Ëngjëll Musai: Si e shkatërroi kulturën Rilindja

99
Kush nuk do të shikojë, nuk i meriton sytë
Edi Rama erdhi nga Franca për t’u bërë direkt Ministër Kulture. Dhe që atëherë vazhdoi si kryetar Bashkie, deri dhe Kryeministër. Nga kjo pritej që ai të zhvillonte së paku fushën e tij. Kulturën. Fatkeqësisht Rama nëpërmjet rilindjes ose “të fillojmë nga e para” krijoi një ambient klientelist, demagogjik duke favorizuar shoqërinë e tij dhe duke dëmtuar realisht kulturën vendase. Arroganca e pashembullt e kryeministrit filloi që tek mbrëmja me artistët në Pallatin e Brigadave, takim ky ku ishin pothuaj të gjithë të ftuar nga jashtë vendit, dhe pothuaj asnjë nga brenda vendit, duke harruar që dhe ata që janë jashtë, janë formuar dhe filluar karrierën ne Shqipëri). Kjo në disa drejtime që po i rendis si me poshtë. 
Drejtuesit e Institucioneve
Institucionet janë strukturat bazë që orientojnë politikat e shtetit. Janë këto institucione që e furnizojnë me informacion dhe vizion Ministrinë e Kulturës, dhe ajo pastaj ndërton politikat. Por çfarë ndodhi ndërkohë. Pothuajse të gjithë drejtuesit e teatrit të Operës, galerisë së Arteve, COD dhe Teatrit të Metropolit erdhën njësoj si Rama nga jashtë shtetit. Komplet pa eksperiencë në drejtim dhe njohje terreni i shndërruan këto institucione në dobi të karrierës së tyre personale. Drejtori Kerni pothuaj bëri të gjitha koreografitë e TKOB. Jonida Beqo drejtoresha e teatrit te Metropolit, mbasi e la Qendren Rinore vetëm me karrige (që mos t’i prishte punë vëllait të vet tek “Tulla”) pothuaj në çdo shfaqje bën diçka, që nga Regjia deri tek kostumografe, duke lënë pa punë ata që realisht mund ta bëjnë këtë gjë, dhe ajo të administrojë teatrin. Falma Fshazi, drejtoresha e COD e cila pothuaj tërë kohën jeton në Francë arriti sa u bë artiste për në Venezia, nëpërmjet COD. Hervin Çuli përveç se regji shfaqjesh e ka futur gruan pothuaj në çdo shfaqje të Teatrit Kombëtar. Kiço Londo bën regjinë e shfaqjeve kryesore të teatrit eksperimental. Pra këta persona, në vend që te administronin institucionet e tyre për t’i shndërruar në pika takimi të artisteve, i përdorën si prona private. Këta do Rilindin Institucionet !? 
Center for Open Dialogue ose triumfi i Artit me Qëllim 
Ndërtimi i COD si dhe aktivitetet që bëri Kryeministria në oborrin e pasëm, nga Koncertet, Iftari dhe Qofte me birra arritën vetëm diçka. Përveç se përçanë artistët, dëmtuan dhe marketingun për artin. Ndërhyrja e shtetit në art dëmton iniciativën dhe konkurrencën e lirë, zhvillimin ekonomik të artit duke stimuluar artistë-shoqëri e kryeministrit dhe duke i shndërruar në artistë zyrtarë të oborrit si Anri Sala, Adrian Paçi, Edi Hila e kompani dhe me një drejtoreshë që vjen në Tirane nga Franca vetëm për të marrë rrogën ose kur është Rama prezent. Ndërkohë që fondet për Galerinë Kombëtare të Arteve mungojnë, Kryeministria noton në të ardhura. 
Dëmi ndaj Teatrit Kombëtar 
Dëmi i madh iu bë teatrit. Pothuaj të gjitha qeveritë e kanë dëmtuar teatrin. Por ajo që kjo qeveri bëri ishte vendosja e një drejtori që është krenar, që është pijanec dhe kumarxhi, që erdhi nga komisionet e votimit dhe që krijoi vetëm konflikte në Institucion. Në vend që në Teatër të aplikohej e njëjta formulë si me Qendrën e filmit, ku teatri të luante rolin e producentit, teatri u shndërruar përsëri në një institut ku aktorët marrin rrogat, pavarësisht, se njëri luan 5 premiera në vit dhe tjetri vetëm 1. Dhe kjo është dhe arsyeja, pse shumë aktorë nuk anohen për Teatrin Kombëtar, por fshihen. Teatri Kombëtar u bë si teatër i Tiranës, pa asnjë element kombëtar në të. Ku pothuaj asnjë aktor nga rrethet nuk ka luajtur në të. Ku drama shqipe mungon totalisht, ku publikun e ka marrë malli të dëgjojë të folura dialekte në teatër. Ku aktoret nuk kane asnjë ballafaqim me publikun e rretheve. Ku bileta u zhvleftësua deri në 1 euro. Dhe mbi të gjitha ku cilësia e shfaqjeve është shumë e dobët, dhe as nuk krahasohet me kohën e komunizmit. Ajo që është e sigurt është që mbas zgjedhjeve Teatri Kombëtar do prishet dhe aktoret do katandisen në një sallë ordinere ku nuk do lëvizin më. 
Dëmi ndaj Filmit 
Në QKK doli teoria që me 4000 euro mund të bëhen filma, te nxjerrim sasi dhe jo cilësi. Ama për festivale filmi të jepen më tepër, me që Butka akoma ka lidhje me TIFF. Ndërkohë që për dasma harxhohen po aq lekë për xhirime. Taksapaguesi shqiptar në Tiranë dhe mbi të gjitha në rrethe nuk e ka idenë se çfarë filmash prodhohen në Shqipëri. Pavarësisht, se paguajnë taksa, asnjë nga këto filma nuk shfaqet në rrethe. Justifikimi i mungesës së kinemave nuk qëndron, sepse dhe me një ekran normal mund t’i shfaqësh këto filma në sallat e teatrove. Nga ana tjetër regjisorët dhe skenaristët kanë humbur kontaktin me publikun. Ata nuk mendojnë që ajo që krijojnë është një përgjegjësi kombëtare artistike, jo thjesht punë individuale, sepse përfaqësojnë artin shqiptar. Filmat që prodhohen tani as nuk i afrohen filmave të kohës së komunizmit. 
Dëmi ndaj Operës 
Ilir Kerni së bashku me Abigela Voshtinën, e nisën punën e tyre në TKOB me inat ndaj Zhani Cikos. Dhe hapi i parë i tyre ishte se si të shkatërronin vendosjen e “Tannhausër” të Ëagnerit, një produksion i TKOB dhe Amerikan, sa që u desh ndërhyrja e Rrugës së Elbasanit që të aprovohej vendosja 3 ditë para premierës. Në vazhdim Kerni nuk pati as vizionin minimal dhe as nuk kishte aftësinë të thithtë fonde. Në vend të kësaj u mor me gradat e balerinëve dhe filloi të vendoste numrat e tij koreografikë. Por fatkeqësisht në të vërtetë TKOB e drejtonte Abigela Voshtina, e cila u shndërrua në një armë ndaj artistëve. Gradualisht Kerni e kuptoi se kishte disa mostra që nuk e lenin të punonte, por nga ana tjetër, nuk u tregua i aftë të ishte drejtor. Dhe dha dorëheqjen me turp. Gjë që solli si rrjedhim një tjetër “drejtoreshë që ka ikur me ceremoni nga Opera. Zana Çelën, e cila sa u fut e përdori institucionin për “Marie Krajën” e saj dhe ca dallavere të tjera, si dhe duke përdorur dhe Inva Mulën, kuptohet me dëshirën e kësaj të fundit. 
Dëmi ndaj gjuhës shqipe ( kryeministri ynë Fetar) 
Feja i ndan njerëzit, gjuha i bashkon. Dhe, në qoftë se ne kemi një gjë realisht origjinale si vend, është Gjuha Shqipe. Por kryeministri ynë do ta shndërrojë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Bulevard të besimit. Jo të kulturës dhe Historisë Shqipe. Rama në fjalimin e tij hapës kur mori qeverinë e përmendi synimin që të zhvillonte gjuhën shqipe. Ka 3 vende ku gjuha zhvillohet. Letërsia, Teatri dhe Ekonomia. Duke qenë se dramaturgjia shqipe në Shqipëri është zhdukur pothuaj plotësisht kanë ngelur vetëm letërsia, që me çfarë duket nga panairet është për poshtë. Ministria e Kulturës duke pasur një ministre inferiore ndaj kulturës së huaj ( ndihet shumë franceze) financon vetëm përkthime në shqip të literaturës së huaj. Instituti i Gjuhës Shqipe vuan për fonde minimale, po ashtu instituti i antropologjisë (si dhe i folklorit). Fonde që janë dhënë nga UNESCO për Polifoninë nuk dihet se ku kanë ikur. Muzika Përmetare, Shkodrane etj, janë zhdukur. Rama do të na bëjë fetarë dhe francezë me zor. “Rilindja” insistoi që të na fuste mësimet për fenë në shkollë, por nuk mendoi ndonjëherë të fuste orën e Kinemasë, Orën e Artit, etj, si këto. Ndërkohë që në komunizëm aparatet e kinemave shkonin dhe në fshatrat më të humbur, këtu s’ka kinema as Durrësi (që për ironi bën Festival Filmi!?) 
Shkatërrimi nga Mirela Kumbaro i Festivalit të Gjirokastrës.
Dëmin më të madh Rilindja, dhe në veçanti Mirela Kumbaro e bëri ndaj Festivalit Folklorik. Dhe në kohën e komunizmit ky festival nuk është trajtuar aq politikisht dhe nuk është abuzuar aq shumë me të, sesa nga Mirela Kumbaro dhe Rama. Ky festival zhvillohej në Muajin Shtator, sepse i jepej kohë nga muaji Janar deri në Gusht, që të gjithë grupet Folklorike në Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni, Greqi dhe zonën e Arbëreshëve të bënin gati numrat e tyre artistike. Spostimi i këtij festivali në Maj për arsye të fushatës elektorale në 2015, shkatërroi të gjithë këtë linearitet dhe prodhim duke e bërë të pa përgatitur. Festivali u mbush me Televizorë, alla Rilindje, por ku artistet nuk dëgjoheshin se ç’këndonin ( ama Rama po), dhe ku u harxhuan rreth 400 milionë lekë (ku dhe ushqimin donin ta bënin me tender), ku dhe organizimi iu la në dore një babygirl si Meri Kumbe që s’ka eksperiencën minimale në muzikë, dhe jo më të organizojë një festival. Dikur këtë Festival e realizonte Radio Tirana, falas dhe cilësia ishte shumë here më mirë. Shumë specialistë muzike u lanë jashtë si dhe munguan analizat, botimet dhe workshopet. Mirela Kumbaro si një njeri që njeh vetëm Facebookun, në mënyrë qesharake krenohej për Livestream të festivalit në Venecia, në stendën tonë ku as nuk e shikonte njeri, sepse kishte vetëm një mulli uji dhe ca televizorë. Mirela Kumbaro bëri një dëm shumë të madh me abuzimin me fondet për Kulturë. Me vazhdimin e kulturës së “Eventit” që kishte dhe Berisha, Kumbaro harxhoi me qindra mijëra euro për evente një ditore, pa asnjë farë vlere për publikun e gjerë. “Evente” mediokre si Ai i Shkelzen Dolit, Festa e Dritave, Eventet e Bolinos etj, si këto shërbyen vetëm për vjedhjen e fondeve, por nuk sollën asnjë zhvillim në muzikën shqiptare. Dhe së fundmi, duke qenë se do kandidojë në Gjirokastër si deputete ( ngaqë ka firmosur gabim dhe kërkon mbrojtje politike) po transferon gjithë projektet në Gjirokastër për t’i mbushur mendjen popullit gjirokastrite, se Rilindja po e ndrit. Ndërkohë që nuk ka kurajë të kandidojë në zonën ku banon, sepse e njohin mirë se kush është .
Shkatërrimi kulturor i rretheve
Tirana gjithmonë është populluar nga rrethet. Për sa kohë rrethet nuk do kenë kulturë të zhvilluar dhe Tiranën do e mbysë injoranca. Ndërkohe që në rrethe kultura nuk ekziston. Ekziston vetëm Rilindja dhe Feja. Rilindja vazhdoi frymën e Berishës me koncerte tek Bulevardi, mundësisht tek dritarja e Kryeministrit (Koncert në vitin 2016). Ndërkohë që në rrethe dhe ato pak aktivitete që bëhen organizatorët janë nga Tirana. Dhe në këto 4 vjet nuk doli nga rrethet asnjë grup muzikor, s’u bë asnjë turne, nuk doli asnjë Koreograf, Kineast apo Grup Valles, Piktor i ri etj, që të zhvillonin aktivitetin e tyre në rrethe. Ky centralizim solli shkatërrimin e Rretheve dhe të periferisë së Tiranës. Centralizimi ku çdo gjë bëhet tek Bulevardi përveç se u kthyen në një kusari të fondeve publike nuk solli gjë tjetër. 
Përfundim 
Rilindje nga vetë fjala do të thotë të nisësh nga fillimi. Kjo është katastrofë për një vend, i cili çdo 8 vjet bën ristarte kulturore prej politikës duke mos arritur pjekjen e saj kulturore. Fatkeqësisht Rilindja e Ramës ishte një vazhdimësi e politikave kulturore të Berishës, por me një ndryshim. Që vartësit e Ramës nuk e kanë frike atë, ndaj dhe janë shumë më të korruptuar, që në 4 vitet e para. Ngjarja e ndodhur para pak ditësh nga një tjetër i besuar i Ramës, Gëllçi i TVSH i ardhur nga përtej detit,i cili me një vendim largoi tre nga ikonat e kulturës dhe muzikës shqiptare Edmond Zhulali, Alfred Kaçinari dhe Shpëtim Saraçi tregon fatkeqësinë ku e ka zhytur artin “Rilindja” e klonuar.