Limos Dizdari: Mirënjohje…

825
Sigal

Nga Limos Dizdari, Artist i Merituar

Ju përshëndes, ju, njerëz të shquar të Letrave Evropiane, për shqetësimin qytetar që keni ndaj sulmit prezent, të heshtur e të errët ndaj kulturës, artit dhe vlerave të mëdha evropiane, të komunikimit midis kombeve të këtij këtij kontinenti, me mendje të ndritur dhe zemër plot dashuri. Kjo na entuziazmon. Shqetësimi Juaj është madhor e njëherazi virtyt i lartë angazhimi për çdo pjesëtar të ndërgjegjshëm, që e jeton jetën nën trysninë dhe peshën e një slogani të deformuar tashmë, ku “…liria është e drejta për të bërë atë që lejon ligji…”, pa pyetur fare për vlerat dhe ndërgjegjen e atyre, që hartojnë këto ligje dhe orekset e tyre politike makute. Thirrja Juaj, fillon me zgjimin e ndërgjegjes sonë personale dhe atë të kombeve, pavarësisht nga përmasat dhe dimensioni i tyre. Me siguri, Ju, qytetarë të shquar të Evropës, e keni shumë të qartë, se ky proces degradimi, ka kohë që ka filluar, këtu para syve tanë. Por kemi preferuar të heshtim, duke shpresuar se nuk do të ishte ky stacioni, ku kemi mbërritur. Bota është zvogëluar shumë. Evropa ka mbetur po aq e madhe sa ka qenë, por e rrethuar nga ambicie ekstreme, e mbushur me sherre e intriga te importuara nga minjtë, insektet, mikrobet dhe spiunët. Qeveritë kanë vetëm një hall: Sigurimin e votave për pushtet të sigurt. Gurët e mëdhenj bien, padyshim, mbi kombet dhe kulturat e mëdha. Tek ne, kombet e vogla, këta gurë provokojnë dallgë dhe përmbytje te trishtueshme, që e vështirësojnë shumë jetën. Ne vazhdojmë të heshtim e të merremi me veprën tonë, kur shumë të tjerë, para nesh, bënë autokritikën e tyre, duke na thënë pa mëdyshje: Duhej, “duhej të luftonim ndryshe…” Kur poeti ynë pyeti bilbilin e poemës së tij, se

“ku ishe ti, bilbil i shkretë

ti nuk di se ç’ndodhi këtej

as kur erdhe e as kur ike,,,”.

Kështu foli poeti, duke thënë në një të vërtetë të madhe e ne, prapë se prapë vazhdojmë të jemi sentimentalë ndaj atij bilbili pa fat, duke shpresuar vetëm tek ajo çfarë bëjnë studentët e mençur, minatorët proletarë, fshatarët e duruar, njerëzit e rrugës, që ulërijnë e gajasen nga niveli dhe paturpësia e korrupsionit institucional, që rrinë duke numëruar yjet e duke shpresuar…?! Po ne… ku jemi?!! Kemi turp nga ky realitet i pështyrë, kemi ndot nga tërë ky pisllëk institucional ku jetojmë. Jemi shumë të trishtuar, që nuk mund të takojmë tërë ato fytyra, të aftë, të dashur e të afërt të qytetit tonë. Nuk mundemi të dallojmë dot, se kush ka ndërruar jetë nga ata që kanë ndërruar shtet, profesion, moral e që s’u ka mbetur asgjë tjetër, veç lotët e tyre të rëndë në shamitë e tyre, si dëshmi malli e dhimbje shpirti. Nuk jam i vetëm…Jemi shumë…. Jemi shumë, shumë. Edhe në Paris ata janë shumë. Megjithëse e dinë se nuk janë 40 shenjtorët e atij qytetërimi, njësoj përpiqen të shumëfishojnë vlerën e tyre, pa qenë nevoja për jelekë të verdhë. Në hallet tona jemi të gjithë, si në një këngë të madhe polifonike, ku ftojmë të shumtët e papërballueshëm e përforcues të isos, si forcë unifikuese, të tundë malet e t’i japë shpirt e kurajë çdo zemre të këtij populli me vlera e virtyte të veçanta. Ftoj anëtarët e Akademisë së Arteve e të Shkencave të Shqipërisë dhe çdo Akademik tjetër, të përgjegjshëm, të firmosë këtë “Mirënjohje”, sipas formatit inteligjent e të përgjegjshëm, të protestës studentore, ku vlera e firmës së çdo firmëtari të mos lejojë përbaltjen e ndërgjegjes shoqërore. Ne e duam Evropën shumë, e shpresojmë që kjo dashuri, të jetë reciproke. Lulet e shtëpisë suaj i duam e na nxisin që dhe në shtëpitë tona, të ketë po aq shumë lule, dritë e hare!

Përzemërsisht, Limos Dizdari