Elida BUÇPAPAJ/ Mazhoranca dhe opozita në unison

539
Sigal

Mazhoranca dhe opozita janë në unison. Sado absurd që të duket ky fakt, kur ke para sysh se si bëhen mish për qofte në Kuvendin e Shqipërisë, se si e poshtrojnë pala palën, me fjalët më të pështira, më të ndyra që i kanë zili horrat e horrave me gjithë zhargonin e tyre të rrugëve. Mazhoranca dhe Opozita janë në unison. Sepse e bojkotuan të dyja palët ligjin e ri për KLD – që kërkonte një votim me të paktën 84 vota. E keni dëgjuar ju premierin e Shqipërisë si krenohet me 1 milionë votuesit e 23 qershorit. Ku i kishte dje?  Ku i kishte kryeministri i Shqipërisë deputetët kur dje dështoi votimi i ligjit për reformën në drejtësi? Ku ishte Tom Doshi, Armando Prenga, Pjerin Ndreu, Parid Cara dhe Mark Frroku? Në ditëlindjen e Mark Frrokut? Si ndihet premieri i Shqipërisë kur deputetët e PS tallen me të kësisoj?! Sepse Tom Doshi vetë i pestë a nuk e diskreditoi dje Edi Ramën?  Ndihet sot mirë premieri i Shqipërisë pas sfidës të djeshme, kur Tom Doshi ia hodhi dorashkën turinjve? Do ta kalojë si pa u vënë re këtë skandal të deputetëve të tij Edi Rama? Cila është përgjigjia që kryeministri i Shqipërisë i jep popullit shqiptar, kur deputetët e mazhorancës, që e kanë votuar atë në postin e kryeqeveritarit, e nëpërkëmbin, e poshtrojnë dhe nuk përmbushin një detyrim as si shumicë dhe as si deputetë të PS? Kur nga të gjitha anët bien kambanat e alarmit.

 Apo kjo është lojë dhe inskenim i Edi Ramës?! Të gjithë kemi të drejtë ta çojmë në mendje, sepse ne e dimë se Edi Rama është autoritarist në parti, ashtu si edhe Berisha dhe nuk lejon asnjë mizë të fluturojë pa lejen e tij?
Por, ndërkohë, anën e Tom Doshit, Armando Prengës, Pjerin Ndreut, Parid Carës dhe Mark Frrokut kishte marrë edhe opozita, për një kinse arsye tjetër, se gjoja i paska mbetur hatri nga regjimi i urryer i Edi Ramës që ka eleminuar demokracinë në Parlamentin e Shqipërisë, ku kryeparlamentar është Ilir Meta, një aleat i vjetër i PD, me të cilin opozita në një simbiozë perfekte drejtoi vendin për katër vite?! Po kujt ia hidhni këto. Popullit shqiptar?  Po a e kanë matur Koeficientin e Inteligjencies deputetët e Kuvendit të Shqipërisë? Se sa lë për të dëshiruar? Prandaj them se shumica dhe pakica janë në unison, ashtu si kanë qenë gjithnjë bashkë në të gjitha të ligat që i kanë ndodhur Shqipërisë, vetëm për faj të tyre.  Dhe nëse Shqipëria vazhdon të hiqet zvarrë me një sistem totalisht të dështuar, kjo i dedikohet unisonit PD-PS. Ligji për KLD do të rivotohet javën që vjen. Ilir Meta ka lajmëruar se PD ka nisur parakohe pushimet verore, ndërsa Ambasadori i SHBA Aleksandër Arvizu është takuar me disa deputetë të PD-së, të cilëve u ka nënvizuar faktin e njohur se reforma në Gjyqësor është imperative dhe për realizimin e saj duhet gjithpërfshirje. “Ne ramë dakord që reforma është një nevojë urgjente për vendin,” u shpreh Arvizu pas takimit. Të njëjtën gjë e pohojnë si PD edhe PS sa për demagogji, por kur vjen puna për reforma bojkotojnë. Dhe bojkotojnë në unison. Në mënyrën më perfide të mundëshme. Bojkotojnë pesë deputetë të PS dhe gjithë opozita.  Dhe kështu ka 23 vjet që nuk ndal kjo lojë me duar të pista, duke e lenë vendin të mbetet peng i oligarkëve të politikës dhe mafies. Unë do të doja të ndihesha e sfiduar e javën që vjen ky ligj të votohet prej shumicës. Por nëse Edi Rama nuk do të jetë në gjendje që të ketë ndikim tek deputetët e tij, ai duhet të mendojë ta çojë vendin në zgjedhje të reja, ku si kusht i nevojshëm dhe domosdoshëm duhet të vihet integriteti i deputetëve, të cilët duhet të votohen me një sistem që i krijon mundësi të plotë konkurencës së lirë dhe i heq kreut të partisë të drejtën uzurpuese që të vendosë ai se cilët do të jenë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.