Faik ISLAMI/ Një “Task -Forcë” …për bujqësinë…?

547
Sigal

Seneja e  treqind ditëshit të dytë qeverisës, pa na dhënë një bilanc të plotë prej qeverisësave të bujqësisë, në treqind ditët e para,  qoftë edhe me të dhëna  krahasuese, për arritjet në bujqësi e treqind ditëve,  filloi me një “Taskë -Forcë”, të cilën Ministria e Bujqësisë njoftoi se, nisi poshtë, në bazë, me dy objektiva konkretë; për problematikat e peshkimit dhe  licencat e lëshuara për këtë sektor dhe i dyti…, për situatën e tokave bujqësore. Në treqind ditët e para  ministria  do të kishte goxha për të na thënë  sepse bujqësia, me natyrën e saj, me bimët e arave,  të cilat kanë cikle prodhimtarie nga dhjetëra ditë deri tre muaj, brenda treqind ditëve plot mund të na thoshte arritje…po të kishte. Mund të na thoshte se si e qysh nën drejtimin e kësaj qeverisjeje u mbollën kaq hektarë më shumë me grurë, misër, foragjere e eterovajore dhe u dhanë aq ton më shumë se nga qeverisja e parë. U pakësua importi i perimeve në këtë shkallë dhe u kursyen aq milionë euro,  prej importeve ushqimore, krahasuar me qeverisjen e mëparshme prej mbi një miliardë eurosh  vetëm për importe ushqimesh. Ky vit ka qenë vit  për një bujqësi  shumë fitimprurëse me reshjet të papara kurrë  sepse ranë si  tropikët. Por dëgjoi kush ndonjë propagandë apo stimul nxitës për bujqit që mbjelljet për të vjeshtës të ishin intensive? Askush! Nuk dëgjuam asgjë prej këtyre, përveçse u bëmë më dije se  u dhanë, apo do t’u jepen ca donacione ca bujqve, …prej Arkës së Shtetit dhe nga të donatorëve të huaj…

Në këtë artikull nuk do të merrem me problematikën e peshkimit sepse nuk është  në fushën e gjërave që unë kujtoj se dhe i di, por edhe për faktin  se, sa kam dëgjuar prej atyre që e njohin këtë sektor, kam mësuar prej tyre se, peshku i ujërave tona, e ka lënë vrapin diku nga …Gjibraltari, për t`i shpëtuar  valëve shfarosëse të dinamitëve dhe  korenteve. Nuk e marrim dot me mënd si do ta bindin këta të dërguarit poshtë, peshkun të rikthehet! Në gjithë këto vite, veshët na kanë  dëgjuar kobe,  mbytje peshkatarësh, e  jo për ndonjë ogur të mbarë peshkimi. Nga kjo “taskë forca”…ishallah!

Objektivi i dytë, ai  për Tokat Bujqësore që si konceptim radhe do të duhej të ishte i pari, tërheq vëmendjen e lexuesve të shumtë për vetë faktin, se më në fund dhe çoç është marrë vesh nga qeverisësit e  bujqësisë  ndën objektivin, për ta rilindur bujqësinë. Bujqve të shkretë  u ka ra si bombë sihariqi,  njoftimi, se poshtë më në fund u nis një e quajtur… “Taskë -Forcë”! Dhe e gjithë shpresa e tyre, themi se do të jetë e përqendruar tek fjala forcë. Një forcë e shtetit, për të bërë  gradualisht nga ato punët, që nuk janë bërë gjer sot e njëzetekatër vite sira. Për të kuptuar nga ato hallet e bujqve, për tokat, lënë zvarrë duke i dhënë pamjen bujqësisë tyre si ato të fillimeve të shoqërisë “mamluke”, ku tokat arë u ndanë në njësi, pa formuar  tipin e pronësisë “mylk”(pronës së mirëfilltë private,mbi një ngastër të përcaktuar dhe të dokumentuar)  Zhvillimet e ‘mylk-ut “ u arritën shumë vonë dhe nëpërmjet një procesi  tepër të të ndërlikuar, pasojë e një burokracie ushtarake, që i shërbente  qëllimit të mbushjes së thesarit të mbretit, nëpërmjet parablerjes së pjesshme të tokave prej bujqve. Pak a shumë situata me tokën arë  është  tipike si në fillimet e shoqërisë mamluke, por me ndryshimin jo të vogël se tek ne burokracia demokratikase  nuk u kujdesën as përshtatin e as për… “mbretin”.

Me që në këto situata është toka arë,  ndaj dhe bujqit  mund të presin e shpresojnë tek  kjo  e quajtur Forcë, tek kjo emërtesë e dhënë në gjuhën e huaj si qëllimisht, për t’u konceptuar nga bujqit dhe jo vetëm prej këtyre, por prej  gjithkujt që e ka dëgjuar “Taskë- Forcën” e Kryeministrave, të prokurorive, të plot organizmave qeverisëse, si  një lloj grushti  me fuqi shteti, që do të ngrihet para qeverisësave vendor dhe t’u bjeri tavolinave,  për t`i bërë copëra, në mënyrë që problematika tepër komplekse me tokat arë në këtë rast,  të mund të gjejë zgjidhje. Besojmë se edhe Ministria, në objektivin e kësaj “Task- Force”, tokën arë  do të ketë patur në mëndje, për objektiv, sepse toka bujqësore është një koncept më i gjerë. Janë më pakë  problematike zërat e tjerë kadastralë, të cilat së bashku përbëjnë tokën bujqësore. Pse toka arë është problematike? Sepse ajo është ndarë  sipas ligjit të famshëm shtatë mijë e pesëqind e një. Dhe ai ligj sot, me të drejtë mund të emërtohet i famshëm sepse diku u zbatua plotësisht, diku përgjysmë dhe diku nuk është zbatuar fare. Ka mbi njëzet vite, që shoqëria jonë demokratike në emërtesë,  është “mamluke”, madje, në atë të fillimeve të asaj shoqërie me përmbajtjen, sepse as që e ka arritur me ligj të zbatueshëm, gjendjen e ‘mylk-ut’të pronësisë ligjore  mbi ngastrën, që arriti shoqëria mamluke, në kulmet e zhvillimit të saj. Pra, ministria dërgon një “Task -Forcë’ për ta kthyer  gjendjen e tokave arë,  nga  ngastra të askujt ligjërisht  në … “mulk-e” mamluke… apo për ta njohur si gjendje? Mirëpo nga sa tregon historia e zhvillimeve të asaj shoqëria, atje procesi ishte i komplikuar, po aq sa edhe sot tek neve.

    Ta don mëndja që një “Task- Force” e dërguar poshtë, kurrsesi nuk mund të zgjidhe e korrigjojë problemet që detyrimisht  mund dhe duhen zgjidhur …lartë! Të themi atë që është, termi “Taske -Forcë”, i përkthyer në shqip  do të thotë një grup i thjeshtë pune,  nisur për të parë një apo disa probleme të caktuara, pa ndonjë fuqi çudibërëse a vendimmarrëse. Është e shprehur “demokratikisht” prej një gjuhe të huaj, shëmbëlltyra e  natyrës së grupeve të shumta të punës, që organizonte shpesh Partia e Punës, kur fshatarësia dhe gjithë mileti mbeti,  pa pikën e dhallës. Këto grupe pune a “Task- Forcash”, janë tymnaja dhe engledi të qeverisësave, për të reklamuar se me demek po bëjnë namin,  që të qeverisurit prej këtyre  burokratëve “demokratë” dhe krejtësisht të paaftë,  të gënjehen,  se puna po ecën e do të eci edhe më mirë  akoma…pas..  “Task- Forcës”.! Me Task-Forcë nuk bëhet ringjallja e bujqësisë, por me shkencë. Bujqësia është baza e kulturave. Shoqëria njerëzore u zhvillua  nëpërmjet bujqësisë. Përse u dashka dërguar një “Task- Force” poshtë, kur  i madh e i vogël e di se tokat arë janë një “çorbë demokrate” e pa zgjidhur në tërë këto vite dhe e pa trazuar  aspak në treqind ditët që shkuan? Për të na mbushur mendjen se ja dhe dikasteri i bujqësisë, po ja bën fora, po e tregon forcën e vet organizuese, menaxhuese e drejtuese, për tokën dhe ujërat? Forca e vetme që do të mund të ndryshojë këtë gjendje   ‘mamluke”, do të jetë ligji si pikënisje e posedimit pronësor të tokave arë dhe fondet në funksion të zhvillimeve  sipas projekteve zhvillimore Me gupe pune e me donacione  do të kemi një bujqësi të rivarrosur! Një ligj i studiuar me imtësi, nga ligjvënës, nga shkencëtarë të fushës, nga qeverisësa vendorë pjesëmarrës  sepse ligji  shtatëmijë e pesëqind e një është krejtësisht i “ndryshkur “si në formën e zbatimit ashtu edhe në përmbajtjen e tij. Në Ministrinë e Bujqësisë, këtë do të duhej ta kishin kuptuar që ditën e dytë, kur e gjetën gjendjen të mjerueshme prej një qeverisjeje që as që e kishte konceptin e bujqësisë dhe të qeverisjes me ligje. Mirëpo nëse edhe kjo qeverisje vijon me këtë, mentalitetin e grupeve të punës dhe të na e thonë në gjuhën e huaja, për të mos u marrë vesh asgjë, se si nuk po bëhet asgjë, do të varrosë përfundimisht shpresën, për ringjallje të bujqësisë. Edi Rama dhe Ilir Meta  këtë duhet ta marrin vesh mjaft mirë dhe të heqin dorë, prej propagandës krejtësisht boshe, me bujqësinë!