Ergys Alushi/Mbi cilat zgjedhje duhet ta përllogarisë PS-ja fitoren e zgjedhjeve 2013?

90

Edhe pse nuk janë publikuar ende listat e kandidatëve për deputetë, kanë nisur të bëhen llogaritë e zgjedhjeve të 23 Qershorit, kush humbet e kush fiton, sa dhe si në lidhje me numrin e deputetëve nëpër qarqe. Që nga analistët, ekspertët e numrave, Kodit Zgjedhor, partitë politike e deri tek njerëzit e thjeshtë, në përllogaritjet e tyre mbështeten tek rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2009. Koalicioni, opozita dhe kryesisht Partia Socialiste janë më të prirura për të kryer përllogaritje sa më afër saktësisë dhe realitetit, sepse pretendojnë të vijnë në pushtet. Por ka një problem, që nuk është i vogël. PS-ja është duke bërë një gabim të madh, kur i referohet rezultateve të vitit 2009, për të përllogaritur se sa vota i nevojiten nëpër qarqe, për të fituar më shumë deputet. Zgjedhjet e vitit 2009,PS-ja i deklaroi të vjedhura dhe për muaj me radhë, udhëhoqi popullin opozitar drejt protestave në bulevardin kryesor të Tiranës. Parullat e protestave ishin “Dua të shoh votën time”, apo dhe kërkesa kryesore për hapjen e kutive, duke përfshirë edhe grevën e urisë, në të cilën hynë që nga militant të thjeshtë e deri deputetë. Kështu, nëse do t’i qëndrojmë deklaratave dhe veprimeve politike të PS-së për zgjedhjet e vitit 2009, atëherë rezulton se PS-ja është duke bërë një gabim të madh, që ju referohet rezultatit të dalë nga kutitë e pahapura e votave të djegura, buzë detit. Nuk mund të ndërtosh fitoren e zgjedhjeve të vitit 2013 mbi rezultatet e vitit 2009, kur vet ke deklaruar se zgjedhjet e atij viti ishin të vjedhura dhe shqiptarët nuk arritën ta shihnin dot votën e tyre. Në kushtet ,kur nuk di sesa vota të janë vjedhur, sesa vota ke fituar, nuk mund të bësh llogari, sesa vota të duhen më shumë, sesa nga votat që të dhanë votuesit, vota të cilat nuk u lexuan asnjëherë, sipas pretendimit të opozitës. Ndaj, PS-ja nuk duhet të përllogarisin rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve të vitit 2013, mbi rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2009, nëse i qëndron kauzës së saj se zgjedhjet e vitit 2009 janë vjedhur. Por, megjithatë, PS-ja ka një tjetër rezultat zgjedhjesh, mbi të cilin duhet të mbështetet, zgjedhjet lokale të vitit 2011. Do të ketë nga ata që do të nxitojnë të mendojnë se zgjedhjet lokale nuk janë njësoj me ato zgjedhjet e përgjithshme, dhe kjo është e vërtet, por, më tepër sesa fakti, se si lëvizin votuesit nga njëra zgjedhje në tjetrën, PS-ja ka domosdoshmëri frymën që përcollën zgjedhjet lokale të vitit 2011. Vota popullore “pro”të majtës në zgjedhjet e vitit 2011, ishte si kurrë ndonjëherë më parë, duke sjellë fitoren e PS-së në qytetet më të mëdha të vendit, me rezultate edhe më të larta sesa nga zgjedhjet e vitit 2009. Por, ndërsa rezultati dhe ndryshimi i tij ndërmjet dy zgjedhjeve edhe mund të paragjykohet e të justifikohet me shumë mënyra, ajo që i nevojitet PS-së, më shumë sesa rezultati i dalë nga zgjedhjet e vitit 2009, është fryma e zgjedhjeve të vitit 2011. PS-ja dhe kryetari Rama duhet që, pikërisht kësaj fryme, t’i bashkëngjis edhe kandidatët për deputetë, që t’i shërbejnë kësaj fryme, ta ngjallin edhe njëherë atë, duke bërë kujdes në përzgjedhjen e kandidaturave, të cilat mund të jenë të mira e të pranueshme për ata që këshillojnë Ramën, por nuk janë të pranueshëm në bazën socialiste dhe opinionin e gjerë. Nëse Rama nuk do t’i shpëtojë tendencës për abuzim, nga njëra anë dëshirës së popullit opozitar për ta larguar kryeministrin aktual dhe nga ana tjetër, duke vendosur në lista kandidat të preferuar prej tij dhe një grupi të vogël deleguar prej tij, vetëm e vetëm sepse “njerëzit do të votojnë, sepse nuk kanë se ku të shkojnë”, atëherë ky do të jetë një tjetër gabim i madh në prag të zgjedhjeve. Kështu, ndërsa shifrat e 2009 nuk janë të besueshme, përderisa pretendohet se janë vjedhur votat, atëherë PS-ja le të mbështetet në frymën që krijoi në zgjedhjet lokale 2011, duke vendosur dhe kandidatë për deputetë, njerëz që ta ringjallin edhe njëherë atë frymë.