Eduard HALIMI, Ministër i Drejtësisë / Dixhitalizimi i Drejtësisë ul burokracinë dhe redukton korrupsionin

627
Sigal

Inaugurohet në Durrës  nga ministri i Drejtësisë  sistemi dixhital “One stop shop” për noterët

Pas implementimit të suksesshëm në Tiranë, sigurisht që, Durrësi do të ishte stacioni i parë dhe kam kënaqësinë që në këto ditë të veçanta për gjithë kombin, t’i themi, qytetarëve të Durrësit se ne e mbajmë fjalën. Pak ditë më parë Kryeministri do të thoshte në mbledhje grupi parlamentar, se “në një takim që kishte patur me disa kolegë perëndimorë, ata po i krenoheshin me reformat që po ndërmerrnin në dixhitalizmin  e noterisë dhe ata ishin habitur kur ai u kishte thënë se, “One stop shop për noterët” ishte aplikuar disa muaj më parë në Shqipëri.”  Ndaj dhe premtimi që ne u bëmë qytetarëve të Tiranës Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, një vit më parë për sistemet dixhitale në drejtësi, ishin reale, dhe ne e mbajtëm fjalën. Reforma e dixhitalizimit të noterisë, dhe sistemi “ONE STOP SHOP” për Noterët, është një nga reformat më thelbësore dhe e rëndësishme e Ministrisë së Drejtësisë në këtë vit, me qëllim dhe vizion të përcaktuar qartë: konsolidimin e drejtësisë në vend, por edhe përmirësimin e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të shpejta, cilësore dhe efektive. Dixhitalizimi i sistemit të noterisë që kemi filluar ka të bëjë me dy aspekte: e para me aksesin on-line të noterit me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për marrjen e informacioneve dhe e dyta, me dixhitalizimin e regjistrave noterialë dhe krijimin e një regjistri unik dixhital të noterëve në të gjithë Shqipërinë. Sot  për të kryer një transaksion, qytetarët e qarkut të Durrësit, blerësi dhe shitësi, para se të shkojnë te noteri duhet të kryejnë disa veprime me radhë. Shitësi duhet të shkojë te ZRPP-ja të rifreskojë aktin e tij të pronësisë. Pasi ka vajtur dhe ka bërë kërkesën te ZRPP-ja i duhet të presë edhe rifreskimin, por do të kalojë edhe dy hapa të tjerë, të cilët, në tërësinë e tyre, përbëjnë një afat jo më pak se 10 ditë. Më pas duhet  të paraqitet te noteri, ku do të nënshkruajë kontratën dhe do të kryejë edhe pagesat respektive. Blerësi do të paraqitet në një moment tjetër në ZRPP, ky do të jetë hapi i katërt, ku do të bëjë një kërkesë për të regjistruar pasurinë dhe, në rastin më të mirë, blerësi do të marrë nga ZRPP-ja, në ditën e 25-të të veprimeve të tij, në tentativën për të blerë një pasuri të paluajtshme, një vërtetim pronësie. Pak minuta më parë, ekspertët  lançuan sistemin e ri, unik në rajon, sipas së cilit realizimi i “One stop shop” për noterët”, do të mundësojë kryerjen e veprimeve online, vetëm me 2 hapa dhe vetëm për 6-10 ditë, dhe qytetarët do të marrin vërtetimin e pronësisë, dpd nga noteri, pa qenë nevoja të dinë se ku bie zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ky sistem shkon bashkë me reformën tjetër për hapjen e zyrave noteriale edhe në disa bashki të tjera të qarkut, në mënyre që qytetarët mos nisen nga Manza apo Sukthi për të kryer një prokurë noteriale, për të kryer një veprim, apo për të verifikuar pasurinë, por mjafton të paraqiten në një zyrë noteriale dhe aty do marrin shërbimet e duhura në pak minuta. Kjo reformë  paraqet në mënyrë të dukshme disa avantazhe:

– Shkurton kohën e hartimit të një kontrate;

– Shmang çdo mundësi korrupsioni dhe burokracie pranë administratës publike ;

– Por mbi të gjitha, krijon sigurinë dhe besimin e munguar gjer më sot, në transaksionin që kryhet, jo vetëm se i gjithë procesi përqendrohet në duart e një profesionisti, por edhe për shkak të transparencës dhe sigurisë që ofron verifikimi on-line.

Do të jetë noteri që do të përqendrojë të gjitha veprimet në zyrën e tij,

– verifikimin e pasurisë që do kryhet transaksioni,

– do të sigurojë garancinë e veprimit në regjistrin e pasurive,

– do të garantojë sigurinë e transaksionit financiar nëpërmjet llogarisë bankare,

– do të sigurojë vërtetësinë e aktit të pronësisë që do të marrë blerësi, duke bërë që të gjithë qytetarët ta bëjnë gjumin e qetë.

Çdo veprim për çdo transaksion do të kryhet tek noteri, në “one stop shop”, duke paguar edhe tatimet, edhe në favor të shtetit, edhe në favor të shitësit apo investitorit, edhe në favor të pushtetit lokal për taksat, duke i dhënë fund fiktivitetit, por edhe duke garantuar qytetarët. Kjo reformë shkon për qytetarët, po aq sa shkon edhe për noterët, shkon për qytetarët, po aq sa shkon për biznesin, shkon për qytetarët po aq sa shkon dhe për sistemin fiskal. Sistemi i përpunimit të automatizuar  të  të dhënave që jemi duke ndërtuar me bazë ONE STOP SHOP PËR NOTERËT, është sistem me tre fitues, qytetarët, biznesin dhe shtetin fiskal, i njohur ndryshe si tree vvin. Qytetarët do të paguajnë shumë më pak duke e marrë shërbimin në pak minuta. Një verifikim pasurie apo kartele që deri më sot kushton 1.5 mijë lekë, mund ta marrë vetëm për 400 lekë tek noteri dhe vetëm për pak minuta. Nga nesër në këtë sistem, në pasuritë e qarkut Durrës do të ketë akses on-line edhe ILDK, sepse ata mund të kërkojnë on-line të gjitha pasuritë e zyrtarëve. Do të këtë akses prokuroria për të hetuar pasuritë dhe veprimet, në mënyrë që të nxiten hetimet proaktive. Do të kenë akses, pastrimi i parave dhe tatimet, në mënyrë që askush të mos i shmanget detyrimeve fiskale të vendit.  Ne kemi diskutuar dhe me bankat që edhe ato të kenë të drejtën e aksesit që qytetarët apo biznesi të mos paguajnë para shtesë për këto shërbime. Kjo reformë qe po shtrihet sot në Durrës, prezanton jo vetëm shërbim cilësor, por mbi të gjitha shërbim të shpejtë në kohë.  Ne shkurtojmë në mënyrë të ndjeshme kohën për qytetarin e thjeshtë, por edhe për biznesin duke i dhënë respektin e duhur kohës së secilit prej tyre.  Në këtë mënyrë ne nxisim transaksionet, i bëjmë ato më transparente e më të sigurta dhe i kthejmë në mjet nxitës të zhvillimit ekonomik të vendit. Ndërtimi në Durrës ka një rëndësi të veçantë si biznes dhe dixhitalizimi i kësaj zyre dhe sistemi “one stop shop”, i jep një vlerë të madhe procesit. Me këtë sistem qytetarët do të jenë më të mbrojtur duke e ndjekur procesin që në momentin e hapjes së themeleve deri në momentin e përfundimit të objektit, dhe sistemi i kryqëzuar do të japë mundësi, jo vetëm që ndërtuesit të mos i shesin nga 2 herë pasuritë, por edhe që të garantojnë qytetarët që të mos flenë me ëndrra natën. Ky sistem garanton qytetarët se histori të tilla ku paguanin para për të blerë një apartament dhe pastaj shitësi largohej duke e lënë me plot probleme blerësin nuk do të ndodhin më. Shitësi do ti marrë paratë nga noteri, vetëm kur të marrë certifikatën e pronësisë, dhe kjo është garanci nga noteri për këtë proces. Kur në Parlament kaluam këtë reformë, disa nga kolegët gjatë diskutimeve ishin kundër sepse thonin: Se si po i’a jep gjithë këtë pushtet noterëve!!!. Unë kisha besim dhe besimi nuk iku dëm. Në sistemin pilot në Tiranë noterët e justifikuan plotësisht besimin ndaj dhe ne po e shtrijmë në gjithë vendin.  Shumë qytetarë më dërgojnë sms apo ankime on-line dhe ankohen për shërbimet e kësaj zyre. Unë kam kënaqësi ta them se nga sot kjo zyrë do këtë me pak qytetarë. Me punën e saj, të drejtuesve të saj, kryeregjistruesit arritën të dixhitalizojnë arkivën dhe të shmangin radhët, shqetësimet. Unë jam i bindur se shmangia e kontaktit të qytetarit me zyrtarin, jo vetëm ndihmon qytetarin sepse i shkurton kohën por  na ndihmon edhe neve, edhe për uljen e burokracisë si dhe reduktimin e korrupsionit.