Prof.Dr. Qemal Lame: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në Bashkimin Europian

270
Sigal

Në 16.07.2022, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin e Francës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Me 68 vota pro dhe asnjë kundër dhe pa pjesmarrjen e VMRO-DPMNE-së në sallë u miratuan konkluzionet mbi propozimin lidhur me kornizën negociuese për procesin e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Kompromisi si zgjidhje për zhbllokimin e vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut u propozua nga ana e Presidencës së Francës me Këshillin e BE-së më 30 qershor 2022. Deputetët e mazhorancës miratimin e konkluzioneve e përcollën me duartrokitje.

Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tri ditë u debatua për këtë propozim. Debati u përcoll me kundërshtime e madje edhe me tentime të shpeshta për përplasje fizike. Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNEdhe partisë nacionaliste “E Majta” nga njëra anë dhe atyre të Lidhjes Social Demokrate në pushtet, nga ana tjetër, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre. Deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhdojnë me akuzat ndaj qeverisë për “tradhëti kombëtare”dhe heqje dorë nga gjuha, identiteti, historia kombëtare maqedonase dhe se “propozimi francez synon bullgarizimin e popullit maqedonas” dhe“rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtare maqedonas”. Deputetët e opozitës nuk janë bindur as nga deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila të enjten, në 14.07.2022, në fjalimin para deputetëve tha, se propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.

Propozimi francez parashikon kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike, ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

Bisedimet për Maqedoninë e Veriut do të bëhen në dy faza. Pas fazës së parë, Shkupi do të duhet të ndryshojë Kushtetutën për njohjen e pakicës bullgare në të. Ky shikohet si një proces i vështirë dhe jo lehtësisht i arritshëm për shkak të mungesës së dy të tretës së votave në parlament nga koalicioni i shumicës parlamentare.

Vendimi i parlamentit maqedonas, sjell automatikisht zhbllokimin e nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim për Maqedoninë dhe për Shqipërinë. Këshilli Europian do të mbajë një konferencë të shpejtë ndërqeveritare, në të cilën pas një kohe shumë të gjatë, reformave të shumta dhe sfidave të përballuara me sukses do të hapen me meritë, jo për mëshirë, bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për anëtarësim në BE. Maqedonia ka marrë statusin e kandidatit në vitin 2005, ndërsa Shqipëria në vitin 2014. Në vitin 2019 u zgjidh kriza me Greqinë dhe u ndryshua emërtimi i shtetit të Maqedonisë.

1.Vendimet e votuara në parlament do t’i dërgohen qeverisë për miratim. Kuvendi e detyron qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë. Për shkak të krizës politike, nuk është bërë akoma e njohur nëse Bullgaria do ta pranojë këtë kompromis pasi Qeveria është dorëhequr.

2.Vendimet i dhanë një goditje të rëndë politikës së njohur shoviniste të grupimeve ultranacionaliste ndaj shqiptarëve. Ata nuk mund të vazhdojnë indoktrinimin, të fshehin realitetin e historisë dhe të mbajnë peng të drejtat dhe liritë e shqiptarëve.

3.Liderit e partive politike shqiptare në unitet mbështetën gjerësisht vendimet e Qeverisë dhe të Kuvendit. U dëshmua edhe një herë roli vendimtar dhe i dobishëm i shqiptarëve për shtetin dhe demokracinë funksionale. Ndryshimet që do të bëhen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut do të saktësojnë qartësisht edhe gjuhën shqipe dhe statusin shtetformues të shqiptarëve. Ato do të jenë pozitive edhe për sensibilizimin me ndjenjën e përgjegjësisë për identitetin kombëtar të shqiptarëve ortodoks dhe legjitimetit të institucioneve kishtare ortodokse të tyre, frenimit të qëndrimeve antishqiptare nga ultranacionalistët, forcimit të miqësisë midis shqiptarëve dhe atyre, që identifikohen si maqedonas apo bullgarë ose turq. Është me vend të rikujtoj se teritori i Maqedonisë ka qenë një nga katër vilajetet shqiptare. Në fillim të shekullit të 20-të Shkupi ka qenë pothuajse mbi 96 për qind me shqiptarë. Republika e Maqedonisë u krijua nga Jugosllavia në vitin 1945, pas Luftës së Dytë Botërore, në teritoret shqiptare dhe me popullsinë shqiptare. Politika antishqiptare e shovinizmit serb ndikoi që të mos krijohet një republikë shqiptare dhe ndau teritoret midis Serbisë dhe Maqedonisë. Politika zyrtare dhe kisha ortodokse realizuan me genocid ndryshimet e thella tragjike të identitetit dhe numrit të shqiptarëve duke i asimiluar dhe krijuar artificialisht një shtet dhe një komb maqedonas.

Përmendja e këtyre fakteve ka rëndësi për të njohur të vërtetën e hidhur të së kaluarës dhe kuptuar përgjegjësinë e shqiptarëve dhe maqedonasve për të ecur përpara në rrugën e përbashkët europiane. Nuk është koha për korigjimin e historisë. Janë krijuar kushtet që shqiptarët e asimiluar të deklaruar me kombësi tjetër të reflektojnë, të kenë sigurinë për barazinë kushtetuese, që krijohet për të gjithë shtetasit pa dallime kombësie dhe të ndjejnë nevojën për t‘u rikthyer me guxim e dinjitet në identitetin e tyre origjinal kombëtar. Kështu do të forcohet më tej shteti dhe shoqëria shumë kombëshe në Maqedoninë e Veriut, do të shpejtohet procesi i thellimit të reformave dhe arritur anëtarësimin dinjitoz në bashkësinë evropiane.

Mori fund pengmarrja absurde e Shqipërisë. Fati i bisedimeve për Shqipërinë ka qenë për tre vite të tëra një lojë politike nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare. Edhe faktorët politikë shqiptarë bllokuan vendimet për llogari të interesave të politikës së tyre të njëanshme në kundërshtim me interesat kombëtare.

Nisja e bisedimeve për anëtarësim është përgjegjësi për Qeverinë, Kuvendin dhe gjithë partitë politike për të çuar më përpara reformat, forcuar shtetin e së drejtës dhe bërë më efektive demokracinë funksionale sipas modeleve të përparuara evropiane. Do të fillojnë bisedimet për zbatimin e legjislacionit të gjerë të Bashkimit Evropian dhe plotësimin e kushteve për 35 kapitujt për anëtarësimin. Është e njohur praktika e presioneve të shteteve anëtare për të marrë gjithça që duan dhe të përfitojnë në maksimumin e mundshëm nga shtetet që do të anëtarësohen. Prandaj kërkohet kujdes për të mos u thelluar gabimet e së kaluarës.

Franca vuri kritere të rrepta për t’u plotësuar dhe këmënguli që bisedimet të fillonin në një kohë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kuptohet se kjo i shërbeu presidentit Macron për fushatën presidenciale dhe rizgjedhjen e tij. Megjithatë pati edhe një të mirë, pasi u zgjidh edhe kriza midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Kam besm se më në fund Bashkimi Europian do të nxjerrë mësime nga politikat që kanë penguar marrjen në kohë të vendimeve për shkak të të drejtës së vetos së shteteve anëtare që duan të arrijnë qëllime të caktuara nacionale dhe pengojnë perspektivën dhe interesat e përbashkëta europiane, të gjejë forcat për të thelluar reformimin drejt federalizimit, qartësuar më tej perspektivën e zgjerimit dhe forcimit të mëtejshëm si superfuqi gjeopolitike. Problem parësor është ndalja e luftimeve në Ukrainë, arritja e paqes me bisedime dhe mënjanimi i pasojave të shkaktuara për ekonominë e mirëqënien evropiane dhe botërore.

Ta shfrytëzojmë këtë ndryshim pozitiv dhe të punojmë me energji të shumëfishuara për të ardhmen më të mirë të Shqipërisë, Evropës, paqes dhe sigurisë në botë.