Agostin Marku: Parimi i politikës “kurrë, mos thuaj kurrë”

582
Asnjëherë nuk është vonë për të arritur gjëra të mira. 
– Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidate potenciale për në BE, ndaj edhe liderët duhet të sillen si evropianë. 

– Mazhoranca është në kushte luksi për të realizuar çfarë kërkojnë partnerët tonë evropianë

Kurrë mos thuaj kurrë , Pse? Pse tërheqje nga gara? Pse të rrisësh optimizmin tek kundërshtari se ka tërheqje nga presioni tyre? Pse nuk negociohet data e zgjedhjeve parlamentare? Pse mund të ketë qeveria një Zv/Kryeministër të dytë kur kushtetuta e ka të sanksionuar vetëm një Zv/Kryeministër në organikën e qeverisë? Mund të vazhdojmë kështu më shumë Pse…? Një gjë është e sigurt se, nëse ndryshohet kushtetuta për numrin e Zv/Kryministrave atëherë mund të ndryshohet edhe për datën e zgjedhjeve. Nëse arrihet kompromisi për të ndryshuar kodin zgjedhor për sigurinë e votës me një nen transitor, mund të bëhet gjithçka për rivendosjen në afat të datave për ndërtimin e komisioneve, për regjistrimin e subjekteve, për regjistrimin e aleancave, për regjistrimin e kandidatëve e çdo gjë tjetër. Me këtë nuk mund të pranohet që shtyrja të jetë jashtë afateve të mbarimit të mandatit që ka legjislatura që është fillimi shtatorit por dhe që të jetë kjo shtyrje në një datë të muajit korrik, sipas propozimit të ndërkombëtarëve kjo është tërësisht e mundshme. Në politikë kokëfortësia është e dëmshme, ndaj kurrë nuk duhet të themi kurrë. A nuk u tha se zgjedhjet e pjesshme do të bëhen më 7 maj? Po në mungesën e një marrëveshje, të themi se tërhiqemi edhe më 18 qershor, në emër të mos përplasjes dhe ruajtjes nga destabilizimi. Kjo do të ishte më katasrofike, sepse vendi do të shkonte në anarshi. Në këto kushte paketa e propozuar nga delegacioni evropian më datë 25 prill, për të rritur sigurinë në zgjedhje, ndryshimi kodit zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR dhe domosdo që të gjitha këto me një datë zgjedhje në mesin e korrikut, duke dhënë të gjitha mundësitë për të bërë regjistrimet dhe përgatitjen e infrastrukturës për përgatitjen e ekipeve nga Partitë e opozitës, pse jo dhe disa partive të majta, të cilët nuk kanë dorëzuar lista, nga që i diskriminon kodi pse nuk janë në aleanca, do të ndërgjegjësonte çdo shqiptar, pse jo dhe militantët me ithtarë të PD për të qenë më të qetë dhe për të zhvilluar zgjedhje të qeta e normale, dëshiron apo jo lidershipi PD. Mazhoranca nuk duhet të luajë si macja me miun me Opozitën ashtu siç Opozita nuk duhet të mendojë, se pa atë dhe vetëm kur dëshiron ajo ka zgjedhje në Shqipëri. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidate potenciale për në BE, ndaj edhe liderët duhet të sillen si evropianë. Mazhoranca të mbledhë me urgjencë kuvendin dhe të bëjë ndryshimet përkatëse sipas paketës së 25 prillit të delegacionit evropian, rekomandimeve të OSBE-ODHIR e datën e zgjedhjeve dhe pastaj lidershipi PD, nëse nuk hyn në zgjedhje, do të thotë se cikli PD është mbyllur dhe zgjedhjet e ardhshme nxjerrin një opozitë të re. Të gjitha këto theksoj, që mund të përfundojnë brenda afatit ligjor të mandatit të këtij kuvendi dhe, në asnjë rast, vendi nuk është pa instuticione me mandat kushtetues, siç pretendohet apo siç synohet për të shtyrë afatet në pafundësi, për të nxjerrë institucionet tej mbarimit të afateve kushtetuese për mandatat e institucioneve e, sidomos kuvendit. Kështu do të kishim skenar maqedonas gjë, që do të ishte katasrofike për Shqipërinë. Skenari maqedonas do të funksiononte edhe sikur kokëfortësia të ishte në skenë për të shkuar në zgjedhje me 18 qershor pa ndryshim dhe që zgjedhjet të dështojnë në atë ditë. Asnjëherë nuk është vonë për të arritur gjëra të mira. Mazhoranca është në kushte luksi për të realizuar çfarë kërkojnë partnerët tonë evropianë. Si asnjëherë tjetër kanë dhe numrat në Kuvend për të bërë çdo ndryshim edhe se nuk është vullneti i opozitës. Mjafton vullneti dhe të mbahet parasysh parimi që në politikë, “kurrë, mos thuaj kurrë”.
Sigal