Ëngjëll Musai/ 5 Maji i lavdishëm i Dëshmorëve të Atdheut

84
Sot për të gjithë shqiptarët, për të gjithë ata që duan lirinë dhe pavarësinë e vendit është një ditë e veçantë. Është 5 Maji i heronjve dhe Luftës Partizane. Pikërisht kjo datë u vendos për të nderuar të gjithë ata, që me pushkë dhe me penë, në male dhe në fusha, në qytete dhe në fshatra, në fabrika dhe punishte, ditën dhe natën, në shi dhe në diell, në tokë, në det dhe në ajër sakrifikuan, luftuan dhe dhanë jetën për Çlirimin e Shqipërisë, më 29 Nëntor 1944. Dita e 5 Majit për koincidencë është shumë pranë 9 Majit, Ditës Botërore të Fitores mbi Nazi-fashizmin. Ishte ky koalicion, me në krye Bashkimin Sovjetik, Anglinë, SHBA, Francën që përmbysën dhe shkatërruan bishën Hitleriane, këmishëzinjtë e Duçes dhe sadistët e Japonisë. Por, nëse në këto vende pasardhësit e partizanëve dhe heronjve të Luftës së Dytë Botërore festojnë me madhështi në Shqipëri Varrezat e Dëshmorëve janë katandisur si mos më keq, Lapidarët po zhduken, Shtëpitë Muze po zëvendësohen me gradaçela etj. Politikanët tanë, një pjesë pavarësisht se janë në minorancë, nuk e njohin luftën dhe këta janë pasardhësit e ballistëve, zogistëve, kuislingëve dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesit, të cilët spiunuan, u rreshtuan me nazistët dhe lyen duart me gjakun e bijve të thjeshtë të këtij populli. Kurse pjesa tjetër janë ata që nuk duhet të ishin kështu, siç janë. Janë pasardhësit e heronjve dhe dëshmorëve, por që i tradhtuan për pushtet dhe para idealet e heronjve. Janë hipokritët që nuk kujtohen 364 ditë dhe ditën e 5 Majit afrohen, pasi mendojnë për votat elektorale të pasardhësve të Dëshmorëve.

 Por le t’i marrim me kujdes ngjarjet dhe zhvillimet në këto 25 vite. Në vitin 1992, bashkë me të zhvarrosurit e krimeve komuniste për balancim u zhvarrosën nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe ato të rretheve, edhe luftëtarët që u ekzekutuan nga Hitleri. Dhe fatkeqësisht të dyja palët politike heshtën, dhe sot e kësaj dite nuk ka kërkuar askush ndjesë për këto akte makabre. Flasim që ndjesa të ishte edhe nga ata që vunë dorë mbi Varrezat e Heronjve, por mungon ndjesa edhe për krimet e diktaturës. Dhe masakra ndaj Dëshmorëve, atyre që na renditën në pjesën e fitimtarëve dhe që na lanë ballëlartë në Europë vazhdoi pa ndërprerje. Një pjesë e politikanëve të djathtë dhe sidomos pasardhësit e kolaboracionistëve, – bëhet fjalë për ballistët dhe zogistët – i prishën, shkatërruan dhe hodhën në erë me tritol Lapidarët e Heronjve. Dhe kjo, që të harrohej jo thjesht Lufta Partizane, por të harroheshin kriminelët dhe bashkëpunëtorët e Duçes dhe Hitlerit. Dhe duke u harruar, dhe fshehur këta të fundit do të merrnin pronat, të cilat Ligji i Luftës dhe Marrëveshja e Atlantikut (Rusvelt-Stalin-Çurçill) ua ndaloi dhe i quajti të konfiskuara për shkak të tradhtisë kombëtare dhe bashkëpunimit me nazistët. Por sikur të mos mjaftonte kjo e të djathtëve, të majtët e pushtetit lokal dhe sidomos kryebashkiakët e Tiranës, që prishën të gjitha Shtëpitë Muzeale dhe bazat historike të luftës. Në vend të tyre u ndërtuan pallate shumëkatëshe, megjithëse ligji për veprat muzeale dhe historike e pengonte një gjë të tillë. Megjithë këto prapësi, “


Baballarët e Kombit” në çdo 5 Maj paturpësisht shkojnë dhe vendosin kurora tek martirët e luftës, pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Është turp për të gjithë ata faqezinj që me veprimet apo heshtjen e tyre i përdhosën heronjtë dhe sot duan vota dhe tregohen “patriotë”. Hipokrizia me Dëshmorët e Kombit duket pikërisht në faktin, ku bulevardit kryesor me emrin “Dëshmorët e Kombit” i hiqet një pjesë e emrit dhe i vendoset emri i tradhtarit Ahmet Zogu, njeriu që më 7 Prill 1939 iku si frikacak për të shpëtuar lëkurën e tij, me valixhet me florinj me vete. E pra, të barazosh Ahmet Zogun me Dëshmorët e Kombit është turp dhe marrëzi, që e ka iniciuar PD dhe e ka mbështetur “Rilindja” e Ramës. Me sa duket fakti i deklaruar nga vetë z. Rama, se gjyshi i tij ka qenë shofer i Zogut është një arsye më shumë që atij t’i dhimbsen zogistët dhe jo partizanët. Nuk është rastësi që në bulevard ngrihet busti i tradhtarit, ndërkohë që toka e Varrezave të Dëshmorëve është zënë rreth e qark me lokale dhe vila, që të gjitha me firmën e ish-kryebashkiakut Edi Rama. Të mos harrojmë se tentativa dhe ideja për të bashkuar në një organizatë veteranësh edhe ballistët, edhe zogistët, edhe partizanët doli nga korridoret e Kryeministrisë. Shpresojmë të mos bëhet realitet edhe largimi i Varrezave të Dëshmorëve të Kombit nga vendi ku ndodhen. Është marrëzi kur mendon se në njërën anë hiqen eshtrat e heronjve dhe nga ana tjetër me ceremoni vijnë ato të tradhtarit Ahmet Zogut, që shiti Vermoshin, Shën Naumin dhe nënshkroi marrëveshjen me serbët për faljen e tokës mëmë. Kreu i së majtës, njëherë merë pjesë dhe dy herë jo në festimet për çlirimin e Kryeqytetit, më 17 Nëntor. Ndoshta i vetmi politikan që nderon, kujdeset dhe respekton gjakun e të rënve është Ilir Meta. Është kjo arsyeja dhe fryma që ai ka futur tek pjesëtarët e tjerë të partisë së tij, me Luan Ramën në krye që nuk mungojnë në çdo festë dhe nderim të LANÇ. Ai merr pjesë në ditën e çlirimit të vendit, të festave të çlirimit të rretheve dhe mbështet fuqimisht Komitetin e Veteranëve në rrethe për festimet e këtyre ngjarjeve të rëndësishme për kombin shqiptar. 


Shpresojmë që sot, në nderim të heronjve të mos mungojë as Kryesocialisti i konvertuar në Rilindas, zoti Edi Rama, megjithëse personalisht jam i bindur që ai nuk para e ka qejf këtë festë, dhe se më shumë i dhimbset Ahmet Zogu, sesa “Nëna Shqipëri”. Nuk është rastësi që ai hesht për bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të cilit i është vënë emri i Zogut, të vetëshpallurit mbret që iku dhe tradhtoi atdheun, ndërkohë që me zellin më të madh i heq emrin Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, pasi bashkë me emrin e tij nis edhe harresa e Luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare. Është në nderin e Komitetit të Veteranëve të LANÇ dhe familjeve të Dëshmorëve që të mbajnë qëndrime dhe të mos bëhen palë, dhe servilë të qeverisë, qoftë edhe kjo e majtë. Madje kur qeveria që ke shpresuar, besuar dhe votuar bëhet më e pacipë dhe hedh poshtë heronjtë dhe gjakun e dëshmorëve, edhe trauma është më e madhe dhe zhgënjimi nuk njeh më kufij. Ndaj, Ju bashkëkohës të partizanëve dhe familjarë të dëshmorëve të LANÇ nuk duhet të heshtni, por të t’i tregoni vendin kujtdo që kërkon të mbajë karrigen e tij, duke përdhosur heronjtë. Në këtë rast, turpin më të madh do e kini Ju gjyshër, nëna dhe baballarë që nuk duhet të harroni amanetin e Dëshmorëve dhe nuk duhet të lejoni që gjaku i tyre i derdhur për lirinë e atdheut, të bëhet ujë, sepse kështu u intereson disa hajdutëve që po grabisin pasurinë e këtij populli të vënë me mund dhe sakrifica gjatë 50 viteve. Sot do të shohim se kush janë ata që do të vijnë dhe do të nderojnë të rënët e kombit pranë “Nënës Shqipëri”, cilëve politikanë u dhimbsen vërtetë Dëshmorët dhe kush janë ata që do vijnë për 5 Majin vitin tjetër në 2017, pikërisht 2 muaj para zgjedhjeve. Le të jem unë gabim, por besoj se kreu i së majtës as që do denjojë të vendosë kurora me lule për partizanët, që luftuan dhe ranë me yllin në ballë. Si pasardhës i një fisi partizanësh, dëshmorësh, të persekutuar dhe me shtëpi të djegur nga nazistët, do të shkojë të vendosë tufën me lule për Heronjtë e Kombit Tim, duke u cituar vargjet më të bukura të gjuhës shqipe:
Në këto ditë të majit, 
Lule sjellim ne, 
Lule more trima, 
Që ratë për atdhe.

* Drejtor i Telegraf