Ergys Alushi/ Historiku i projektit për shëtitoren e Vlorës

848
Sigal

Po cila është historia e shëtitores? Kur ka lindur ideja për ndërtimin e saj dhe si kanë ndryshuar projektet nga viti në vit? Kur ka filluar të realizohet në terren projekti i fundit për ndërtimin e shëtitores? Fillimet e veta shëtitorja përgjatë bregdetit, skelë-ujë i ftohtë, i ka në vitin 1973 edhe pse thuhet se ideja e ndërtimit të shëtitores ka lindur nga italianët në vitet ‘40. Në vitin 1973, ajo ka qenë pjesë e studimit të lagjes nr.1, si emërtohej në atë kohë, zona ku do të ndërtohej shëtitorja. Studimi i kësaj lagjeje sipas dokumenteve të kohës, është miratuar pikërisht në vitin 1973, por ai mbeti vetëm një studim. Ndërkohë që, në zonën në fjalë ka patur shumë pak ndërhyrje për zbatimin e këtij studimi, duke përmendur këtu ndërhyrjen që u bë në vitet ‘80, në zonën tek ish -moli i naftës, pranë tunelit, në ujin e ftohtë. Në ato vite, me kontributin vullnetar të disa ndërmarrjeve të qytetit, u rehabilitua një pjesë e bregdetit, e cila edhe sot njihet në qytet me emrin “plazhi i kryetarit”, duke patur parasysh kryetarin e komitetit të kohës, Medin Hoxha. Pas një ndërprerje të gjatë në vite, në vitin 2002 është hartuar nga zyra e urbanistikës së Bashkisë Vlorë, (ark. Sami Canaj), studimi i cili përmirësonte planin rregullues të vitit 1996, duke spostuar shëtitoren nga ana e detit… Duhet thënë se, edhe ky përmirësim i planit rregullues, nuk u miratua atë vit në këshillin e rregullimit të territorit të Republikës së Shqipërisë. Ne vitin 2004 miratohet ne K.Rr.T.R.Sh., studimi i zonës Qendër, studim i cili është edhe sot në fuqi. Ky studim përcakton gjerësinë e rrugës Skelë-Uji i Ftohtë, 38m, mbushjen e detit për krijimin e shëtitores dhe kthimin e portit ekzistues, në port jahtesh. Në shtator 2011, duke u përgatitur për “100- vjetorin e Pavarësisë”, ark. Doriana Sulaj dhe ing.konst. Erjon Amataj, “marrin guximin” t’i propozojnë Kryetarit të Bashkisë, projektin për shëtitoren e qytetit. Duket se ka ardhur koha, për t’ i shkuar deri në fund këtij projekti të mbetur pezull prej vitesh. Në maj 2012, pas shumë polemikash (për zonën tek Shtëpia Muze, zonë, e cila nuk konceptohej dot pa makina, sot pedonale), mungesë fondesh, etj, nis puna për realizimin e fazës së parë të projektit, një projekt modest, i varur si gjithmonë nga buxheti. Faza e parë  starton nga hotel “Bolonja” deri tek ish-“ Aulona” dhe faza e dytë nga ish –“Aulona” deri në ujin e ftohtë. Për këtë investim, u shpall dhe tenderi dhe fituesi i tenderit do të fillonte punimet për ndërtimin e kësaj shëtitoreje, aq të domosdoshme për qytetarët. Por ndërsa edhe sot që flasim shoqëria që ka kryer punimet e ndërtimit, nuk është paguar akoma në mënyrë përfundimtare, ndërtimi i shëtitores ka marrë një rrjedhë krejt tjetër. Tashmë, projekti i bashkisë i vitit 2011, është flakur tej dhe një tjetër projekt, i cili është shpallur sot fitues, do të zbatohet për ndërtimin e lungomares. Mosmarrjen në konsideratë të projektit të bashkisë, Kryeministri Edi Rama, do ta bënte publik dhe do ta zyrtarizonte në 101- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në 28 Nëntor të vitit 2013, në një takim në teatrin e qytetit, i cili do ti kushtohej vetëm lungomares “çelja e konkursit ndërkombëtar për vijën bregdetare të Vlorës, hapi i parë drejt një transformimi madhor për Vlorën e Shqipërinë turistike”, do të shkruante Kryeministri Rama, në faqen e tij në Facebook. Sipas tij, në vitin 2015 do të kemi një portë tërheqëse në Mesdhe. “Besimplotë se në verën e vitit 2015 do kemi në qytet, një portë tërheqëse të Mesdheut me një vijë bregdetare të dorës së parë për turizmin”. Së bashku dhe me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta e Kryeministri Rama, do të zgjidhte 101- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë për të deklaruar çeljen e konkursit ndërkombëtar për vijën bregdetare të Vlorës. Ajo që ra më shumë në sy në teatër, ishte mospërmendja e emrit të kryetarit të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, nga asnjë prej diskutantëve në këtë takim, duke përmendur ndër të tjera edhe prefektin e Qarkut të Vlorës, Besnik Dervishi. Ndërkohë, edhe vetë Kryeministri Rama nuk do t’ ia përmendte në asnjë rresht të fjalës së tij, emrin e kryetarit të bashkisë edhe pse flitej për vijën bregdetare të Vlorës dhe jo të ndonjë qyteti tjetër. Madje, në fjalën e tij, Rama është deklaruar ndër të tjera se: “Jam i bindur se, pavarësisht gabimeve të bëra, për shkak të mos eksperiencës apo të ngutjes gjatë zhvillimit të pa qëndrueshëm, aty është vendi për të ndërtuar një nga vijat më të bukura të Mesdheut për të thithur një numër jo vetëm më të madh, por edhe më cilësorë turistësh”. Rama në takimin e datës 28 Nëntor 2013, nuk ka lënë pa kujtuar edhe aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje që ishin bërë në breg të detit, prishja e të cilave kishte krijuar një konflikt të hapur midis kryeministrit Rama dhe kryetarit të bashkisë, si për rastin e prishjes së ndërtimit të njohur me emrin ish Aulona. Rama ka deklaruar se vera e vitit 2015, do të jetë dhe realizimi i projektit të ndërtimit të “Lungomares”. “Sfida është që kësaj shëtitoreje ti japim përmasën e njeriut dhe lëvizjen e makinave ta devijojmë në një rrugë tjetër”, tha në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama. Ky pra do të ishte dhe takimi, i cili do të rrëzonte projektin e bashkisë për ndërtimin e lungomares dhe fillimin e procedurave për gjetjen e një projekti të ri nëpërmjet një konkursi ndërkombëtarë. Për ndërtimin e shëtitores së bregdetit. pas këtij takimi, INUK, do të fillonte prishjen e disa ndërtimeve përgjatë bregdetit nga skela deri tek tuneli, ku më spektakolari dhe i debatueshmi do të ishte prishja me tritol e kompleksit “Jon”. Bashkia e Vlorës, çdo ditë e më shumë do të shmangej nga çdo përfshirje në takimet apo diskutimet në lidhje me ndërtimin e lungomares, duke sjellë në kujtesën tuaj dhe një takim të zhvilluar për këtë qëllim, në mjediset e një hoteli në zonën e skelës, pranë pallatit të sportit. ndërsa në terren vazhdonin prishjet. Në faqen zyrtare të hapur për konkursin, kuptohej qartë tendenca e përfaqësuesve të qeverisë, për ta shmangur e deri injoruar çdo ide dhe projekt të bashkisë për ndërtimin e lungomares. Materiali që do të ndiqni në vazhdim, ju informon për konsideratat që sipas organizatorëve të konkursit firmat pjesëmarrëse në konkurs, duhet të merrnin në konsideratë. Qëllimi është që të gjitha ndërtesat që qëndrojnë në mes të vijës se ndërtimit dhe detit, janë abuzive dhe do të hiqen. Ky proces ka filluar në tetor 2013 dhe do të vazhdojë deri sa e gjithë hapësira bregdetare të pastrohet. Kjo është arsyeja pse, organizatorët inkurajojnë konkurrentët të marrin në konsideratë hartimin afatgjatë të zbatimit si një vizion, ku ndërtesat ekzistuese që janë vendosur në vijën bregdetare (midis detit dhe rrugës ) do të hiqen dhe kjo hapësirë do të lirohet për përdorim publik.

Projekti i qytetit për zgjerimin e rrugës nga Qendra e Qytetit tek tuneli. Ky është një projekt i Bashkisë së Vlorës, i cili nuk është zbatuar . Rruga që lidh qytetin me tunelin, është rrugë qyteti dhe rrugë kombëtare në të njëjtën kohë. Kjo aktualisht, pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj është një rrugë me dy korsi trafiku dhe një korsi parkimi . Ndërtesat e reja të banimit që janë ngritur në brendësi, formojnë një linjë të ndërtimit që është e zhvendosur nga rruga ekzistuese, duke krijuar hapësirë të hapur midis ndërtesave dhe qytetit. Bashkia e Vlorës , ka planifikuar të zgjerojë rrugën, duke zënë këtë hapësirë të hapur në brendësi. Plani rregullues i Vlorës dhe Plani Strategjik Rajonal, parashohin hapjen e një rruge nacionale për trafikun tranzit jashtë qytetit. Pas disa vitesh, gjithashtu, është planifikuar për të hapur një rrugë të re qyteti, paralelisht me rrugën ekzistuese bregdetare që do të kalojë prapa blloqeve të reja të banimit, në shërbimin e tyre, por në të njëjtën kohë për të marrë trafikun e qytetit jashtë vijës bregdetare dhe më në fund të japë rrugën për transformimin e saj në një shëtitore , kryesisht këmbësorëve. Kjo është arsyeja pse , organizatorët e konkurrencës, së bashku me Bashkinë e Vlorës, e vënë në pikëpyetje zgjerimin e rrugës ekzistuese. Nga Konkurrentët kërkohet hartimi i hapësirës nga blloqet e reja të banimit, deri në det, si ta mendojnë se do të jetë më e mirë për qytetin, sipas objektivave të këtij konkursi ndërkombëtar . Në vitin 2012, Bashkia e Vlorës ka përgatitur një vizatim për një segment 1.6 km në jug të Portit. Një pjesë e këtij projektimit është zbatuar, pjesa tjetër nuk ka mundur të bëhet për shkak të mungesës së fondeve deri më tani. Është zbatuar zona e këmbësorëve në krahë të ‘ Shtëpisë se Pavarësisë ‘, ku u shpall Pavarësia në vitin 1912. Kjo është pas zonës së portit. Ky segment është zbatuar për të festuar 100- vjetorin e Ditës së Pavarësisë. Në synimet e tyre për pjesën tjetër të shëtitores, pjesa qe akoma nuk është implementuar, stafi Bashkisë propozoi për të zgjeruar hapësirën publike në drejtim të detit, duke e mbushur atë. Ata kanë propozuar një vendkalim të vazhdueshëm përgjatë detit, në bregdet dhe disa pika aktiviteti, si fushat sportive, parqe të vogla, zona plazhi dhe një amfiteatër . Në këtë propozim, rruga ekzistuese është lënë si një korridor trafiku, edhe më të gjerë se sa është sot, që shtrihet në brendësi drejt blloqeve të reja të banimit që përcaktojnë një linjë të ndërtimit. Organizatori vë në dispozicion këtë propozim të Bashkisë Vlorë si pjesë e dokumenteve të kësaj gare, pasi tregon vizionin e qeverisë lokale për vijën bregdetare. Duke bërë kështu, organizatori nuk është duke lënë të kuptohet se konkurrentët duhet të ndjekin vendimet e këtij propozimi, por është duke u ofruar atyre një dokument për të ndjekur qëllimet dhe për të mbajtur çdo gjë që konsiderohet me vlerë. Nga ana jonë, e vëmë në dyshim vendimin për mbushjen në det për të zgjeruar territorin e hapësirës publike, ndërkohë që në anën tjetër zgjerohet rruga për t’ i bërë vend më shumë trafikut. Pra kuptohet qartë se, si organizatorët e konkursit, pra qeveria, e injorojnë duke e konsideruar një vizatim, projektin e bashkisë për ndërtimin e “lungomares”. Organizatorët vënë në dyshim disa pika të këtij vizatimi-projekt, sipas tyre duke shkuar edhe më tej, kur ju bëjnë thirrje konkurrentëve që të mos ndjekin vendimet e këtij vizatim-projekti. Kështu pra, bashkia e Vlorës e humbi eskluzivitetin e projektit për ndërtimin e “lungomares”, e cila edhe mund të ishte drejt përfundimit apo do të kishte përfunduar. Nëse bashkia e Vlorës do t’ i kishte siguruar vite më parë fondet për ndërtimin e saj. Por bashkia e Vlorës, duket se nuk ka humbur vetëm ekskluzivitetin për autorësinë e ndërtimit të veprës më të madhe të ndërtuar ndonjëherë në qytet, por ka humbur e do të humbas edhe të drejtën për hartimin e projekteve dhe ndërtimin e të tjera veprave në qytet, të cilat janë paralajmëruar që do të ndërtohen nën kujdesin dhe iniciativën e vet Kryeministrit Rama, i cili është njëkohësisht dhe deputet i parë i Vlorës. Pas autorësisë së projektit dhe ndërtimit të “lungomares”, duket se bashkia e Vlorës dhe vet kryetari i bashkisë Shpëtim Gjika, kanë humbur dhe të drejtën për të qenë ata hartues dhe ndërtues të shumë veprave në qytet. Kryeministri i vendit ka tendenca për t’ a shmangur gjithnjë e më shumë bashkinë e Vlorës nga zbatimi i disa projekteve në qytet. Ai e ka paralajmëruar këtë për rishikimin e rehabilitimit të sheshit të flamurit, bulevardin Vlorë-Skelë, sheshin e skelës por edhe disa blloqe banimi në qytet. Deri tani nuk ka asnjë rast, ku Rama apo njerëz nga stafi i tij të jenë konsultuar për ndonjë projekt më përfaqësues të bashkisë Vlorë apo dhe vet kryetarin e bashkisë, me qëllim koordinimin e punëve, meqenëse gjithçka zhvillohet në territorin e bashkisë Vlorë.