Frank SHKRELI/ Marrëdhënjet ushtarake Shqiptaro-Amerikane

627
Sigal

Javën që kaloi, ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli zhvilloi një vizitë zyrtare në Uashington me zyrtarë të lartë të diplomacisë dhe  të mbrojtjes amerikane. Në Pentagon, ministrja shqiptare u prit dhe zhvilloi bisedime me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel, ndërsa në Departamentin e Shtetit, Ministrja Kodheli u takua me Ndihmës-Sekretaren e këtij Departamenti, përgjegjësen për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, Victoria Nuland.

Bazuar në deklaratat mbi bisedimet midis dy palëve, si pala shqiptare ashtu edhe ajo amerikane, vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve në përgjithësi dhe theksuan veçanërisht bashkëpunimin midis Uashingtonit dhe Tiranës në luftën kundër terrorizmit.  Zëdhënësi i Pentagonit, Admirali John Kirby, duke dhënë hollësi për takimin në Pentagon midis Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes dhe Ministres Shqiptare të Mbrojtjes, tha se Sekretari Hagel, i cili e kishte ftuar zyrtarisht Zonjën Kodheli, falënderoi ministren shqiptare për përkrahjen dhe ndihmën bujare që Shqipëria ka dhënë për qeverinë e Irakut, duke i dhuruar qeverisë në Bagdad mjete dhe furnizime ushtarake.  Shqipëria, shtoi zëdhënësi i Pentagonit, ka luajtur një rol udhëheqës në përpjekjet e tanishme ndërkombëtare për të ndihmuar dhe për të furnizuar forcat kurde me armë dhe municion në luftën e tyre kundër forcave terroriste të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit, ISIL – ndërmarrje kjo për të cilën Shqipëria mori vlerësime të mëdha.

Në një deklaratë për median në lidhje me takimin e ministrave të mbrojtjes të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Admirali John Kirby tha gjithashtu se, zyrtarët e lartë diskutuan gjithashtu edhe mbi përpjekjet e Shqipërisë për të reformuar dhe për të modernizuar forcat, e saj të armatosura, përfshirë edhe oficerët shqiptarë të cilët u diplomuan kohët e fundit nga Shkolla e Kandidatëve për Oficerë të Gardës Kombëtare të shtetit  Nju Xhersi. “Modernizimi i forcave tona të armatosura është në top listën e prioriteteve tona”, tha Ministrja Kodheli në një intervistë për Zërin e Amerikës pas takimit në Pentagon, duke shtuar se rolin kryesor në këtë proces do ta luajnë Shtetet e Bashkuara. Ajo vazhdoi duke thënë se ne,  “jemi drejtuar tek armatimi i standardeve të NATO-s; bashkëpunimi është më se i frytshëm dhe ne jemi gati me strukturat tona, me unitetet tona ushtarake dhe të mund të përgjigjemi në misionet e përbashkëta paqeruajtëse, kudo, ku është ushtria amerikane dhe kudo që ka padyshim forca të armatosura të çdo vendi në NATO”.

Admirali Kirby u tha gazetarëve se, të dy udhëheqësit e lartë të mbrojtjes ranë dakord për të vazhduar së bashku punën drejtë kapaciteteve të Shqipërisë për trajnimin dhe edukimin e oficerëve ushtarakë.  Në deklaratën e Pentagonit thuhet gjithashtu se, gjatë bisedimeve midis dy krerëve të mbrojtjes, Ministrja e Shqipërisë Kodheli nënvizoi përpjekjet e vendit të saj për të modernizuar Forcat e Armatosura me armë të standardeve të aleancës së NATO-s.  Zonja Kodheli, sipas zëdhënësit të Pentagonit, bëri thirrje dhe inkurajoi bërjen e investimeve në fushën e mbrojtjes në Shqipëri.  Sekretari Hagel shprehu gjithashtu falënderimet e tija Shqipërisë, për ndihmën e saj në misionin ndërkombëtar në Afganistan si dhe për angazhimin e Tiranës zyrtare në mbështetje të misionit atje edhe pas vitit 2014.

Marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kanë parë vetëm rritje gjatë 25 viteve të fundit, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, marrëdhënie këto që falë historisë, ishin të natyrshme midis dy kombeve, pas shembjes së diktaturës komuniste.  Vizita e fundit e Ministres shqiptare të mbrojtjes, Zonjës Kodheli në Pentagon është provë e marrëdhënieve të mira politike dhe ushtarake, jo vetëm midis dy palëve, por  edhe në arenën ndërkombëtare, ku forcat shqiptare të armatosura kanë shërbyer krah për krah dhe këmbë për këmbë me forcat e ushtrisë amerikane për sigurimin e paqes në zona konflikti, përfshirë edhe Kosovën.

Vizita e parë në Uashington e një Ministri të Mbrojtjes të Shqipërisë ishte vizita e të ndjerit Safet Xhulali dhe delegacionit të tij ushtarak në fillim të 1990-ave.  Unë pata marrë pjesë si përkthyes në takimin e parë zyrtar midis delegacionit shqiptar dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit ku të dy palët,  biseduan në hollësi mbi gjendjen e atëhershme të forcave të armatosura të Shqipërisë, si dhe mbi marrëdhëniet e ardhshme dhe për bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Pjesa më e madhe e bisedimeve me atë rast, iu kushtua  luftërave në Ballkan dhe aftësive ushtarake të palëve, por mbi të gjitha u bisedua mbi aktualitetin ushtarak në territorin e ish-Jugosllavisë, mbi rolin dhe aftësitë e forcave të armatosura serbe që kishin ndezur Ballkanin dhe të cilat priteshin që – pas luftërave në Bosnje dhe Kroaci,  të fillonin edhe masakrimin e popullsisë shqiptare në Kosovë.  Qysh nga vizita e parë e  Ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë, të ndjerit Safet Xhulali dhe delegacionit të tij në Uashington, konsultimet  dhe bashkëpunimi midis forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë janë zhvilluar me qendrueshmëri deri në anëtarësimin, më në fund të Shqipërisë në aleancën ushtarake më të fuqishme të botës, NATO më 2009 e deri në ditët e sotme.  Shtetet e Bashkuara ishin vendi më entuziast në mbështetje të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO.  Ishte ky një proces i gjatë dhe i ngadalshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake midis dy vendeve, por që në të vërtetë kishte filluar me vizitën e parë  të delegacionit të forcave të armatosura të Shqipërisë në 1990-at, e që më në fund kulmoi me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009, si një vend me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë si çdo shtet tjetër anëtar i aleancës perëndimore. Zyrtarë të lartë amerikanë gjatë viteve kanë thënë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë si një shtet partner dhe vend mik, marrëdhëniet me të cilin, Uashingtoni i vlerëson shumë. Ç’prej rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve më 15 mars, 1991 – pas një ndërprerjeje të këtyre marrëdhënieve për një gjysmë shekulli -Shqipëria brenda mundësive të saja, e ka dalluar veten me fjalë dhe me vepra, si një prej aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në bashkëpunimin e tyre në arenën ndërkombëtare.

Gjatë 25 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vazhduar të jenë mike dhe partnerë të ngushtë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërkohë që, kombi shqiptar vazhdon të hedhë hapa përpara drejtë konsolidimit të një demokracie të vërtetë dhe të integrimit të plotë të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike.  Si anëtare e NATO-s, Shqipëria vazhdon të japë mbështetjen e saj ndaj sigurimit rajonal dhe paqes ndërkombëtare.  Vizita e ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli në Uashington javën që kaloi – të cilën, në një intervistë me VOA-n shqip ajo e cilësoi si një vizitë që  “rezulton të jetë më e suksesshme se çdo herë tjetër” – përforcon rolin e Shqipërisë brenda aleancës së NATO-s dhe rritë rolin politik dhe ushtarak të Tiranës, jo vetëm në marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, por edhe më gjerë.  Njëkohësisht, vizita e zonjës Kodheli në Uashington, e bën edhe më të rëndësishëm dhe më të besueshëm angazhimin rajonal dhe europian të Tiranës zyrtare në mbështetje të stabilitetit, të sigurimit dhe të integrimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane në fushën ushtarake si edhe ato të nivelit diplomatik dhe politik midis dy popujve gjatë çerek shekullit të fundit, kanë ndihmuar që kombi shqiptar të zëjë vendin që i takon, jo vetëm në radhët e kombeve europiane, por njëkohësisht ka ndihmuar edhe në përforcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.