Dr. Ina K. Zhupa: Xhon Kerri në Tiranë

609
Ditën e dielë në Tiranë erdhi Xhon Kerri, Sekretari Amerikan i Shtetit. Një vizitë historike për nga rëndësia e nivelit të përfaqësimit, por edhe për nga vendi nga vjen. SHBA ka qenë përherë partner strategjik i vendit tonë gjatë gjithë rrjedhës së historisë. Marrëdhëniet me SHBA kanë qenë përherë pika e fuqisë së Shqipërisë, sepse ka qenë mbështetësja e madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në vendosjen e sistemit demokratik dhe me rivendosjen e marrëdhënieve kanë nisur edhe vizitat dypalëshe, që kulmohen me vizitën e presidentit amerikan Xhorxh W. Bush në Tiranë për të takuar kryeministrin Berisha, në 10 qershor 2007. Xhon Kerri ditën e dielë takoi presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha. 

Çfarë të lexojmë nga një vizitë e tillë në Tiranën zyrtare?
Së pari, vizita është në 25-vjetorin e rivendosjeve të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri për të treguar se kjo marrëdhënie do jetë e shëndoshë dhe e fuqishme edhe në vazhdim. Pavarësisht që kohët e fundit qeveria shqiptare e Edi Ramës ka dalë kundër qëndrimeve amerikane, si në votën e saj pro Palestinës në OKB, si në një premtim të shpejtuar dhe më pas të tërhequr për armët kimike, SHBA vazhdon mbështetjen e saj ndaj shqiptarëve. Në këto 25 vite meritat e SHBA janë të shumta në lidhje me shqiptarët. Anëtarësimi ynë në NATO kishte mbështetje të fortë të SHBA-së dhe sot ne, si anëtarë të saj gëzojmë partneritet me SHBA. Po ashtu Kosova ka qenë një çështje përherë e mbështetur dhe e mbajtur në axhendën ndërkombëtare nga SHBA që ka qenë në anën e shqiptarëve. Vullneti politik i qeverisë shqiptare duhet të vazhdoj të jetë i palëkundur drejt partneritetit strategjik me SHBA dhe të mos ketë ngjarje që vënë në dyshim këtë partneritet. Mesazhi i vizitës ishte i qartë, se ata janë në krahun tonë dhe do të vazhdojnë të jenë kështu.

Së dyti, SHBA është motori i përhapjes dhe përkrahjes së demokracisë në botë. Dhe në Shqipëri ka qenë gjithmonë në anën e demokratizimit dhe demokracisë. Asnjë shenjë oligarkie dhe dëshirë për pushtet të pakufizuar të qeverive nuk do të jetë asnjëherë e mbështetur dhe e pranuar nga partneri ynë strategjik. Sekretari i Shtetit Xhon Kerri do të shprehej në Mynih, në shkurt 2014, që në vendet e Ballkanit (ku bën pjesë edhe Shqipëria) “aspiratat e qytetarëve po rrezikohen nga korrupsioni, nga interesa oligarkike, interesa të cilat përdorin paratë për të mbytur opozitën politike dhe kundërshtarët, për të blerë politikanë dhe mediat, për të dobësuar sistemin gjyqësor dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”. Demokracia është aty ku qytetari ndodhet në qendër dhe gëzon të drejtat e tij në çdo kohë dhe shteti nuk merr asnjëherë guximin që ti shkel ato. Opozita e një vendi është garanti i demokracisë. Parlamenti duhet të jetë me përfaqësues të denjë të shqiptarëve dhe vlerave të tyre për të punuar me mend me zemër në lidhje me interesat e tyre. Kështu që një parlament që mban jashtë të inkriminuarit ka qenë vullnet amerikan dhe u shpreh qartë edhe nga goja e sekretarit amerikan të shtetit Xhon Kerri. Takimi me liderin e opozitës Lulzim Bashën është edhe një mesazh i fortë për këtë nevojë për demokracinë dhe mbështetjen e opozitës si mbështetje ndaj demokracisë. Por edhe për nevojën që reformat e përbashkëta të jenë me opozitën në krah, siç edhe ishte vetë Xhon Kerri. Ai tha vlerësimin e tij për dekriminalizmin që është edhe një nga betejat e fituara të opozitës.

Së treti, vullneti i Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi është treguar nga ambasadori amerikan Donald Lu dhe ishte një mesazhi i qartë nga Sekretari i Shtetit që nuk do të tejkalohet dot nga politika shqiptare me vizitën e Xhon Kerrit. Ashtu siç duket direkt me qasjen e Ramës për t’i thënë që do ta kryejmë deri në mars. Po ashtu kjo reformë mbështetet që të jetë për një drejtësi të pavarur nga kushdo që është në pushtet, demokrat apo socialist. Sepse në fund të fundit sistemi amerikan është sistemi promovues i sistemit check and balance, të kontrollit dhe balancimit mes tre pushteteve dhe nuk është në modelin e tyre asnjë sistem që e anashkalon këtë parim. Një Byro Kombëtare e Hetimit e pavarur dhe e karakterizuar nga profesionalizmi që heton pa dallime korrupsionin dhe krimin është mbështetje e pakufizuar e SHBA-ve dhe që vizita e Sekretarit Amerikan do ta përçojë më tej.
Së fundi, roli i Shqipërisë, por mbi të gjitha mbështetja e SHBA-së në lidhje me Kosovën është një mesazh që u përçua nga Sekretari Amerikan i Shtetit. Pavarësisht dështimeve në arenën ndërkombëtare që ka pasur Shqipëria si avokate e çështjes së Kosovës, kohët e fundit në UNESCO apo në Këshillin e Europës, ajo vazhdon të ketë vullnetin që të jetë mbështetëse. Ndoshta nëse busulla e drejtimit kthehet 100% drejt SHBA-së dhe nuk ka paqartësi në partneritetet strategjike të qeverisë shqiptare atëherë do fillohen të korren sukseset edhe në këtë çështje. SHBA dhe Shqipëria nuk kanë të njëjtën pozitë në arenën ndërkombëtare dhe të kesh mbështetjen e tyre dhe të konsiderohesh partner nga kjo fuqi e madhe është me shumë rëndësi. E gjithë elita politike shqiptare duhet të ketë vëmendjen që mesazhet amerikane t’i dëgjoj me veshët e duhur, t’i flas me gjuhën e duhur dhe t’i transmetoj me moralin e duhur. 
Sigal