Dezinformimi rus: Një kërcënim serioz ndërkombëtar

Nga Frank SHKRELI*
Kohët e fundit, mediet amerikane dhe evropiane kanë shkruar dhe komentuar me shqetësim duke dhënë alarmin mbi përpjekjet e Rusisë së Presidentit Putin për të përhapur lajme të rrejshme anë e mbanë botës, me qëllim për të avancuar agjendat e politikave të Kremlinit. “ Desinformation”, sipas fjalorit të Websterit, është informacion fals që ka për qëllim të çorientojë, ose për të futur në rrugë të gabuar, veçanërisht i refererohet propagandës së përhapur nga një ent qeveritar kundër një shteti, një fuqie kundërshtare ose medies. Këtij shqetësimi publik në rritje e sipër në medien perëndimore, i janë bashkuar edhe ente qeveritare dhe joqeveritare në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë. Një prej këtyre enteve është edhe Kongresi Amerikan. 
Javën që kaloi, Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara, organizoi një forum ose një sesion dëgjimi për të diskutuar dezinformimin rus, -- përhapjen e lajmeve të rreme – fenomen ky të cilin ekspertët e cilësuan si kërcënimin më të madh ndërkombëtar, kërcënim që bën të mundur dhe justifikon agresionin nga ana e Rusisë, si brenda vendit ashtu edhe në mbarë rajonin e 57 vendeve anëtare të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, (OSBE-së). Komisioni i Kongresit amerikan u shpreh se dezinformimi rus, me anë të përhapjes së lajmeve të rrejshme, i shërben interesave strategjike ruse të regjimit të Putinit, duke shkelur rëndë normat dhe standardet e përcaktuara të OSBE-së, duke filluar nga abuzimet me të drejtat bazë të njeriut brenda Rusisë e deri tek ndërhyrjet ushtarake në vendet fqinje si dhe ndërhyrjet ruse në zgjedhjet elektorale në disa vende, thuhet në njoftimin e Komisionit Amerikan të Helsinkit. Në lidhje me ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet elektorale, Fondi Marshall Gjerman njofton se ka dokumentuar ndërhyrjen ruse në zgjedhje ose në punët politike të të pakën 27-shteteve, duke filluar nga viti 2004 e këtej, nëpërmjet fushatave dhe sulmeve kibernetike në rrjetet më të njohura sociale botërore.
Në fjalën e hapjes së sesionit në Kongresin amerikan mbi këtë çështje – ku morën pjesë senatorë dhe kongresmenë nga të dy partitë politike kryesore të vendit --theksohet në njoftimin për medien, se Senatori republikan i shtetit Kolorado, Kori Gardner nënvizoi kërcënimin serioz që paraqet përhapja e lajmeve të rrejshme nga Rusia ndaj rendit liberal politik ndërkombëtar dhe nënvizoi se si masat dezinformuese të ndërmarra nga Rusia, “Minojnë sigurinë dhe shkelin të drejtat e njeriut të popujve në rajonin e vendeve anëtare të OSBE-së, objektivi i Rusisë nëpërmjet kësaj fushate”, shtoi senatori amerikan, “Është që të përhapë frikën, të shkaktojë mosmarrëveshje dhe keqkuptime midis palëve, me qëllim për të minuar institucionet demokratike dhe për të dobësuar institucionet politike dhe aleancat jetike Perëndimore, siç janë NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.” Ndërsa, kolegu i tij, Senatori demokrat i shtetit Mariland, Ben Kardin, vuri në dukje fushatën ruse të dezinformimit, në lidhje me agresionin rus në Krime dhe në rajonin Donbas, duke theksuar gjithashtu përpjekjet ruse për të influencuar zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Amerikë, duke nënvizuar se fushata të tilla ndërmirren duke përdorur dhe duke përfituar nga institucionet tona demokratike të hapura, me qëllim për të avancuar agjendat strategjike të Rusisë. Ndërkaq, bashkryetari i Komisionit të Helsinkit, Kongresisti republikan Kris Smith i shtetit Nju Xherzi – i njohur si mbrojtës i vendosur i të drejtave të njeriut anë e mbanë botës -- i karakterizoi përpjekjet ruse të dezinformimit, si pjesë e një strategjie ruse të një “lufte hibride” që duhet të përballohet nga Shtetet e Bashkuara dhe nga aleatët e tyre, duke përdorur një strategji të një “mbrojtjeje hibride”, kundër dezinformimit aktiv të Rusisë.
Në sesjonin e Kongresit amerikan, javën e kaluar, mbi këtë temë, ishte i ftuar edhe Xhon Lansing, Drejtori i Bordit të Transmetimeve të SHBA, (BBG), kreu i agjencisë që ka nën mbikëqyrje Zërin e Amerikës, Radion Evropa e Lirë dhe transmetues të tjerë qeveritarë. Z. Lansing në dëshminë e tij para anëtarëve të Kongresit bëri një paraqitje të strukturave dhe të veprimtarisë transmetuese të enteve nen mbikëqyrjen e tij, si dhe rolin shpjegoi rolin që ato luajnë në neutralizimin e përpjekjeve ruse të dezinformimit. “Strategjia ruse” -- tha përgjegjësi për transmetimin e programeve amerikane anë e mbanë botës --“përpiqet të shkatërrojë thelbin e vet idesë të ekzistencës së fakteve dhe objektivitetit. BBG-ja po i përshtatet sfidës së re duke u ofruar audiencave anë e mbanë botës një alternativë ndaj dezinformimit rus, me informacione dhe lajme objektive, të pavarura dhe profesionale”, u tha ai ligjvënësve amerikanë.
Ndërsa Molly McKew, Drejtoreshë e “Fianna Strategies” i tha Kongresit se fushata e dezinformimit nga ana e Rusisë, “Është thelbi i një lufte që shteti rus ka ndërmarrë kundër Perëndimit në përgjithësi dhe kundër Shteteve të Bashkuara në veçanti.” Ajo u foli ligjvënësve amerikanë mbi nevojën për një përgjigje të bashkërenduar mire ndaj kësaj fushate ruse, nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe nga aleatët e tyre, ndërsa propozoi që ushtria amerikane të luaj një rol më të madh për të kundërshtuar përpjekjet ruse të dezinformimit.
Melissa Hooper, Drejtoresha e “Human Rights and Civil Society Programs at Human Rights First”, i tha Kongresit se dezinformimi në fushën medietike, është vetëm një prej metodave që përdor Moska për realizimin e agjendës së saj në nivel ndërkombëtar. Dezinformimi i Rusisë, shtoi ajo, “Është pjesë e përpjekjeje të koordinuara mirë, me qëllim që të ndërpriten dhe të sulmohen normat liberale të demokracisë perëndimore kudo që paraqitet mundësia, duke përdorur influencën e saj ekonomike, ndërprerjen e zgjedhjeve dhe dobësimin e institucioneve shumëpalëshe perëndimore.” Ajo veçanërisht theksoi rëndësinë e zgjedhjeve në Gjermani më 24 shtator dhe mundësinë që përpjekjet ruse të dezinformimit, të influencojnë rezultatin përfundimtar të tyre.
Sesioni në Kongresin e Shteteve të Bashkuara mbi përpjekjet ruse të dezinformimit në mbarë botën sidomos në rrjetet kryesore sociale, u mbyll me një paralajmërim të fortë nga Senatorja Xhinë Shahinë e shtetit Nju Hampshër. “Unë besoj”, u shprehej ajo, “se dezinformimi rus është një prej kërcënimeve më të mëdha me të cilën përballet sot demokracia jonë. Ky është një kërcënim ndaj themeleve të vet demokracisë amerikane. Dhe kjo nuk ka asgjë të bëjë me republikanë ose me demokratë.
Ekspertët diskutuan gjithashtu edhe për efikasitetin e kundërmasave të marra nga Shtetet e Bashkuara ndaj dezinformimit rus, në platforma të ndryshme, përfshirë rrjetet sociale. Dhe nëse burimet aktuale buxhetore janë të mjaftueshme për t’u përballur me këtë kërcënim serioz ndaj rendit demokratik dhe nëse është i mjaftueshëm bashkëpunimi aktual në luftën kundër manipulimit rus të rrjeteve sociale brenda vet qeverisë së Shteteve të Bashkuara, përfshirë Departamentin Amerikan të Shtetit, Departamentin e Mbrojtjes dhe USAID-i, por edhe nëse bashkërendimi me aleatët e Amerikës në Evropë, është i mjaftueshëm.
Senatori republikan i shtetit Kolorado, Kori Gardner – duke venë në dukje seriozitetin e situatës së krijuar nga përhapja e lajmeve të fals nga Moska – bëri në fund të forumit një paralajmërimin se, “Objektivi përfundimtar i përpjekjeve për dezinformim nga ana e regjimit rus të Putinit, është për të zëvendësuar rendin aktual botëror të udhëhequr nga Perëndimi –d m th, rendit ligjor dhe institucioneve perëndimore -- me një rend të udhëhequr nga autoritarët, që kërkojnë nënshtrim të verbër e pa kundërshtim ndaj pushtetit autoritar të tyre”.

*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë