Disa fakte të hidhura për shkollat tona të larta

873
Bardhyl Berberi 

Arsimi, në përgjithësi, dhe ai universitar, në veçanti, është një çështje shumë serioze, që këto vitet e demokracisë po vuan së tepërmi sa nga reformat gjysmake që po bëhen në këtë sistem po aq dhe nga korrupsioni që shfaqet në formën e një epidemie të përgjithshme. Le ta fillojmë me themelimin e universiteteve, në të cilat me vite të tëra nuk është ditur se ku mbahen dhe si mbahen ligjëratat, si paguhen profesorët , e deri te kulmi i gjithë kësaj kur dikush vendos “të krijohet” universitet pa profesorë, pa studentë?! Nëpër kioska apo apartamente banimi. A nuk është edhe ky një paradoks?! Po ashtu, ç’të themi për mënyrat e pranimit të studentëve, me qëllim që fakultetet të ekzistojnë ekonomikisht, pra të kenë numra studentësh pa asnjë kriter cilësie ?! Po e them me gjysmë-zëri se nuk dua ta prek temën , se a ekziston apo jo ryshfeti, por e them me plot bindje se kemi profesorë të “profesionalizuar” që kanë tema të gatshme për kandidatët për magjistraturë dhe doktoratë. Nga shkollat,tona universitare, sot mund të gjeni doktor shkencash që nuk njeh asnjë program kompjuteri dhe nuk nis dot një email, një shofer taksie bëhet drejtor shkolle apo, një teknik ndërtimi shef i burimeve njerëzore në shëndetësi . A nuk është kjo një lloj anomalie skandaloze. Problemi i shkollave të larta gjithsesi është një çështje e ndërlikuar, për ne shqiptarët. Roli themelor i universitetit është që t’u mundësojë studentëve të mësojnë nga trashëgimia kulturore dhe traditat e vendit të tyre, e cila i ndihmon të kuptojnë aftësitë intelektuale të tyre dhe modelimin e problemeve shoqërore dhe zgjidhjen e tyre për të ndjekur zhvillimin dinamik që pëson shoqëria. Të gjitha universitetet shqiptare trashëgojnë nga rrethanat e kohës në të cilën janë krijuar një sërë problemesh . Nuk duhet harruar fakti se koha e pranisë sundimit të ideologjisë komuniste ka ikur, por ajo ka lënë gjurmë prandaj gjatë 27 viteve demokraci shkollat në Shqipëri kanë pasur shumë oshilacione. Vërtet nuk ka shkolla më idologjinë komunsite në bosht, por kanë lindur probleme të tjera, duke filluar që nga kuadri që zgjidhet për të dhënë mësim nëpër Universitete. Anglezët kanë një shprehje: “Mësuesi dhe doktori i ardhshëm përzgjidhet që në ciklin e ulët.” Nuk mund të japin mësim në Universitet alabakë dhe perversë. Ka disa universitete private që i trajtojnë studentët si klientë e jo si studentë. Një pjesë prej tyre janë kthyer si shkollat e partisë qëmoti, që kalojnë të gjithë. Edhe nëse mund të ngelin dikë në sezonin e parë ndonjë student që e ka bërë baltë, në sezonin e vjeshtës ai kalohet se pronarit të Universitetit i duhen ato 2500 apo 3000 euro që ia vjel studentit. Si shpjegohet që shumë profesorë universiteti kanë rreth vetes sekserë ata që i mbajnë afër dhe bëjnë tenderin student-pedagog. T’ju sjell një fakt domethënës: Ka qindra pallate dhe dhjetëra vila të blera nga profesorë universiteti në bregun e liqenit në Pogradec. Më tha një ndërtues se në pallatin që sapo ka ngritur nga 30 hyrje 20 janë profesorë universiteti nga Tirana, Elbasani …Me çfarë i blenë këto shtëpi të dyta këta profesorë dhe doktorë kur mesatarisht njëra prej tyre kushton 50 deri në 60 mijë euro përveç kompletimit. Vetura të shtrenjta dhe aksesorë të tjerë luksi, si skafe etj. Profesorë universiteti që kanë blerë shtëpi në Pogradec janë me qindra, po në Vlorë e Durrës! E gjithë kjo bëhet në kurriz të atyre prindërve të varfër që kanë fëmijët studentë që marrin kredi për të blerë provimet e fëmijëve të tyre nga këta “vampirë” nëpër shkollat e larta. Nuk dua t’i fut të gjithë në këtë thes, por pjesa dërrmuese e bën baltë me dallavere dhe korrupsion. Përvoja universitare në Evropë tregon se dukuri e përgjithshme në shekullin e njëzetë ishte shtimi i numrit të nxënësve dhe studentëve në të gjitha nivelet. Arsimimi i nivelit të dytë – shkollat e mesme dhe kolegjet – bëhet i përgjithshëm dhe përmes tij forcohet vetëdija për rëndësinë e arsimimit të lartë. Po tek ne… ?
Sigal