Meta: LSI, e gatshme të votojë reformën në drejtësi

461
Kreu i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se është e drejta e opozitës që të kërkojë më shumë kohë për reformën në drejtësi. Sipas tij, LSI ishte e gatshme për ta votuar që dje draftin e ekspertëve për ndryshimet kushtetuese.
“Me dorëzimin e opinioneve përfundimtare gjithçka ka përfunduar. Grupi i LSI është gati për ta votuar këtë variant, nga dje, jo nga sot, aq më tepër nga e hëna. Ne mund të vazhdojmë debatet dhe për shumë vite, por jemi të ndërgjegjshëm se çdo minutë që kalon është kundër nesh dhe rrezikon progresin në raport me BE, arritjen e një konsensusi për çeljen e negociatave. Këto sms janë bërë të qarta dhe nga Mogherini, nga Hahn. Absolutisht mendoj se tani duhet të ecim drejt procedurave parlamentare për të votuar këtë reformë. Është e drejta e opozitës të kërkojë disa ditë më shumë. Për LSI votimi ka filluar që dje. Në cdo moment që do kërkohet votimi votat tona do jenë për këtë variant,” tha Meta.
Prononcimi per mediat i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta
Dje ka qenë një ditë shumë intensive nga mëngjesi dhe deri në darkë në lidhje me reformën në drejtësi. A mendoni se javën e ardhshme do të marrë fund diskutimi për draftin dhe si e vlerësoni rolin i ambasadorëve që nesër do të marrin pjesë edhe ata në mbledhjet e grupeve parlamentare?
Për mendimin tim, por besoj edhe për mendimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, apo më saktë, të grupit të saj parlamentar, nga dita e djeshme, reforma në drejtësi ka përfunduar. Themi se ka përfunduar, pasi kjo ka qenë ajo që ne kemi pritur. Kemi pritur fjalën përfundimtare të Komisionit të Venecias, që u dha përpara dy muajsh dhe kemi pritur fjalën përfundimtare të ekspertëve të EURALIUS-it dhe të OPDAT-it për disa çështje, që nuk ishin shteruar në mënyrë të plotë nga Komisioni i Venecias apo që përbënin diferenca midis palëve.
Kështu që nga dita e djeshme, me dorëzimin e opinioneve përfundimtar edhe të ekspertëve të EURALIUS-it dhe të OPDAT-it, besoj se gjithçka ka përfunduar dhe grupi parlamentar i LSI-së, është bërë gati për ta votuar këtë variant dhe këtë reformë nga dje, jo nga sot, aq më tepër nga e hëna.
Z. Meta ju dje u shprehët se do të nxisni partitë politike, apo në rastin konkret opozitën që deri tani nuk ka qenë dakord me një pjesë edhe të Raportit ë Komisionit të Venecias. Ka patur negociata apo do të ketë negociata mes jush apo të eksponentëve të LSI?
LSI edhe unë personalisht kemi punuar që reforma të përfshinte sa më shumë aktorë, jo vetëm opozitës padyshim, por edhe shumë aktorë të tjerë dhe besoj se gjithëpërfshirja ka qenë një dimension i padiskutueshëm i këtij debati dhe i kësaj reforme. Tani ne mund të vazhdojmë debatet edhe për shumë vite të tjera, por jemi të ndërgjegjshëm që çdo minutë që kalon është kundër nesh, është kundërproduktive dhe rrezikon progresin e mëtejshëm të axhendës tonë në raport me Bashkimin Evropian.
Në radhë të parë, arritjen e një rekomandimi sa më shpejt për çeljen e negociatave midis Shqipërisë dhe BE-së, këto mesazhe janë bërë tepër të qarta, edhe nga përfaqësuesja e BE-së, znj. Mogherini që vizitoi Tiranën, edhe nga z. Hahn, komisioneri për çështjet e zgjerimit. Kështu që në këtë drejtim absolutisht mendoj që tani duhet të ecim drejt procedurave parlamentare për të votuar këtë reformë.
Natyrshmit është e drejta e opozitës të kërkojë disa ditë më shumë, por unë nuk kam asnjë arsye që të paragjykoj dhe të vë në diskutim vullnetin e tyre për të mbështetur këtë reformë pasi ata kanë thënë që do ta votojnë këtë reformë. Megjithatë, unë mund të them edhe një herë tjetër që për grupin parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim votimi ka filluar që nga dje dhe në çdo moment do të kërkohet votimi, votat tona do të jenë për këtë variant përfundimtar të draftit të paketës kushtetuese që mbështetet nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT.
Presidenti Nishani ka nisur konsultimet lidhur me dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese po ashtu dhe ne Gjykatën e Lartë. Po ashtu ka shpallur edhe listë. Presidenti është shprehur se kushtetuta nuk duhet shkelur dhe nuk duhet anashkaluar në asnjë moment. LSI në këto momente kur pritet Reforma në Drejtësi, sipas jush duhet të votohen përpara miratimi të reformës dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe një në Gjykatën e Lartë?
Jam i bindur që prioriteti kryesor është votimi i ndryshimeve kushtetuese, pasi çdo çështje tjetër mendoj se është e diskutueshme dhe duhet parë në këtë kuadër. Megjithatë kjo është një pyetje që ndoshta edhe përgjigjen më të mirë mund ta jepte z. Vasili si kryetari i grupit parlamentar të LSI.
Sigal