë dashamirësi i thotë: – Jep sa të duash. Edhe po nuk pate nuk ka gjë, dhe vazhdon i qetë punën. 
Edhe kur vijnë fëmijë edhe kur vijnë të rritur ai i trajton me të njëjtën mirësi. Bën muhabet shtruar, më shikon hera-herës në sy, pa ndaluar punën. Më sqaron me durim se sandalet e nipit duhet pa tjetër të qepen me spango të fortë që të mbajnë, se ngjitësi është i dobët dhe nuk mban në lagështirë. Te Diku ka rregulluar këpucët babai im, unë, fëmijët e mi dhe tashmë nipi im. Katër breza me radhë! Lagjja Skelë me gjithë rrethinat ka njëzet mijë banorë dhe pjesa dërrmuese vijnë këtu dhe rregullojnë këpucët, çantat dhe gjithçka tjetër prej meshini ose egeliti që mund të meremetohet. Shpesh rri deri vonë për të qenë korrekt me klientët, sepse “këpucët i duan shpejt se i duan për dasmë, ose nuk kanë të tjera”. Në mur janë të varura Licenca, regjistrimi në QKR dhe një lajmërim që thotë: Ju lutem merrni kuponin tatimor. Në një anë të murit mbi raft, janë tre palë sandale dhe tre katër palë këpucë të meremetuara, që i pashë dhe vitin e kaluar. Kanë mbi dy vjet por nuk kanë ardhur t’i marrin. Le të jene aty kushedi edhe kujtohen të zotët, thotë Diku. Nuk ka një certifikatë mirënjohjeje, as medalje, as fletë falënderimi të varur në mur nga ndonjë institucion Shtetëror ose Shoqatë. Në një vend me kaq pak njerëz sa Shqipëria, jepen aq shumë dekorata, medalje e certifikata mirënjohjeje, nga presidenti, kryeministri, ministrat, institucionet e tjera shtetërore, e shoqatat saqë ngelesh pa mend. Në Vlorë japin vlerësime Bashkia, Qarku, Prefektura, Komunat, Universiteti “Ismail Qemali”, shoqatat atdhetare e jo atdhetare, që Vlora ka me dhjetëra etj, etj. Dekorohen oficerë e ish oficerë të Enver Hoxhës, ish partizanë, aktivistë, shkrimtarë, poetë, shkencëtarë(?), politikanë, mësues, mjekë, biznesmenë, madje arrijnë sa u venë rrugëve të qytetit emrat e baballarëve e të afërmve, që nuk kanë asnjë kontribut qytetar. Po kjo është tjetër çështje. 
 
– Diku, nuk ke asnjë dekoratë? Ke dyzetepesë vjet që u shërben njerëzve, bëj shaka me mikun tim të vjetër. 
– Ç’i dua? Pse pak janë këto, tregon me dorë lejen e QKR-së dhe lajmërimin për tërheqjen e kuponit tatimor. 
 
Nuk thotë fjalë të mëdha Diku. As që do t’u shërbejë njerëzve sa të kem frymë, as që unë i dua njerëzit, as që meremetoj falas ndonjëherë, as që më njeh i madh dhe i vogël, asgjë të tillë. Nuk ka nevojë. Brenda një ore pashë me dhjetëra njerëz, që hynin e dilnin në dyqanin e tij të vogël, atje prapa fasadës, në zemër të Skelës, që përkuleshin gjithë respekt e mirënjohje dhe uronin: Rrofsh o Diku! Faleminderit! Të të rrojnë fëmijët! Dritë t’u bëftë! Po sa mirë i ke rregulluar more!? Duken si të reja! Hallall, hallall!
Nëse kurrkush nuk kujtohet për t’i dhënë një medalje a dekoratë këpucar Dikut, i ngrini një monument a përmendore, atje në qendër të Skelës! Nuk ka nevojë për diçiturë. E njohin të gjithë, i janë mirënjohës, e duan i madh dhe i vogël. Është njeri i mirë, i ndershëm, jeton me djersën e ballit dhe i shërben komunitetit të Skelës prej më shumë se dyzet vjetësh. Nuk mjaftojnë të gjitha këto t’i ngrihet një monument si përfaqësues i vlerave njerëzore?! Ai nuk ka shpallur Pavarësinë e Shqipërisë as ka firmosur ndonjë traktat të rëndësishëm. Por në kohërat që jetojmë është një shembull për t’u ndjekur nga çdo shqiptar, kudo jeton e punon.