Prof. Dr. Ago Nezha*/ LABËRIA NË 100-VJETORIN E PAVARËSISË

681
Sigal

Në shoqërinë e re demokratike që jemi integruar në vitet e pluralizmit, shohim se shoqatat lozin një rol aktiv në njohjen, transmetimin dhe konsolidimin e vlerave historike, kulturore e atdhetare të etnive dhe trevave të veçanta. Në këtë kontekst, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” ka qenë gjithmonë aktive me aktivitete të larmishme që kanë pasur ndikimin e tyre në jetën shoqërore. Në këtë rrjedhë, ishte edhe veprimtaria jubilare e organizuar para disa ditësh në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Me këtë rast u mbajt një Sesion Jubilar në mjediset e Akademisë së Shkencave me temë: “100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë dhe Labëria”. Në këtë sesion kumtuan historian dhe gjuhëtar të njohur si Prof. Pëllumb Xhufi, Rami Memushi dhe Bardhosh Gaçe, me tema nga kontributi i Labërisë në shpalljen e Pavarësisë. Oratorët theksuan se ëndrra shekullore për liri e pavarësi, që u kurorëzua më 28 Nëntor në qytetin historik të Vlorës nga plaku i mençur Ismail Qemali është e lidhur pazgjidhshmërisht edhe me kontributin e Labërisë. Njëqind vjet më parë, më 3 Nëntor 1908, një grup burrash atdhetarë njëherazi intelektualë nga Labëria e jashtë saj, nën drejtimin e plakut të urtë Ismail Qemal bej Vlora, krijuan në Vlorë, në djepin e patriotizmës dhe atdhetarizmës, klubin patriotik “Labëria”. Nuk ishte një ngjarje aksidentale e as rastësi. Në vargun e 40 klubeve patriotike që u ngritën në Shqipëri në prag e sidomos pas Kongresit të alfabetit shqip të Manastirit, klubi “Labëria” jo rastësisht ishte ndër të parët e pikërisht në prag të mbajtjes së atij kongresi. Detyrë parësore e tyre ishte rritja e ndjenjës atdhetare të popullit shqiptar si një komb që mund të vetëqeverisej si dhe përhapja e shkollave shqipe dhe përvetësimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Këtë akt mund ta bënin vetëm burra atdhetarë, jo thjeshtë për nostalgji se u dhimbsej Shqipëria, por që si pjesë e Rilindjes kombëtare arrinin të kuptonin se e ardhmja e saj mund të ishte e siguruar me dije, kulturë, me ruajtjen e transmetimin e vlerave më të mira kulturore e atdhetare mbarëkombëtare, si edhe të trevës sonë të Labërisë, si pjesë e së tërës. Nismëtarët, organizatorët e drejtuesit e klubit ishin të shumtë, njerëz të shquar të pushkës dhe të penës. Klubi patriotik “Labëria” si edhe klubet e tjerë në gjithë vendin, me veprimtarinë e tyre atdhetare e intelektuale, i paraprinë shpalljes së pavarësisë së vendit më 28 Nëntor 1912 pikërisht  në Vlorën e Flamurit. Ne, të gjithë së toku, u jemi atyre tepër mirënjohës, u përulemi me shumë respekt e veneracion edhe sot pas 104 vjetësh, sepse i tillë, e përmes shekujsh përcillet misioni i tyre. Duke evokuar të kaluarën e Labërisë, shohim se në të gjitha periudhat historike, ajo ka qenë e pranishme me zërin dhe kontributin e saj, për t’i paraprirë zhvillimeve patriotike, atdhetare. Në këtë sfond, na shfaqen evenimente gjurmëlënëse, siç është 88-vjetori i kongresit të parë të Labërisë që u mbajt në Kuç të Vlorës nga data 28 Nëntor – 4 Dhjetor, nën drejtimin e patriotëve Halim Xhelo e Sali Hallkokondi, me praninë e 300 delegatëve nga të gjitha trevat e Labërisë, përfshirë këtu edhe Kosovë e Çamëri. Vlerësimi për këtë ngjarje kombëtare, ishte maksimal nga autoritetet e kohës, mbasi u nisën për të marrë pjesë në zhvillimet e Kongresit Kryeministri Fan Noli dhe Bajram Curri, që për vështirësi objektive u kthyen në Vlorë. Në këtë truall heroizmash, me këtë frymë atdhetare, si një nevojë historike, lindi edhe Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria në Tiranë më 12 Dhjetor 1991, si pasardhëse e denjë e tërë asaj trashëgimie patriotike. Krahas veprimtarive që ka organizuar Shoqata “Labëria” në qendër, këto nuk kanë munguar edhe në shoqatat në rrethet Vlorë për figura të shquara historike, arsimore, kulturore, në Sarandë për betejën e Likursit, në Patos për heroin e popullit “Mustafa Matoiti”, në Fier, Tiranë e Tepelenë për të nderuar veprimtarë të Shoqatës Labëria, etj. Labëria, e ka fituar statusin e Patriotizmës, Atdhetarizmës, Trimërisë, Besnikërisë, Bujarisë dhe Mençurisë, jo si atribut i vetvetes, por si kontribut shekullor në historinë e Shqipërisë, që më shumë se kushdo, e evidentojnë korifenjtë e letrave shqipe nga Jug në Veri. Rilindësi i kohëve tona, akademiku kosovar Rexhep Qosja, Kryetar Nderi i Shoqatës Labëria, që në Kuvendin e III-të të Labërisë në Vlorë, ku ai tashmë është edhe “Qytetar Nderi” i shpallur me rastin  100- vjetorit të Pavarësisë, midis të tjerash tha se: “Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë”. Shoqata Labëria, në vazhdimësi ka promovuar krijimtarinë e krijuesve lab, deri edhe pasaportën Labe, “Kanunin e Labërisë” të autorit Profesor Ismet Elezit, si dhe ka vlerësuar dhe vlerëson bijtë dhe bijat e saj më të mirë, me tituj të lartë nderi, akt që do ta kryej edhe sot në këtë përvjetor historik. Me këtë rast, shoqata Labëria vlerësoi me tituj të lartë nderi Isa Boletinin (pas vdekjes) me Titullin “Mirënjohje e Labërisë” për kontributin e madh që ka dhënë në aktin historik të shpalljes së pavarësisë. Po kështu, u vlerësuan me Titullin “Personalitet i Shquar i Labërisë” Agim Mero, Muntaz Dhrami, Rami Memushi, Velesin Peçuli, Sherif Lusho, Hasan Halili, Et’hem Lika, si dhe me “Mirënjohje të Labërisë” Irena Toçi dhe Xhevo Shehu (pas vdekjes ), si dhe disa veprimtarë në rrethe. Me Titullin “Mirënjohje e Labërisë” u nderuan dhe grupet polifonike të Sarandës, grupi “Birbili” dhe “Kaonia”.

*Autori është Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”