Julian HOXHAJ/ Historia e qepës, Ardian Fullani dhe viti i ri shkollor

724
Sigal

Dy ditë më parë, teksa në Tiranë zhvilloheshin protestat për largimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, unë në Elbasan përjetova një moment të çuditshëm dhe të dhimbshëm. Një moment nga ato që jemi mësuar t` i shohim shpesh në rrugët tona. Duke u bërë gati të ndez makinën, e parkuar në një në qendër të qytetit, një i moshuar, rreth të 70-ve më afrohet tek xhami. Në njërën dorë mbante një kokërr pjeshkë, ndërsa në tjetrën një qese me qepë. Në trup mbante veshur një palë rroba të vjetra dhe të grisura, ndërsa në këmbë një palë këpucë, që kush e di se kur ishin blerë. I moshuari gati sa nuk qante dhe më një lutje dënese, më kërkoi të blija ndonjë qepë. – “Merr ca janë të mira, merri të keqen se më duhen lekë” – mu drejtua zotëria. Dukej që varfëria e kishte detyruar të dilte në rrugë me jo më shumë se 3–4 kilogram qepë, të mundohej t i shiste, për të nxjerrë disa të holla. –Xhaxha më vjen keq, por nuk kam njeri në shtëpi që mund t i përdor ato, nuk mund t’i blejë, u drejtova, duke refuzuar t’i merrja, ndoshta më vonë u bëra pishman. –“Po kujtova se mos doje, se bleu dhe një shofer tjetër”. – Mu përgjigj duke ju dridhur buza fukarait të shkretë, iku dhe nuk foli më. Gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte Fullani, ky njeri që refuzon të jap dorëheqjen, ky njeri që refuzon të pranoj një krim shumë të rëndë, ky njeri që është tallur me paratë e shqiptarëve, ky njeri që ka rrogën më të majme të mundshme në një vend si Shqipëria. Kjo situatë më kujtoi “Lulin e Vocërr”, atë fëmijë të varfër dhe rreckaman, që kërkonte lëmosh për të mbijetuar. U mundova gjatë të vë Fullanin në rolin e këtij njeriu të gjorë, këtij njeriu që me disa qepë, kërkon të mbijetoj, por kurrsesi nuk arrija ta imagjinoja dot Fullanin milliona eurosh, me qese qepe në dorë. Kjo ishte njëra histori, njëra nga ato që tashmë nuk bëjnë më përshtypje, njëra nga ato histori që të bëjnë të kujtosh se në Shqipëri, nuk ka më klasë të mesme, por ky vend duket sikur po merr gjithnjë dhe më shumë trajtën e sistemit të Kastave në Indi. Ku disa pasurohen dhe janë të destinuar të shqepen nga pasuria, disa çdo ditë dhe më shumë lëngojnë dhe vuajnë mjerimin e skajshëm. Rasti i Fullanit e vërtetoi më së miri këtë, por mos o zot të bëhemi si India, të humbim shpresën dhe njerëzit të krijojnë idenë se jemi të destinuar të jetojmë në kastën e të varfërve, se kështu u lindëm. Historia e dytë lidhet me plazhin, atë vend ku shkojmë të gjithë, të varfër e të pasur, pushtetar dhe qytetar të thjeshtë, politikan, gazetarë, punonjës të administratës. Plazhi është vendi ku mbisundon lakuriqësia, vendi ku të gjithë zhvishemi dhe i nënshtrohemi pushtetit të diellit. Mirëpo në plazhet tona, fatkeqësisht je i detyruar të shohësh edhe njerëz që vuajnë, këtë se kam për të rriturit, ata që ndoshta nuk mund të bëjnë pushime se janë të detyruar të punojnë. E kam fjalën për fëmijët, me dhjetëra, ndoshta me qindra fëmijë, që çdo ditë i gjen në plazhet e Shqipërisë, duke shitur paketa, letra bixhozi, banane dhe fruta të ndryshme, për pushuesit e shumtë. Mjafton të shkosh në Golem, të marrësh një shezlong dhe do të kesh rastin që çdo 10 minuta një i mitur do të vijë pranë çadrës të të ofrojë diçka për të blerë. Kjo është situata dhe më e rëndë, që dashur pa dashur i plas në fytyrë politikanëve shqiptar dhe gjithë serës së Fullanëve, batërdinë sociale të këtij vendi. Më ra rasti të bisedoj me një fëmijë të tillë, i cili kishte ardhur nga Berati, dhe tre muajt e verës do të punonte në Golem duke shtirur në plazh. Ishte një fëmijë i imët, rreth 13 vjeç dhe që kushtet e vështira ekonomike e kishin detyruar të vinte deri në Golem. Në fakt pyetjes që i bëra vetes, është se çfarë mendojnë qeveritarët tanë për këtë gjë? Si ndihen vallë ministra e deputet, që bëjnë ligje për diskriminimin, për moslejimin e fëmijëve në punë të zezë, nga zyrat luksoze të Parlamentit, si ndihen vallë kur një fëmijë shkon e u ofron një paketë cigare? S’e di, por personalisht ndihem shumë keq, ndihem i tillë, sepse këta fëmijë kanë ardhur të shesin nën temperaturat përvëluese, pasi në shtator do të blejnë librat e shkollës, ato libra që nga viti në vit shiten dhe më shtrenjtë. Këta fëmijë punojnë çdo ditë, nën rërën e nxehtë që u përcëllon këmbët, punojnë se në shtator duan rroba të reja, duan libra, duan çantë të re, duan fletore dhe sende të tjera shkollore, këta fëmijë janë të dënuar nga shteti i tyre që të ardhmen ta nisnin në një vend, ku paguajnë shtrenjtë çdo gjë. Këta fëmijë punojnë sepse do blejnë librat që prodhohen në bodrumet e ministrisë, nga të afërm të politikanëve, deputetëve gjithë llojeve. Është ironike dhe absurde, kur dëgjon ministra e deputetë, që thonë se fëmijët janë e ardhmja e kombit, si mundet vallë t i thuhet një vogëlushi në klasë të parë që ti je e ardhmja e kombit, kur ndërkohë e detyron atë të blejë 50 mijë lekë libra shkollor. Ai sigurisht që nuk e kupton dot këtë, por e kuptojnë prindërit e tij, ata që rropaten çdo ditë për të siguruar ato lekë që duhen për të blerë librat. Ky është absurdi i një shteti, ku ka për të vjedhur miliona dollarë, për t’i lënë në kumar, për të blerë vila, koleksione gjigande vendi, ku politika jeton në luks, ku politikanët udhëtojnë me super makina, ku Fullanët hanë sa u del nga hundët dhe mijëra fëmijë vuajnë, rrugëve të Shqipërisë. Këtu është vendi ku qindra familjeve u privohet ndihma ekonomike, ndërsa nga ana tjetër, ka Fullanër në administratë dhe politikë, që rrjepin dhe rrjepin çdo ditë xhepat e këtyre familjeve. Ejani politikanë, ju njerëz që pretendoni se jeni vetë populli, ejani dhe shiheni realitetin në sy. Çfarë ju privon, pse nuk flisni, pse nuk guxoni të merrni një vendim, pse nuk e mblidhni parlamentin dhe të bëni një akt që do t’u shpëlante nga akuzat popullore si të përlyer së bashku me Fullanin në këtë vjedhje?! Sigurisht që ju nuk po e bëni, diçka ju pengon, benefitet a diçka tjetër, këtë se di ta them, do e nxjerrë historia, por aman një gjë është e qartë në dritën e diellit, me aktin mosveprues ndaj Fullanit, i tregoni Shqiptarëve se jeni të përlyer të gjithë. Mirë kjo, por nëse do merrni guximin të bëni diçka, unë dhe shumë të tjerë, sërish e kthejmë vëmendjen tek fëmijët, tek ata që luksin tuaj, as që e imagjinojnë dot, unë do të bëja një kërkesë publike. Paratë e vjedhura në Bankën e Shqipërisë, duhet të kthehen, se si do bëhet këtë e dini ju, por ama, këto lekë vërini në dispozicion të fëmijëve Shqiptarë, bëjeni arsimin fillor falas dhe ju me këtë akt do të bëni ndoshta gjënë më të bukur që ka bërë ndonjëherë politika në Shqipëri. Ministrja e Arsimit, që prej kohës kur është mandatuar në atë post ka folur shumë pak për arsimin fillor, të marrë përsipër dhe t i kërkoj qeverisë, që librat dhe sendet shkollore këtë vit të shpërndahen falas për fëmijët. Do të thoni që s’bëhet, bëhet që çke me të po të doni, thjeshtë merrni iniciativën, kështu shqiptarët do t’ju duan dhe më shumë, kështu familjet shqiptare ndoshta do t’jua falin mëkatet tuaja, kështu ndoshta do t i jepni vetes shumë pikë. Nëse ju e bëni këtë, fëmijët do t’ja duan më shumë, kështu ato para të vjedhura dhe që duhet të rikthehen atje ku u morën, nuk do të shkojnë kot, por do të shkojnë në xhepat e shqiptarëve. Sot është koha që qeveria dhe ministria e arsimit të tregoj se në fakt po punon për popullin dhe akti më solemn për këtë nuk janë as zyrat e punës, as prishjet me tritol, por janë ato libra falas që çdo fëmijë do t’i dëshironte. Nëse bëni këtë, ju do tregoni se kjo është qeveri sociale dhe që mendon për qytetarët e vet. Në të kundërt shqiptarët do vazhdojnë të ushqejnë akoma dhe më shumë zemërimin me ju dhe Fullanin, me shtetin që është i paaftë për të menaxhuar paratë e qytetarëve të vet, pasi Fullanin e zgjidhni dhe e keni zgjedhur ju.