Artur AJAZI/ Pushteti ka përçarë degët e PS në rrethe

611
Sigal

Shitja e vendeve të punës dhe korrupsioni, ulin besimin tek qeveria

Ajo  që dukej si një “bashkim monolit” i PS para zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, tashmë pas 1 viti qeverisje, i ngjet një guri të thërrmuar në qindra copa. Kështu janë kthyer degët e PS në rrethe, të ndarë e përçarë mes klanesh dhe kjo me arsyen e vetme për të ndarë thelat e pushtetit e fituar sa më shumë para. Vendet e punës, postet, paratë dhe sekserët, janë sot komponentët që përbëjnë normalitetin e qeverisjes socialiste. Degët e PS në rrethe prej 1 viti janë kthyer në zyra pune, zyrat e drejtuesve në zyra pritje dhe ndarje të vendeve të punës sipas preferencave ku padyshim tek kjo e fundit futet rrallë edhe si preferenca ndaj deputetit të zonës. Pra, kryesia e degës është ndarë në klane ku dikush mban anën e një deputeti, dikush e shan me libër shtëpie tjetrin dhe kjo ndodh brenda “gjirit të partisë”. Ardhja në pushtet i ka katandisur degët e PS në rrethe në celula, ku nuk kanë munguar akuzat, sharjet, denoncimet dhe përplasjet fizike, kur ka ardhur momenti ndarjes së vendeve të punës. Aq të etur ishin drejtuesit e degëve të PS në rrethe për poste dhe para, sa brenda 1 viti ka prej tyre që kanë blerë makina 50 mijë euro dhe apartamente në bregdet, pa përmendur  paratë që marrin nga “nderet” e tjera. Por, në këtë garë të shfrenuar, ata kanë patur dhe vazhdojnë të kenë kontradikta me deputetët socialistë. Kjo pasi janë deputetët që pavarësisht  kërkesave të tyre, nuk po arrijnë të bashkëpunojnë me drejtuesit e degëve për punësimin e militantëve dhe votuesve të tyre. Në shumë rrethe militantët socialistë prej muajsh kanë dalë kundër drejtuesve të degëve dhe deputetëve dhe kanë kërkuar ardhjen e të deleguarve nga kryesia qendrore e PS. Militantët ankohen për heshtjen e qëllimshme, për largimin e tyre nga vëmendja e drejtuesve të degëve të PS, duke i lënë ata pa punë, pa shpresë për ndryshim, e duke mos mbajtur asnjë premtim. Në asnjë drejtori të rretheve nuk mund të punësohen militantët e PS pa marrë bekimin nga “shefi madh”, asnjë problem i tyre nuk merr zgjidhje në rast se ata nuk lidhen me të tretët, pra nuk  paguajnë. Akuzat nuk kanë munguar duke i quajtur drejtuesit e rinj si “taksambledhësit  e partisë”. Shumica e militantëve kanë pësuar zhgënjim të madh kur sekserët e rinj u ofrojnë edhe “tarifat” për çdo vend pune. Pra, 500 euro një vend punëtor  i  thjeshtë, 1000 euro si i punësuar në zanate të rëndësishme, 1500 euro si shofer pranë institucionit, 2000 euro teknik apo inspektor terreni, 2500 euro e sipër si zyrtar i rangut të tretë. Kuptohet se kjo histori ka nisur dhe vazhdon pa pyetur për norma, ligje, denoncime, shkrime gazetash, apo edhe sms të dërguara ministrave apo edhe kryeministrit. Duket sikur  gjithçka ka marrë rrokullisjen drejt greminës, ku një palë  pasurohet me shpejtësi marramendëse dhe një shumicë varfërohet  më keq pa gjetur përkrahje dhe asnjë mbështetje ligjore e politike. Agallarët e rinj janë kthyer në lubi të parasë, ata kanë vendet e tyre të takimit me “strukturat”  e partisë, nga  ku marrin e japin letrat e punësimit. Prej disa muajsh deputetët socialistë në mjaft rrethe kanë nisur të ankohen tek Rama, pasi nuk arrijnë as të komunikojnë me telefon me drejtuesit e degëve në rrethe. Era e parasë dhe e pushtetit i ka trullosur keqas  pushtetarët e rinj, të cilët muajt e fundit janë kthyer edhe në “padronë” të tenderave në institucionet e shtetit. Asnjë tender nuk zhvillohet në rast se nuk pyetet drejtuesi i partisë, zëvendësi i tij, klani i tij, madje kur nuk parapëlqehet firma  ofertuese, tenderi shtyhet pa limit. Shpesh drejtuesit e rinj  të ndërmarrjeve janë kthyer në kukulla dhe drejtohen nga shefi  lokal i partisë. Aq e vërtetë është kjo sa edhe për tenderin e lapsave dhe bojës së printerit, do të pyetet shefi partisë për firmën dhe çmimin e blerjes. Këto skandale janë kthyer në normalitete të ditës, aq sa edhe militantët socialistë pasi janë lodhur duke denoncuar dhe kërkuar ndërhyrjen e qendrës po  shprehen se, “këta qenkan më keq se ata që ikën”. Kjo padyshim do të ketë për PS kosto elektorale në zgjedhjet e afërta lokale, pasi shumica e militantëve tashmë e kanë humbur besimin dhe kanë vendosur t’i ndëshkojnë me votë mashtruesit e 23 Qershorit.