Ëngjëll Musai: Rilindasi që tradhëtoi veteranët dhe ushtarakët

585
Sigal

Nuk ka asnjë
dyshim se Partia Socialiste në bërthamën e saj ka shtresën e veteranëve të Luftës
Antifashiste Nacional-Çlirimtare, pasardhësve të heronjve dhe, padyshim, ushtarakëve
dhe familjeve të tyre. Kësaj bërthame i ngjiten edhe shtresat e tjera
popullore, qytetare, intelektuale etj. Por ajo që më detyroi sot të ulem të
shkruaj shkurt, pasi në ditët në vijim do të analizojmë më gjatë dhe më thellë janë
dy arsye.

Së pari, më nxiti letra
e shkruar me shpirt dhe zemër nga Komiteti Veteranëve të LANÇ. Lind pyetja pse veteranët
po fyen kaq rëndë nga qeveria e Rilindjes në lidhje me gjakun e dëshmorëve që
luftuan për çlirimin e vendit nga bisha nazi-fashiste. Dhe normalisht kur
shikon që titullari i së majtës apo Kryetari që ti ke sjellë në pushtet me votë
nuk shkon dhe përçmon 5 Majin ditën e lavdishme të kujtesës së heronjve, apo
ngjarjet që kujtojnë çlirimin e rretheve atëherë çfarë emri mund t’i vësh këtyre
ngjarjeve përveçse tradhti. Po për çlirimin e vendit pse kanë frikë të thonë me
zë të lartë, se luftëtarët nderohen dhe se udhëheqësit e Luftës janë të
pavdekshëm. Po ku ka më turp se sa ti që lartëson monumente si ai i Ahmet Zogut,
krye tradhtarit të kombit, i cili iku dhe e la vendin në mëshirë të fatit dhe
nuk guxon të zësh në gojë emrin e Komandantit të LANÇ. Po pse ai, që mbrojti
kufijtë harrohet dhe Ahmet Zogu që shiti trojet e vendit e ka monumentin më të
madh se ai i Ismail Qemalit, “Babait të Kombit”?! Dhe këto nuk janë rastësi, por
janë të qëllimshme deri sa vjen momenti, që kriminelët dhe tradhtarët dekorohen
dhe heronjtë që derdhën gjakun përçmohen. Ky është turp dhe pabesi e madhe,
ndaj amanetit të heronjve. Le të analizohet çdo rast dhe çdo ngjarje dhe le të
thuhet e vërteta, le të pranohen edhe gabimet, le t’i shtrijmë dorën edhe njëri
tjetrit për pajtim, por kurrsesi, që kjo të bëhet në dëm dhe në kurriz të
gjakut të heronjve. Komiteti i Veteranëve të LANÇ është përgjegjësi kryesor që
ka toleruar drejtuesin e Partisë Socialiste dhe personalisht zotin Rama. Argumenti,
se ne nuk duam përçarje dhe nuk duam që ta çojmë pushtetin tek e djathta e ku
di unë, janë broçkulla. Këta “Rilindës “ presin e përcjellin pinjollët e zogut nëpër
dasma dhe harrojnë familjet e heronjve tanë të lavdishëm. Edhe SHBA,edhe
Anglia, edhe Franca, edhe ish vendet sovjetike nderojnë heronjtë e Luftës. Vetë
Gjermania i ka kërkuar falje mbarë botës për kasaphanën hitleriane, ndërsa neve
na vjen zor dhe turp të respektojmë heronjtë tanë. Ku janë varrezat e dëshmorëve,
po varret që po shkatërrohen? Turp,turp dhe paturpësi e madhe për këtë qeveri që
ishte shpresa e veteranëve të LANÇ. Ndryshe nga të gjithë, vetëm Ilir Meta, si
familje partizane dhe luftëtarësh ka qëndruar pranë veteranëve dhe me shallin e
kuq, ka nderuar të rënët në varrezat e dëshmorëve të rretheve dhe ato të
Kombit.

Së dyti, deklarata e para
disa ditëve të një deputeti të Rilindjes, i cili foli në parlament dhe e mbylli
fjalimin kundër PD-së me shprehjen: “Jeni parti e shkatërruar, por të paktën
jepuani SHQUP-in ushtarakëve të bëjnë ceremonitë mortore”. Ushtarakët more “rilindës
bashibozuk” nuk e kishin SHQUP-in vetëm për ceremoni mortore. Ata e kishin qendrën
e orientimit, takimit, studimit, edukimit, dasmave, martesave dhe gëzimeve
familjare. Sigurisht njerëz jemi dhe në këtë botë nuk ka të përjetshëm dhe të
gjithëve na kanë ndodhur fatkeqësi familjare. Por ne jemi krenarë që edhe
lamtumirën, por edhe nderimin ushtarakëve që ndahen nga jeta, por edhe kujtdo
tjetër t’ua bëjmë sipas zakoneve dhe traditave shqiptare. Por ti more rilindës
Artan Gaçi, duhet t’u kërkosh falje të gjithë ushtarakëve dhe familjeve të tyre
për këtë fyerje të rëndë. Sigurisht që ti nuk i kupton ushtarakët, as hallet e tyre,
as sakrificat, as orët, ditët dhe netët pa gjumë në mbrojtje të kufijve të
atdheut. Niveli yt i ulët intelektual dhe mungesa arsimore shkonte deri tek
rrobaqepësia. Po ti flet se aq ndjen, ti je aksidentalisht aty për shkak të miqësisë
personale dhe kostumeve që i ke dhuruar shefit, ndaj kërko ndjesë, sa nuk është
vonë. Veteranët e Luftës, ushtarakët dhe familjet e tyre janë simboli i
shqiptarizmit dhe vlera të pavdekësisë kombëtare.