Xhevat Mustafa: Ndjesa e shpejtë e Macronit dhe ajo e tejvonuar e Ramës…

169

Edi Ramës i takon të ndiejë pendesë e t’u kërkojë falje shqiptarëve dhe miqve tanë të vërtetë ndërkombëtarë edhe si “ideuesi dhe skenaristi” i gjoja zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, padyshim skandaloze e të turpshme, që e kanë dëmtuar jo pak imazhin e vendit tonë, që kërkon dhe pret (më kot) në tetor hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Ndeshja e futbollit Francë-Shqipëri, më 7 shtator, që nisi me një incident teknik e protokollar dhe përfundoi me një lojë amatoreske dhe një humbje të thellë të merituar të ekipit tonë kombëtar, u bë edhe më shumë objekt diskutimesh masive dhe publike pas ndjesës së dërguar të nesërmen personalisht kryeministrit Edi Rama nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, si edhe, sipas ERTV-së, edhe nga “Federata Franceze e Futbollit dhe disa …media franceze”?! Në të kundërt me Macronin, kryeministri ynë, fort i interesuar dhe dëshiruar për ndjesën franceze, ka më shumë se 6 vjet që nuk është kujtuar se ka një varg tejet të gjatë arsyesh për t’u kërkuar ndjesë të gjithë shqiptarëve, domethënë edhe anëtarëve, mbështetësve militantë dhe votuesve të PS-së dhe të “Rilindjes”. Në aspektin kohor, do ta filloj analizën me bëmat dhe gjëmat e tij në tre mandatet si kryebashkiak në Tiranë. Pas suksesit dhe meritës së pamohueshme në betejën me kioskat në Tiranë, duket sikur u lodh, u deh, u vel, u mërzit. Ose ra viktimë e vetvetes, e euforisë, delirit dhe vetëkënaqësisë… Fryt i këtij lëmshi ndjesish mund të quhet “Komuna e Parisit”. Shumë nga banorët që jetojnë në këtë lagje, e dinë mirë se sa kanë vuajtur dhe po vuajnë nga ngushtica e rrugëve, rrugicave, trotuareve; nga pluhuri e balta; nga mungesat dhe vonesat e autobusëve; nga trafiku i dendur dhe i rrezikshëm… Edhe sot e kësaj dite, pas afro 20 vitesh, ka me qindra familje që nuk kanë tapitë e pronarit të vërtetë dhe përfundimtar të apartamenteve ku jetojnë, sepse kryebashkiaku Edi Rama i dha leje ndërtimi edhe mikut të tij Luan Bregasi, me dokumente gjysmake të legalizuara… Për saktësi dhe argumentim, viktimë e tyre është edhe miku im, ish-diplomati, ish-nënkoloneli dhe publicisti i mirënjohur Hajro Limaj… Sipas tij, “janë 170 familje në dy pallate 11-katëshe të ndërtuara nga ky biznesmen, të cilët kanë bërë qysh 17 vjet më parë pagesat e blerjes së apartamenteve ku jetojnë dhe nuk kanë marrë hipotekat, sepse Bregasi kishte ndryshuar projektet fillestare… Për këtë u jam drejtuar disa herë më shkrim edhe kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, por problemi ynë vazhdon të mbetet i pazgjidhur”. Për t’u bindur se qeverisja e “Rilindjes” është ortakëri e hapur me oligarkët, është shprehës fakti se pas maskaradës zgjedhore të 30 qershorit Luan Bregasi u zgjodh zv.kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, në konflikt të hapur interesi e me mundësi të shumta për t’i dhënë leje të reja ndërtimi vetvetes?!

Edi Rama është shumë i vonuar të pranojë dhe të kërkojë falje publikisht e sinqerisht edhe për fajet dhe përgjegjësitë e tij të drejtpërdrejta për 6 vjet premtime të papërmbushura nga ekipet e tij qeverisëse në të dy nivelet; për 6 vjet ngadalësim të ndjeshëm e të gjatë apo bllokim të procesit të hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE… Në vijim, ai, si viktimë e manisë së plotpushtetshmërisë apo e “tërbimit” nga pushtetet e pakufizuar, ka përgjegjësi parësore për lënien në një kohë të gjatë të vendit pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, pa KQZ të pavarur; pa opozitë të vërtetë e serioze në parlament dhe në këshillat bashkiake… Dorëzimi i mandateve të deputetëve dhe braktisja e parlamentit nga partitë e opozitës së vërtetë janë një akt i vullnetshëm e kolegjial i tyre, por analiza e shkaqeve dhe arsyeve që i shtynë për këtë formë “hara-kiri” apo “divorci politik”, pas bindjes për “bashkëjetesë të pamundur”, të shtyn të shkosh për t’i kërkuar në kabinetet e Edi Ramës në kryeministri, në PS apo në Surrel… Nuk është e vështirë për t’i gjetur tek arroganca, prepotenca, autoritarizmi, absolutizmi i tij, mbështetur dhe nxitur jo vetëm nga natyra dhe mentaliteti i tij, por edhe nga shumica e kartonëve, e deputetëve, të telekomanduar prej tij si “robotë” apo “kukulla” për të votuar vetëm siç i urdhëron ai me fjalë, sms, me një vështrim…

Gjithashtu, Edi Ramës i takon të ndiejë pendesë e t’u kërkojë falje shqiptarëve dhe miqve tanë të vërtetë ndërkombëtarë edhe si “skenaristi dhe regjisori” i gjasme-zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, padyshim skandaloze e të turpshme, që e kanë dëmtuar jo pak imazhin e vendit tonë, që kërkon dhe pret (më kot) në tetor hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Nënkuptohet, atij individualisht dhe si institucion i bie pjesa më e madhe e fajit dhe përgjegjësive edhe për ndëshkimin tonë si vend e si popull nga ai raport diskretitues i OSBE-ODIHR-it.

Në këtë linjë, Edi Ramës mund t’i kërkohet pendesë, ndjesë dhe kthesë edhe për mungesën e respektit institucional, për aktet e diskretitimit, formalizimit dhe zhvleftësimit për nga kompetencat kushtetuese të presidentit Ilir Meta, duke i vënë prej rreth 1 viti shqiptarë e ndërkombëtarë në dilemat, nëse ka apo nuk ka president Shqipëria…dhe, nëse ka shtet ligjor të standardeve të BE-së apo vetëm një Edi Rama, me një “tunel mbushur me pushtete”.

Edi Rama mund dhe duhet t’u kërkojë falje të gjithë shqiptarëve, në radhë të parë anëtarësisë dhe elektoratit të PS-së, se gjatë rreth 14 vjetëve si kryetar i PS-së dhe sidomos, gjatë 6 viteve të kryeministërllëkut, futi në politikën shqiptare, në grupet parlamentare të PS-së, nëpër kabinetet e kryetarëve të bashkive, nëpër ministri dhe drejtori të përgjithshme, njerëz me të kaluar plot fije lidhëse me krimin dhe burgjet, bosë biznesesh dhe trafiqesh të pista e kriminale. Rrjedhojë e hapjes dy kanatesh të dyerve dhe të dritareve të PS-së për këtë kontingjent me formim arsimor dhe kulturor të mangët, të dyshimtë apo të blerë, është jo vetëm “pushtimi” i saj prej këtyre, por edhe varfërimi nga personalitete intelektuale dhe kontribuese qysh nga themelimi, elitar për nga formimi arsimor, profesional, shkencor, akademik, larguar apo dëbuar nga partia e tyre e zemrës “demokratikisht”, me dhunë kartonësh dhe me ndëshkimin e parevokueshëm prej multikryetarit. Kështu, janë “varrosur për së gjalli” demokracia e brendshme, kolegjialiteti, debati i lirë e kurajoz, pa ndëshkueshmëria për “mendimet ndryshe”, për kritikat e sinqerta ndaj kujtdo, siç ndodhte në kohën e Fatos Nanos…

Edi Rama me tufën e tij të ministrave dhe ministreshave duhet të na kërkojnë ndjesë të sinqertë, shoqëruar me reflektim minimal dorëheqjen ekipore, për katandisjen e vendit, të shumicës së qytetarëve në këto ditë të vështira e të ferrshme me masivitet në rritje të pandalshme të varfërisë, papunësisë, të korrupsionit, të kriminalitetit, të emigracionit, të kanabizimit dhe kullëzimit, vetëvrasjeve, dhunës deri në jetëmarrje ndaj grave…Në këtë pikë nuk do të kursehem për fakte konkrete, nëpërmjet të cilave bëhet e qartë se në krahasim me 6 vjet më parë, gjatë qeverisjes së “Rilindjes”, kemi rënë nga shiu në breshër. Kushdo që shkon nëpër tregje duhet të revoltohet nga rritja e çmendur e çmimeve të shumicës së artikujve kryesorë të ushqimit të përditshëm, duke ia kaluar për shumicën edhe Gjermanisë, Italisë, Greqisë… Për objektivitet dhe jo për të lavdëruar Sali Berishën individualisht dhe si qeverisje, ndaj të cilëve ka rreth 20 vjet që bëj publikisht analiza kritike, me oponencë të qartë e të sinqertë, si qytetar më duhet të pranoj se në kohën e “Berishës së keq” apo “të njësojve”, në të vërtetë çmimet nuk ishin në këto nivele lemerisëse e të papërballueshme nga shumica e qytetarëve, me pagat dhe pensionet e ulëta që kanë. Kushdo qytetar që ka kujtesë të fortë dhe burrërinë të jetë i sinqertë, së pari me vetveten, nuk duhet të ketë “harruar” se më 2013 faturat e ujit, energjisë elektrike, biletat e autobusëve në linjat e brendshme dhe ndërqytetëse, të paketave të telefonisë, të internetit, të biletave të avionëve, të klinikave dentare…ishin rreth 2-3 herë më të ulëta. Po kështu, në atë “kohë të keqe” me rreth 100-150 lekë blije edhe 3 kg domate, patate, fiq, kumbulla, rrush, portokalle, mandarina, mollë, dardha, bamje, patllixhana, barbunja, speca, kastraveca, kunguj, …Sot, në “kohën e rritjes ekonomike e të mirëqenies”, të Edi Ramës, 1 kg. bamje e barbunja kushton 150-200 lekë; 1 kg fiq rreth 200-250 lekë; 1 kg. rrush rreth 100-180 lekë; 1 kg. dardha rreth 150 lekë…Po kështu, sot 1 kg fasule, gjalpë, djathë i bardhë, kaçkavall; mish; peshk merluc, levrek, kocë, barbun, sardele, sallamra… i blen me rreth 50-100% më shtrenjtë se në kohën e Berishës. Sipas kësaj kurbe të çmimeve, që në këta 6 vjet ka njohur vetëm rritje, ka ecur edhe korrupsioni. Në krahasim me 6 vjet më parë faturat korruptive për një vend pune, sidomos në sektorë dhe zyra ku qarkullojnë përfitime të mëdha; për leje ndërtimi; për një licencë biznesi; për një tender, koncesion, PPP; për t’u futur në listat e kandidatëve për deputetë, kryebashkiakë, të këshillave bashkiake etj., janë 2-3 fishuar. Në të kundërt, pagat, pensionet dhe pagesa sociale nuk janë rritur në të njëjtin nivel me çmimet, por 4-5 herë më pak. Gjatë mbledhjes me Grupin Parlamentar të PS-së, më 9 shtator 2019, Edi Rama bëri një deklaratë “bombë e flamur”. Mes të tjerave, u tha shqip fare vartësve të tij: “Ato takime me të njëjtat fytyra, me të njëjtat pazare, me të njëjtat dallavere, duhet të marrin fund. As PS dhe as unë s’e mbajmë dot më këtë maskaradë, këto zullume, që bëhen nëpër zyrat e shtetit…” Shumëkush nga qytetarët e thjeshtë, sidomos nga ata “të majtë të vërtetë”, ka arsye e të drejtë t’i thotë Ramës afërsisht kështu: “Po ti ku ishe, nuk ke dijeni dhe përgjegjësi për pazaret, maskaradën dhe zullumet që bëhen nëpër zyrat e shtetit? Vetëm duke i pranuar verbalisht dhe duke ndëshkuar vartësit, që nuk e durojnë më gjatë kukëllzimin e tyre dhe bëhen rebelë, do ta kalosh lumin? Deri kur do të vazhdosh “të harrosh” të pranosh fajet dhe përgjegjësitë e tua individuale dhe institucionale; të kërkosh falje dhe të japësh …dorëheqje? Në fund të fundit, këta njerëz, që “bëjnë pazare, dallavere, maskarada, zullume në zyrat e shtetit” dhe ata që bëjnë të verbrin dhe shurdh-memecin ndaj tyre, kanë hyrë në to me dijeninë, miratimin, firmat dhe vulat e tua…”. Kuptohet se secila prej këtyre gjëmave dhe “mëkateve” të Edi Ramës si kryetar i PS-së për 14 vjet dhe i qeverive të “Rilindjes së tij” në këta 6 vjet, aq më tepër të gjitha së bashku, janë të bollshme për pendesë, ndjesë e kthesë, shprehur me një akt normal dorëheqjeje të sinqertë e pa protesta masive, siç kanë bërë disa homologë të tij në vendet fqinjë dhe më larg. Pra, në asnjë mënyrë me synimin dhe llogarinë e pistë të zgjedhjeve të reja sipas traditës së vjetër të kusarisë masive të votave dhe me një rokadë formale apo informale me Erion Velinë, sipas modelit rus, Putin-Medvedev