Frank SHKRELI / VOA TERHEQ GJITHNJË NOBELISTËT

600
Sigal

Duke lexuar gazetën “Uashington Post” para dy- tre ditësh, më tërhoqi vëmendjen një shkrim mbi vizitën në Uashington të udhëheqëses birmaneze për demokraci, Zonjës Aung San Suu Kyi dhe takimeve të saj zyrtare në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit amerikan. Ajo u takua me Presidentin Barak Obama, me sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton dhe me udhëheqësit kryesorë të dy partive të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit Amerikan. Zonja Suu Kyi është një ndër femrat më të nderuara dhe të respektuara në botë, si një aktiviste e dalluar për demokraci dhe të drejtat e njeriut në vendin e saj Birmani dhe më gjerë. Falë përkushtimit të saj ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut, asaj i është akorduar çmimi “Nobel për Paqe”. Për këto qëndrime ajo ka vuajtur burgime dhe persekutime nga hunta ushtarake birmaneze. Si kampione botërore e të drejtave të njeriut, në Uashington ajo u prit me nderimet më të mëdha nga Presidenti Barak Obama, nga sekretarja e Shtetit, Hillary Klinton, e cila e quajti atë si një ”ikonë botërore e lirisë dhe demokracisë”,  dhe Kongresi Amerikan i akordoi asaj ”Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan”, që është nderimi më i madh që mund t’i bëhet një personi civil, vendas ose të huaj, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hunta ushtarake birmaneze e mbajti atë në arrest shtëpiak për pothuaj 15 vjet dhe si përfundim ajo nuk u lejua të vinte në Shtetet e Bashkuara më 2008 që të merrte Medaljen e Artë të Kongresit  për punën e saj në fushën e të drejtave të njeriut dhe në mbrojtje të demokracisë. Zonja Suu Kyi i bashkohet një liste impresive liderësh botërorë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, si Uinston Çurçilli, Martin Luter Kingu, Papa Gjon Pali i Dytë e të tjerë, të cilët gjatë historisë janë nderuar me ”Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan” dhe me çmimin “Nobel për Paqe”. Normalisht, unë nuk do të merresha me vizitën e Zonjës  Suu Kyi në Uashington, por ajo që më tërhoqi vëmendjen në artikullin e gazetës së kryeqytetit amerikan Uashington Post dhe mediave të tjera amerikane ishte fakti se Zonja Suu Kyi, menjëherë pas takimit të parë në Uashington me Sekretaren e Shtetit Hillary Klinton, dhe para takimeve të tjera me rëndësi diplomatike, kishte shprehur dëshirën të vizitonte  “Zërin e Amerikës”.

Komentet dhe intervistat e saj gjatë vizitës së saj në kryeqendrën e “Zërit të Amerikës” në Uashington, më kujtuan vizitat që bënin në “Zërin e Amerikës” gjatë Luftës së Ftohtë dhe pas rënies së Murit të Berlinit, mbrojtës dhe aktivistë të të drejtave të njeriut dhe personalitete me famë botërore, për të shprehur falënderimet e tyre për kontributin e VOA-s në fushën e të drejtave të njeriut dhe në mbrojtje të të përsekutuarve nga regjimet shtypëse komuniste dhe fashiste-ushtarake, si regjimi ushtarak i Birmanisë. Zonja Suu Kyi kishte shprehur dëshirën të vizitonte , jo gazetat me zë të kryeqytetit amerikan, “Uashington Post”, “Uashington Tajms” ose ndonjë rrjet të njohur televiziv amerikan, por “Zërin e Amerikës”, në këtë 70-vjetor të ekzistencës së kësaj radioje me famë botërore. Në Kryeqendrën e VOA-s, ajo u prit nga Drejtori i “Zërit të Amerikës”, Dejvid Ensor dhe zyrtarë të tjerë të lartë transmetimeve ndërkombëtare të Amerikës.  Zoti Ensor, duke e përshëndetur vizitoren e famshme tha se: ”Është një nder i jashtëzakonshëm që ne na viziton një personalitet kaq i dalluar” dhe e siguroi fituesen birmaneze të çmimit “Nobel” se: ”Zëri i Amerikës’ do të vazhdojë të ushtrojë llojin e gazetarisë që e ka bërë ‘Zërin e Amerikës’ stacionin më popullor ndërkombëtar të lajmeve në Birmani”.

Nga ana e saj, Zonja Suu Kyi gjatë takimit me zyrtarët e lartë të VOA-s tha se: ”E dëgjoj Zërin e Amerikës çdo mëngjes në orën 5:30. Më pëlqejnë shumë lajmet ndërkombëtare si edhe pasqyra e shtypit birmanez”, që transmetohen nga ‘Zëri i Amerikës’ në gjuhën birmaneze. Gjatë një interviste me VOA-n, ajo tha se: ”Të drejtat e njeriut duhet të mbrohen nga ligji dhe se nuk duhet të ketë asnjë rast, ku të drejtat e njeriut të lihen pas dore ose të injorohen”, – duke shtuar se- ”kjo është koha kur ne kemi nevojë për ndihmë, në mënyrë që vendi im të vazhdojë në rrugën e duhur dhe jo vetëm vendi im, por të gjitha vendet që ende nuk gëzojnë lirinë”.

Gjatë takimit me zonjën Suu Kyi, bashkëshortja e ish-presidentit Bush, Laura Bush tha se, ”tranzicioni në Birmani si dhe tranzicionet e mëparshme, nga diktatura në demokraci,  në Evropën Lindore dhe në Afrikën e Jugut tregojnë se, historia ka marrë një drejtim shpresëdhënës”. E pyetur nga ‘Zëri i Amerikës” se cili ishte mesazhi i saj për vendet e tjera në kushte të njëjta si atdheu i saj, ajo u përgjigj duke thënë se: ”Pikësëpari nuk duhet të hiqet dorë nga shpresa….por në të njëjtën kohë nuk është mjaft të shpresosh, duhet të punosh për të realizuar shpresat”, tha ajo.

Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të “Zërit të Amerikës”, fituesja e çmimit “Nobel” dhe e Medaljes së Artë të Kongresit Amerikan, zonja Suu Kyi tha se e konsideron këtë përvjetor si një ditëlindje të një miku sepse: “Zëri i Amerikës’ dhe stacione të tjera të transmetimeve ndërkombëtare ishin miqtë që qëndruan pranë meje gjatë viteve të gjata të arrestit shtëpiak”.

Vizita e Suu Kyi në kryeqendrën e VOA-s në Uashington dhe komentet e saj mbi transmetimet e lajmeve vendore dhe ndërkombëtare, si edhe për rolin që luan VOA për të mbajtur gjallë shpresën për liri e demokraci në të gjitha vendet ku liritë shtypen dhe mohohen, tregon se edhe sot pas 70-vjetësh që prej themelimit,  “Zëri i Amerikës” ka gjithnjë një rol për të luajtur në informimin e saktë, të balancuar, objektiv dhe të gjithanshëm anë e mbanë botës, e sidomos në vendet, ku liria e medias mohohet ose keqpërdoret.

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë