Artur AJAZI/ Për një PD ndryshe

109

E ndërsa Lulzim Basha u rikonfirmua edhe njëherë tjetër si kryetar i PD, në Kuvendin e demokratëve, zërat ndryshe (fraksionet) brenda kësaj partie kanë nisur të zgjohen. Esenciale është të përmendim faktin se, procesi i zgjedhjes së kryetarit dhe përgatitjes së Kuvendit, nuk u mbështetet drejt mbi statutin e PD-së, as formalisht madje dhe kjo nuk përbën ndonjë risi pasi Këshilli Kombëtar i PD-së, nuk është mbledhur prej vitesh. Pra, deri tani ky është një proces që mund të konsiderohet jashtë statusit të PD, dhe mund të quhet si njëfarë riorganizimi i partisë nga kryetari i ri, kur statuti u përdor vetëm si argument për të penguar reagimin e fraksioneve. Mund të themi se zbatimi i “një anëtar, një votë” është i dobishme si ide (e praktikuar më parë nga e majta), por e zhvlerësuar nga mënyra e realizimit tek ky Kuvend. Aktualisht sot në PD kemi dy figura, Berisha dhe Basha, e dyta e përzgjedhur nga kryetari de jure dhe historik i saj. Kryetari i tërhequr i PD-së, drejton gjithçka. Shmangia e debatit  dhe fraksioneve ndoshta do sjellë përçarje brenda partisë dhe mendoj se nuk do të funksionojë pozitivisht. Pas dyerve të mbyllura mund të zgjidhen drejtuesit e një fraksioni brenda partisë, por jo udhëheqja e saj, aq më tepër e një partie politike me këto përmasa. Tashmë gjithkund lind dhe shtrohet pyetja, a do të kemi një PD ndryshe pas Kuvendit ? Arroganca ndaj bazës idealiste dhe jo ndaj ish-administratës së akuzuar për korrupsion nga PD, ka qenë prezente sidomos në 4- vjeçarin e dytë qeverisës. Ishte arroganca shkak i braktisjes elektorale, dhe mungesa e një morali politik, korrupsioni, mungesa e demokracisë në funksionimin e partisë, shkëputja e lidhjeve të qeveritarëve me bazën, konsumimi i lidershipit në dy mandate, që degraduan strukturat e PD . Në fjalimin e tij në Kuvend zoti Basha tha se,“këto gabime do të korrigjohen dhe demokracia e brendshme në PD do të funksionojë në limitet e mundshme”. PD është partia e dytë në vend, e cila mund të ringrihet sërish, por ajo duhet të reflektojë vizionin e ri të së ardhmes, ndaj është koha të reagohet, është koha për një angazhim historik të aktivistëve jashtë kryesisë së PD-së. Aktivistët e njohur dhe anëtarësia e PD-së, nëse dëshirojnë mund t’i imponohen kryesisë qendrore përmes aksionit politik. Unë mendoj se në krye të PD-së ka ardhur një personalitet politik, që përfaqëson në mënyrë të kthjellët vokacionin politik mbi të cilën u themelua kjo parti 24 vjet më parë, atë perëndimor. Është zgjidhur një figurë motivuese, intelektuale me  energji me një personalitet jo të dyzuar, që reflekton qytetari. Basha mbetet një personalitet, që reflekton vizionin e një Shqipërie të zhvilluar. Unë mendoj se, Partia Demokratike edhe për arsye të humbjes së thellë, por jo vetëm, duhet të demokratizohet dhe modernizohet . Ajo duhet të riorganizohet mbi bazën e një modeli të ri, ku anëtari të votojë për kryetarin por edhe për vendimet e rëndësishme të partisë, për statutin dhe programin e saj. Rregulloret duhet të zbatohen dhe korrigjohen, por duhet të realizohet mundësia për një votim partiak më të shpeshtë. Partia Demokratike duhet të bëhet transparente për anëtarësinë, ku kryetari i ri të vendosë një mënyrë të re komunikimi me forumet e bazës. Ai duhet të komunikojë rregullisht, edhe me strukturat lokale. Anëtarësia duhet të kuptojë pozicionet politike të anëtarëve të kryesisë, dhe partia duhet të funksionojnë në mënyrë të rregullt. Brenda PD duhet  të ketë një analizë shkencore të çdo aksioni politik duke rivendosur jo vetëm besimin, por edhe respektin për njëri-tjetrin. Anëtarët e një force politike nuk i mban të bashkuar programi, pasi duhet një kod etike i miratuar nga forumet . PD në mënyrë të qartë duhet të ndahet nga e kaluara, jo duke bërë diferencim tek anëtarët e thjeshtë por duke u ndarë nga ish- drejtuesit e lartë të saj. Morali politik mbetet i rëndësishëm dhe kjo nuk duhet harruar. Partia Demokratike duhet të shkojë drejt zgjerimit e duke larguar të korruptuarit. Rritja e Ilir Metës duhet  ta shqetësojë lidershpin e PD, pasi parashikohet se LSI do t’i marrë edhe më shumë elektorat PD-së. Partia Demokratike duhet të përfshijë kontributin e aktivistëve të saj jashtë vendit, duke i përfshirë në vendim marrjen politike, sidomos të shkolluarit në perëndim. Kështu PD-ja mund të rimarrë jo vetëm energji të re por edhe një forcë të konsiderueshme elektorale. PD-ja duhet të kthehet në një parti e hapur për inteligjencën shqiptare, duhet të kthehet në forcë atraktive për të rinjtë, dhe të gjitha shtresat e shoqërisë. Pjesëmarrja në një forum partiak duhet të të krijojë komplekse dhe të duket si një formacion luftarak . PD duhet ta ketë parim rritjen e bashkëpunimit me partitë e qendrës dhe të së djathtës europiane. Lulzim Basha i shkolluar në perëndim, duhet të jenë i kujdesshëm në përdorimin e retorikes dhe elementeve ndarjes fetare e krahinore. Ky është një leksion tjetër shumë i rëndësishëm dhe pozitiv i shoqërisë shqiptare. PD e votoi një nen statuor, që e pamundëson kryetarin e partisë të zgjidhet më shumë se dy mandate dhe sigurisht të japë dorëheqje që në mandatin e parë nëse humb zgjedhjet, dhe kjo padyshim mbetet pozitive. Nga ana tjetër PD-ja duhet të jetë krenare për historinë e saj hapjen e vendit ndaj organizatave politike perëndimore, anëtarësimin e vendit në NATO, orientimin e zhvillimit ekonomik por edhe shumë e vëmendshme ndaj gabimeve e fajeve historike gjithashtu.