Frank Shkreli/ Dritëro Agolli për bashkimin kombëtar: “Anarkia është debashkim, jo bashkim”

538
Nga Frank Shkreli* 
Kohët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe Presidenti i Kosovës, Z. Hashim Thaçi ngritën mundësinë e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet të vetëm, nëqoftse nuk ndodhë bashkimi i tyre brenda Bashkmit Evropian. Analistë të ndryshëm e kanë cilësuar deklaratën e udhëheqësve shqiptarë si një manovër parazgjedhore, si një përpjekje për të larguar vëmendjen e brendshme dhe të jashtme nga kriza aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë, ose më keq, si një kërcënim dhe shantazh ndaj Evropës, në qoftë se Bashkimi Evropian nuk merr masa për të shpejtuar integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në radhët e tij. Sidoqoftë – sikur të kishte nevojë për një deklaratë të tillë në këtë moment – deklarata e Kryeministrit Rama dhe e Presidentit Thaçi – dashur pa dashur – ndezi tensionet politike në Ballkan, duke shkaktuar reagime të ashpra jo vetëm nga Beogradi, por edhe nga Moska. Rusia dhe Beogradi mezi prisnin një deklaratë të tillë që të drejtonin gishtin akuzues Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për destabilizim të rajonit. Ndërsa, edhe Bashkimi Evropian (BE) ka kritikuar gjithashtu ashpër deklaratën e Z. Rama dhe Z. Thaçi. Komisioneri Hahn, sipas Deutsche Welle-s, ka hedhur poshtë mundësinë e presioneve dhe shantazheve ndaj Brukselit duke thënë, se deklaratat nxitëse mund t’u kthehen vendeve të Ballkanit si bumerang. Në vend të kësaj, ka thënë përfaqësuesi evropian, vendet e Ballkanit duhet të përqendrohen tek bërja e reformave të nevojshme për të plotësuar kushtet për anëtarësim në BE. Edhe ambasadat amerikane në Tiranë, Beograd dhe Prishtinë, kanë reaguar ndaj deklaratave të Z. Rama dhe Z. Thaçi, duke i cilësuar si të nxituara dhe të pakujdesshme. 
Ndërkaq, gazeta “Illyria” në New York sjell një reagim të Presidentit të Kosovës, Z. Hashim Thaçi, i cili u përgjigjet edhe njëherë kritikave të zyrtarëve të BE-së ndaj deklaratave të tij dhe të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë duke i quajtur “bajate”, “të gërditshme” dhe “neveritëse”, deklaratat e zyrtarëve të BE-së. Ai ka theksuar se kërcënim për paqen përbën nacionalizmi serb dhe jo deklaratat e tij. 
“Kërcënim për BE-në është nacionalizimi serb. Është Beogradi që është duke punuar në destabilizimin e rajonit dhe instalimin e ndikimit të fuqishëm së Rusisë në Serbi, prej bazave ushtarake e deri tek ‘MIG-at’ rusë”, është shprehur udhëheqësi i Kosovës në reagimin e tij ndaj kritikave evropiane. 
Bashkimi kombëtar i shqiptarëve është një ëndërr e shenjtë e të gjithë brezave deri më sot. Por bashkimi kombëtar arrihet me vepra e jo me fjalë, as me akuza ndaj njëri tjetrit as me ultimatume ndaj të tjerëve. Është kundër dinjitetit kombëtar që thirrjet për bashkim kombëtar të përdoren për qëllime politike parazgjedhore ose për të treguar mllef ndaj një vendimi ose jo, të Bashkimit Evropian. Fatkeqësisht, me dështimin e përfaqësuesve evropianë për arritjen e një kompromisi për zhdukjen e ngërçit politik në Tiranë, Shqipëria gjendet para një “kolapsi politik”, siç e cilësoi në një shkrim dje Karl Bildt, bashkëkryesues i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë,, ndërkohë që kriza politike vazhdon për një kohë të gjatë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa edhe atje po bëhet thirrje për zgjedhje të përgjithshme, të parakohshme parlamentare, sikur zgjedhjet janë zgjidhja e të gjitha problemeve.
Përballë këtij aktualiteti politik sot në trojet shqiptare, ndodha duke lexuar librin e Adnan Merovcit, truprojës së Presidentit Ibrahim Rugova, “Në Hap me Rugovën”, ku vura re ndër të tjera edhe deklaratën e të ndjerit Dritëro Agolli mbi bashkimin kombëtar, gjë që më tërhoqi vëmendjen, pasi është temë e ditës. Ai e kishte bërë këtë deklaratë gjatë një takimi me shkrimtarët e njohur të asaj kohe gjatë një vizite në Kosovë. Takimi i kryesuar nga Ibrahim Rugova në Prishtinë, me Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, është mbajtur gushtin e vitit 1991, një periudhë e vështirë kjo politike si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën. Është një këshill nga Dritëro Agolli që vlente atëherë për të gjithë, por përgjigja e tij 25 vjet më parë, është edhe sot shumë aktuale, përball krizës politike në Tiranë dhe debatit të shkaktuar nga dy udhëheqësit shqiptarë në lidhje me bashkimin kombëtar, për ata që duan ta dëgjojnë dhe për ata që janë me të vërtetë serioz dhe të cilët janë me të vërtetë të dhënë për realizimin eventual të bashkimit kombëtar. 
Pyetjes në lidhje me bashkimin kombëtar të shqiptarëve nga njëri prej pjesëmarrësve – një temë e ditës sot – Dritëro Agolli iu përgjigj kështu, sipas shënimit në librin e lartë përmendur. “Këtë gjë”, u tha ai shkrimtarëve më të njohur të asaj kohe në Kosovë, “Duhet ta shikojmë më shumë në të ardhmen. Të ardhmen, sepse është problem jo vetëm për Shqipërinë, për ta forcuar atë dhe për ta bërë për Shqipërinë e brendshme, por edhe për Shqipërinë e jashtme, se tashti ka ardhur ajo pika më kulminante që o do të ngrihet me të madhe ky problem i bashkimit kombëtar ose tjetër shanse është vështirë të jepet sepse me ç’ta ka dhënë historia, Shqipëria kalon në demokratizimin e plotë të vendit – por në qoftë se kjo do të merret, të ketë një anarki të plotë në Shqipëri, siç ka tani, që është anarki, tashti po qartësohet një çik më shumë, por ka një anarki. Në qoftë se është kjo anarki, ajo nuk mund të marrë përsipër bashkimin kombëtar. Anarkia është debashkim, jo bashkim. Ajo i sjellë dëm edhe pjesës këtu (Kosovës) në qoftë se vazhdon ajo gjendje, sepse nuk ka as autoritet, qoftë edhe në Ballkan qoftë edhe në vende të tjera. Do ju thonë juve, me ke jeni mo, me ata që po grinden e po zihen njëri me tjetrin, ku do veni ju?” Mungesa e rregullit, qetësisë dhe e unitetit politik në Shqipëri, ka thënë Agolli, “duket medoemos se i sjell dëm çështjes së madhe kombëtare”. 
Nuk mund të ketë bashkim të trojeve shqiptare, pa bashkimin e shqiptarëve, me qëllim për të bërë më së pari “Shqipërinë e brendshme” dhe “Shqipërinë e jashtme”, të lirë e demokratike të standardeve evropiane. Dritëro Agolli porosiste një çerek shekulli më parë, aty në zemër të Dardanisë, që më së pari të bëhet Shqipëria e brendshme dhe e jashtme, e pastaj të flitet për bashkim kombëtar! Këtë nuk mund ta bëjë, as Evropa, as Amerika dhe askush tjetër, përveç vetë shqiptarëve. Dëgjoni porositë e të moçmëve dhe mos sillni ujë në mullinjtë e armiqve të kombit.
*Ish Drejtori i VOA-S për Euroazinë
Sigal