“Ka patur urrejtje ndaj të atit”, si i përgjigjet Fatos Lubonja deklaratave të Ismail Kadaresë

619
Në intervistën e dhënë për gazetaren Eni Vasili në emisionin “Studio e Hapur”, shkrimtari Ismail Kadare tha se Fatos Lubonja me dëshminë e tij në gjyq, “ka treguar se ka patur urrejtje ndaj të atit”.
“Ky ka patur vërtet atë që njihet si urrejtje ndaj të atit, siç është e ndërtuar edhe teoria e Frojdit. Unë nuk besoj fort në këtë teori, por kjo përkrahet kudo në botë sot”, u shpreh shkrimtari Kadare.
Në përgjigje të kësaj deklarate, analisti Fatos Lubonja e cilësoi atë “shpifje”.
“Ky e lidh me gjyqin këtë deklaratë. Unë mendoj se nuk urrej njerëzit, pro veset e tyre, të keqen si ves. Por kjo pak rëndësi ka. Në rastin konkret, mua më duhet ta konsideroj këtë një shpifje, një interpretim malinj, të dokumenteve që ka nxjerrë ky me disa të tjerë, të manipuluara”, u shpreh Fatos Lubonja.
Sakaq, Lubonja ka treguar edhe disa letra që ka shkëmbyer me babanë e tij. Ai thotë se në një nga letrat që ia ka dërguar të atit, i ka thënë se “Dajreja” është sëmurë. “Dajre i thonim Enverit”, thotë Fatos Lubonja.
Ai thotë se pikërisht për këtë janë pyetur të dy, edhe Fatosi edhe babai i tij Todi.
“Por duke mos patur mundësi komunikimi, që të binim dakord të thonim të njëjtën gjë, ne thamë gjëra të ndryshme. Babai tha se fjala “dajreja”, ishte në kuptimin është sëmurë daja, por unë nuk dija gjë, dhe e pranova që ishte Enveri. Ndaj ai thotë se kam kundërshtuar babain. Por unë më vonë e ndryshova, sajova një histori tjetër, me idenë që jemi keqkuptuar”, tregoi Lubonja.
Duke iu përgjigjur sërish deklaratave të Kadaresë, analisti Lubonja tha se:
“Kjo është një shpifje e ulët që hyn në marrëdhëniet familjare në mënyrën më skandaloze. Të gjithë ata që e kanë kurdisur këtë bashkë me të, e bëjnë për të denomizuar dhe delegjitmuar kundështarët e tyre”.
Sigal