Bardhyl Berberi/ Oh, Shqipëri e mjera Shqipëri, ku i ke burrat ti?!

90
Fatkeqësisht doli e vërtetë ajo që unë kisha më tepër frikë. Forca të caktuara destruktive e minosin reformën në drejtësi për të kryer dekriminalizimin aq të domosdoshëm, në stadin aktual që ndodhet vendi ynë. Të gjithë jemi shushatur dhe themi se çfarë po ndodh? Të gjithë po heshtim kur e keqja po na shpaloset me arrogancë dhe poshtërsi nga klasa politike shqiptare që luan me një popull të varfër që ka një mijë e një halle, heshtja në këtë rast është vetë e keqja. Aktualisht, ne shqiptarët jemi kthyer në ca llafazanë kafenesh, ku i kërkojmë llogari gjithsecilit, shajmë këdo, ankohemi për këdo, e gjejmë fajin, të keqen dhe problemin gjithmonë e lemë aty në kafene ku kemi zhvilluar debatin shtiem dhe baltosim gjithçka, paragjykimet, sharjet, dyshimit, mosbesimit, skepticizmit, shpifjet, dekurajimit dhe shpërfilljes për këdo që përpiqet të thotë, të shkruajë, të veprojë apo bëjë diçka që i shërben progresit. Duke qenë se ne shqiptarët kësaj herë si asnjëherë tjetër kemi mbi shpinë të paaftin servilin, të korruptuarin, vrasësin, por në të shumtin e rasteve ne sulmojmë, të ndershëm, të zotë atë me integritet që janë me pikatore, pasi shumica në administratë janë të paaftë me diploma të dyshimta që e kanë kryer shkollën nëpër kioskat e sapo mbyllura private. 

Ne na pëlqen të ndjekim “Ata, të dyshimtët, të fortët” që kanë distancë intelektuale me kilometra, braktisim të ndershmin, braktisim të talentuarin, ngase e shohim si problematik, vrasim kreativitetin ngase na prishet “ekuilibri” në stanin e të paaftëve që lodrojnë nëpër zyra dhe i bëjnë punët çorap. ; Duke qenë se ne nga frika ndjekim të fortin që ka marrë karrigen e drejtuesit, nga padija i japim fuqi batakçiut të korruptuarit pse jo dhe hajdutit dhe delenxhiut. Nxjerrja e dufit dhe pakënaqësisë vetëm nëpër kafene, na bën viktimat e radhës, qofshin këta njerëz, ligje apo institucione, shpresë, moral, drejtësi apo besim. Udhëheqës që paguhet me taksat tona, votohet nga ne, e na vjedh, na mashtron, na poshtëron, jo vetëm me ligësitë e tyre por dhe me paaftësinë e tyre nuk na miratojnë një reformë si ajo në drejtësi që është kthyer në oksigjen…. Dhjetëra skandale me korrupsion, plaçkitje, dëmtim a humbje jetësh njerëzore në vendin tone kalojnë pa u ndëshkuar. Tek ne në mënyrë djallëzore janë ndërthurur njerëzit e paftë dhe të djallëzuarit. Ky është një kombinim shumë i keq nga ky hibrid lind një mostër shumë e rrezikshme. Debate të pafundme, sfilitëse deri në rraskapitje, në emisionet televizive e kuvendore për krimin që ka mbërthyer Kuvendin, Partitë dhe Institucionet. Politikanët tanë janë bërë simbiozë me horrat, e krimit. Gjithçka po ndodh, të gjithë po ankohemi, asgjë nuk ndryshon. 

Atëherë çdo të bëjmë ne? Ku i ka burrat e vërtetë Shqipëria do të vazhdojmë të shfryjmë dhe zërin e ankimimit nga frëngjitë e kotësisë, për tu ndjerë veten mirë, të drejtë e të pastër, e për të mos dëgjuar melodinë e fatalitetit të së keqes që po na kalon përkarshi jetëve tona duke na kërcënuar seriozisht…me një takëm të paaftësh me një kulturë të cunguar dhe të korruptuar që po na mbajnë pezull. Çdo ditë e keqja kalon karshi nesh është bërë bashkëjetuese me ne madje po ambientohemi me të. Çdo ditë e keqja na rrethon e na fiton më shumë terren më shumë hapësira, më shumë numra. Çdo ditë e keqja na paralizon dhe na bën pesimistë. Çdo ditë ka njerëz që janë viktima, ka institucione që janë viktima. Të paaftët dhe servilët shtrëngojnë radhët dhe mbajnë njëri – tjetrin për tu mbyllur derën të aftëve, sabotojnë reformë në drejtësi… belbëzojnë ky takëm sabotatorësh se mund të ketë një reformë, por “një reformë me ligje dhe me shtigje”, ku ata të shpëtojnë të palagur. A nuk ka ardhur vallë ende dita që të vendosim sot, jo nesër, që të jemi kurajozë e dinjitozë? Nuk do t’ia bëjmë vetes sot pyetjen: Nëse jo unë, atëherë kush? Nëse jo sot, atëherë kur? Oh, Shqipëri e mjera Shqipëri, ku i ke burrat ti?! Që po të pinë këta “burracë”!