Besim SHYTI/ Pse heshtet për 70 -vjetorin e Çlirimit?

75

Nëntori po afron, muaji i dritës dhe i çlirimit, muaji i ngjarjeve të mëdha, muaji i fitoreve historike të kombit tonë. Kujtojmë nëntorin e parë të 28 nëntorit 1443, kur heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ngriti flamurin mbi kështjellën e Krujës. Nëntorin e dytë kur plaku i mençur Ismail Qemal Vlora pas 500 vjet robërie e ngriti flamurin me 28 nëntor 1912 në qytetin e Vlorës, për të ardhur në nëntorin e tretë, kur forcat partizane çliruan Shkodrën dhe tërë Shqipërinë nga pushtuesit fashisto-nazistë me 29 nëntor 1944.

Ky vit është jubilar për çlirimin e vendit dhe duhet të merrte një vlerësim të veçantë. U duk se qeveria diçka do bënte kur disa deputetë morën pjesë në 70- vjetorin e Kongresit të Përmetit, por zhurma dhe akuzat e së djathtës sikur e kanë fashitur entuziazmin e qeverisë. Pati edhe nga ata që e quajtën 29 nëntorin ditë të zezë. Këtë deklaratë e kanë bërë ballistët e sotëm dhe unë u jap të drejtë se me 29 nëntor 1944 vdiqën ëndrrat e baballarëve të tyre për pushtet, nën sqetullën e babafashizmit. Në përgjithësi e djathta nuk e ka për zemër Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe përpiqet të hedhë pluhur e baltë mbi të. Nuk e kam as me ballistët as me të djathtën,  se ata atë punë kanë, e kam me qeverinë pse heshti? Mos vallë u tërhoq? Kam diçka edhe me historianët tanë. Më duket se s’po e mbrojnë mirë luftën tonë. Më mirë e vlerësojnë të huajt se sa historianët tanë. E mora iniciativën në këtë shkrim  që të sjell disa vlerësime nga historianë të huaj: Roberto Batalia në librin “Lufta e Dytë Botërore” shkruan:  “Megjithatë, në planin e përgjithshëm është më se e qartë se rezistenca ndaj pushtuesve në vitin 1940 mbeti larg atyre përmasave dhe karakteristikave  të asaj lëvizjeje të gjerë  unike dhe  popullore,që do të shpërthente në vitet më pas.(Libri i cituar fq.209). Dhe vazhdon:  “Shenjat e para të ndryshimeve cilësore u vunë re në Shqipëri,Greqi dhe Jugosllavi, vende këto në të cilat kundërpërgjigja popullore ishte e gjerë, e menjëhershme dhe inkandeshente”. (Shih “Lufta e Dytë Botërore” fq. 210).A s’është një vlerë kjo për vendin tonë? Ai përmend të paren Shqipërinë dhe as Poloninë e as Francën që u pushtua për 24 orë. Shumë pseudo-historianë tani përpiqen të mohojnë meritat e LANÇ-it dhe të ngrenë Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Unë mendoj se autopsinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri e ka bërë Rexhinald Hibert, një nga oficerët e zbulimit anglez, atashuar në Shqipëri gjatë luftës dhe ambasador i Anglisë në Francë pas lufte. Në librin e tij “Fitorja e Hidhur (Lufta Nacionalçlirimtare e Shqipërisë)”, shkruan:  “Kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria ishte një zotërim italian… Kur Jugosllavia u mund dhe u shkatërrua nga Gjermania me 1941, italianët dhe gjermanët qenë në gjendje të mbillnin përçarje, mosmarrëveshje dhe ngatërresa,duke i dhënë Shqipërisë Kosovën dhe trevat e Dibrës në Maqedoni,duke kënaqur kështu aspiratat shqiptare për të ndërtuar Shqipërinë e madhe… e vetmja arsye, e cila, ndoshta, do të mund të ngrinte gjithë popullin shqiptar për të rezistuar me vendosmëri dhe për të përballuar terrorin gjerman, do të ishte pranimi i hapur nga aleatët për ta bërë të përhershme Shqipërinë e Madhe. Kjo ishte e pa konceptueshme  për qeveritë aleate,të cilat kishin angazhime për fqinjët e Shqipërisë”.(“Fitorja e hidhur” fq.22-23).Më shkoqur s’ka se si të thuhet,Shqipëria ishte shitur te fqinjët,ju ishte lënë në dorë atyre. Dhe më tej ai shkruan: “Xhorxh Rendel, ambasadori britanik pranë qeverisë (Jugosllave) në mërgim, kishte thënë që qeveria greke dhe jugosllave duhet të merren vesh së bashku për integritetin dhe pavarësinë e Shqipërisë e të bien dakord që ta vënë nën proteksionin e përbashkët grek dhe jugosllav”.(Libri “Fitorja e hidhur” fq.61). “Me 8 korrik (1941) Pirson Dikson i Departamentit të Jugut ka shënuar: “Ne asnjëherë nuk  e kemi përkrahur çështjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe aq më pak jemi të predispozuar për ta bërë tani”.(“Fitorja e hidhur” fq.62).Pra Shqipëria ishte shitur. Kombi shqiptar duhej ti dilte zot vetes. Po ai donte drejtim,donte udhëheqje. Këtë duhet ta bënin ata që e mbanin veten për baballarë të kombit. Ata të shkretët s’mund ta bënin se hanin bukën e pushtuesit.

Ja çfarë thotë Nuncio del Erba në librin “Storia del Albania” dukë bërë fjalë për pushtimin e Shqipërisë”. Më 7 prill 1939, trupat italiane, të komanduara nga gjenerali Alfredo Guxoni, zbarkuan në Durrës e Vlorë dhe me 8 prill pushtuan Tiranën dhe Elbasanin. Rezistenca shqiptare e dekurajuar nga ikja e Zogut në Greqi, qe mjaft e dobët. Përpjekjet e rastësishme të bëra në Durrës e Tiranë nga një grupim i armatosur, që shkaktoi vdekjen e 8 marinarëve italianë dhe 3 bersalierëve, u mbytën që në fillim. Shpejt trupat italiane pushtuan gati tërë vendin e shkatërruan çdo mundësi për zgjatje të rezistencës, duke e shndërruar Shqipërinë në një shtet vasal. Me 9 prill Musolini ju dha urdhër të prerë Çianos dhe Jakomonit të tentonin që operacioni pushtues italian të çonte në formimin e një qeverie provizore nga e cila të thirrej një Asamble Kushtetuese. Duçja i fashizmit nuk kishte qenë i informuar se pas ikjes së Zogut,ishte krijuar një qeveri provizore pro italiane e kryesuar nga Xhafer Ypi së cilës i përkiste detyra e thirrjes së Asamblesë. Asambleja u thirr me 12 prill dhe ishte e përbërë nga paria kryesore e vendit, gati të gjithë fisnikë e pronarë tokash,dashamirës dhe të interesuar për protektoratin italian. Vendimet më të rëndësishme të aristokracisë themelore shqiptare,qenë ato të kalimit në një qeveri më përfaqësuese (e drejtuar më pas nga Shefqet Vërlaci) dhe afrimi në formën e bashkimit personal të kurorës mbretërore Viktor Emanuelit të III-të. Në fakt duhej të ishte një bashkim personal,por qe një aneksim i thjeshtë dhe i pastër. Me 16 prill 1939,Viktor Emanueli pranoi kurorën,duke siguruar delegatët shqiptarë të caktuar për këtë rast dhe të ardhur në Romë se: “nga sot fatet e Shqipërisë janë të lidhura pazgjidhshmërisht me ato të Italisë”.(“Storia del Albania” fq.13-14 e përkthimit tim). Pra nga 7 prilli u deshën vetëm 9 ditë që baballarët e kombit  t’i dorëzonin fatet e vendit Italisë. Pra Shqipëria ishte shitur para ikjes së Zogut,qeveria pro italiane ishte krijuar nën hundët e mbretit nga suita e tij. Atëherë kush duhej ta merrte iniciativën e luftës për çlirim? Vegjëlia i është gjendur gjithmonë këtij kombi. Sillni në kujtesë kaçakët në kohën e perandorisë osmane. Nga gjiri i vegjëlisë lindi Partia Komuniste. E mirë e keqe është fakt i pamohueshëm. Ajo i mori në dorë fatet e vendit dhe ngriti popullin në luftën për çlirim. Balli Kombëtar dhe Legaliteti erdhën kur lufta kishte filluar, me qëllim të ndalnin marshimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të drejtuar nga komunistët dhe të merrnin pushtetin. Pushtetin donin, ata nuk u digjej barku për popull dhe atdhe. “Partia e Ballit Kombëtar. Nuk duhet menduar se kjo është një parti e organizuar në po atë mënyrë si edhe LANÇ. Ai është një grumbullim i padisiplinuar i njerëzve të veçantë, që i bashkon vetëm urrejtja e tyre kundër komunizmit…Duke i mbajtur sytë hapur,këta njerëz janë rreshtuar me gjermanët kundër LNC.(“Fitorja e hidhur” fq.212). “Problemi imediat që duhej të përballonin britanikët ishte lufta civile. A mund të përshkruhej situata si luftë civile? Nëse po kujt i binte përgjegjësia për këtë? Dhe a mund të bënte Britania për këtë diçka që të kishte efekt real? Autoritetet britanike ishin në ankth për një farë periudhe rreth këtyre çështjeve dhe pastaj  panë se ata i fshiu tej rryma e ngjarjeve. Gjermanët i përcaktuan partizanët  si armikun e tyre;partizanët i angazhuan në luftime gjermanët dhe krerët nacionalistë njëkohësisht, ndërsa njerëzit e zakonshëm për një periudhë të shkurtër por më kulmore,i braktisen udhëheqësit e tyre tradicionalë dhe u bashkuan me partizanët fitimtarë. Britaninë e tërhoqi me vete vala partizane”.(“Fitorja e hidhur” fq.241)

Më poshtë Rexhinald Hibert vazhdon: “Ndërsa lufta po shkonte drejt fundit,Partia Komuniste e Shqipërisë, duke punuar nëpërmjet Lëvizjes Nacionalçlirimtare, qe në gjendje ta bënte veten, të vetmen lëvizje efektive të qëndresës në Shqipëri,në një shkallë të madhe për shkak të hezitimit të nacionalistëve. Këta të fundit këmbëngulnin për ta parë komunizmin sllav si armikun më të madh dhe e binden veten se aleatët perëndimorë do të dëshironin ta mbanin në këmbë Shqipërinë e Madhe. Aleatët, të dhënë pas luftës për të mposhtur Gjermaninë,ndihmuan të vetmen lëvizje aktive të rezistencës, partizanët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të kontrolluar nga Partia Komuniste. Dështimi i nacionalistëve për t’u bashkuar aktivisht me palën fituese,u hapi rrugën komunistëve për të ardhur në pushtet dhe ishte Partia Komuniste me Enver Hoxhën që e rithemeloi  vendin brenda kufijve të vet të vitit 1921. Jugosllavia fqinje, e rithemeluar nga Mareshalli Tito dhe Partia Komuniste e Jugosllavisë,jo vetëm kundërshtoi çfarëdo mendimi për t’i lejuar popullsisë shqiptare të Kosovës e të Dibrës  që të zgjidhnin bashkimin me Shqipërinë,por edhe tregoi shenja se donte që Shqipëria të zgjidhte bashkimin me Jugosllavinë. Ndoshta kjo do të kishte qenë një rrugë e pastër për ta bërë të zhdukej problemi shqiptar,por nuk ishte një rrugë që e tërhiqte Enver Hoxhën”.(“Fitorja e hidhur” fq.23-24). Ja dhe një autor tjetër i huaj, Xhon Hollidej në librin “Shqiptari dinak”,shkruan: “Megjithëse Maklini, Emeri dhe ndonjë konservator në shtabin e SOE-s përpiqeshin që t’u bënin qejfin Ballit Kombëtar dhe Legaltetit, nuk vihej aspak në diskutim që gati tërë luftën kundër Boshtit e bëri LNC-ja”.( Xhon Hollidej “Shqiptari Dinak” fq.111). Nga sa shkëputëm prej librit të oficerit zbulues anglez por dhe autorëve të tjerë del se aleatët perëndimorë tentuan të hidhnin në luftë Ballin,Legalitetin dhe krerët e veriut,por nuk arritën dot sepse ata u bashkuan me pushtuesit dhe aleatët deshën s’deshën  u detyruan të pranojnë si aleat Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Vetë Rexhinaldi e thotë që Britaninë e tërhoqi vala partizane. Unë kam të drejtë të pyes këdo: kjo valë partizane  që tërhoqi me vete Britaninë dhe tërë koalicionin antifashist botëror dhe ri themeloi Shqipërinë nuk duhet respektuar? Në qoftë se jo, atëherë kujt t’ia këndojmë lavdinë e fitores? Ndofta Ballit dhe Legalitetit për merita që u bashkuan me pushtuesit? Mendoni sikur Partia Komuniste të mos kishte organizuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe të mos ishte pranuar në aleancën antifashiste, a do ta kishim këtë Shqipëri që kemi sot? Shqiptarë! Mos heshtni, mos dëgjoni partitë politike të asnjë krahu,të cilat e kanë bërë çorbë historinë e kombit. Ja heqin vlerat dhe ua japin të tjerëve,për kredibilitet politik ose për urrejtje të njërës apo tjetrës figurë!Largohuni nga shitja e vlerave të kombit tonë tek të tjerët. Mos rrëmoni në antivlerat, por nxirrni në pah vlerat e kombit tonë, të cilat janë të shumta,ato e lartësojnë kombin. Mos heshtni, ngrijeni zërin, partitë dhe qeveritë vinë dhe ikin populli mbetet.