Hyskë Borobojka: Zullumet e kryeministrit dhe lupa e Presidentit

115

Zullumet e kryeministrit u zunë ngushtë në lupën Presidentit

Nga lavdërimi… te largimi!

               

Nga Hyskë Borobojka

Atë ditë Parlamenti i Shqipërisë nuk ishte si një pyll tek-tuk i prerë. Deputetët e mazhorancës nuk kishin lënë asnjë karrige bosh. Kjo tregonte se Parlamenti ishte mbledhur në seancë plenare për një problem shumë të rëndësishëm. Do të zgjidhej kryetari i gjashtë i shtetit, që do të ishte mbrojtës dhe zbatues deri në pikën e fundit të kushtetutës se vendit. Natyrisht fjala e parë, që do të bënte propozimin i takonte kryetarit të “Rilindjes së Re”.Ai si derdhi një lumë falënderime e cilësi të rralla për kryetarin e Parlamenti, që do ta kishte zili edhe i ndjeri Pjetër Arbnori në drejtimin për së mbari të “Tempullit të Ligjeve”, propozoi që në këtë detyrë të rëndësishme, si kryetar i gjashtë i shtetit, më i përshtatshmi, më i miri e më i lavdëruari, mund e duhet të jetë kryetari i tanishëm i Parlamentit. Deputetët e mazhorancës, si të vënë në garë, këtë zgjedhje e përshëndetën me duartrokitje të zjarrta, sa i bënë pëllëmbët e duarve lulëkuqe. Pas kësaj ceremonie gazmore, kryetari e la kolltukun e kryetarit të Parlamentit dhe shkoi në Presidencë për të zënë kolltukun e kryetarit të shtetit. Deri këtu puna vajti fare mirë, por dardha dhe sëpata e kanë bishtin prapa. Qeveria e “Rilindjes së Re” filloi t’i dërgonte ligje e vendime të miratuara nga Parlamenti. Mirëpo Presidenti i kontrollonte me lupë në dorë e ia kthente për t’i “korrigjuar”, pasi, sipas tij binin në kundërshtim me këtë apo atë nen a germë të Kushtetutës. Si u përsëritën disa herë kthimi i ligjeve e vendimeve të qeverisë, kryetari i “Rilindjes” nuk i duroi dot këto “lajthitje” të Presidentit dhe deklaroi me zë të lartë, se Presidenti e ka mbushur kupën e zullumeve dhe shkeljen e kushtetutës, madje edhe e ka derdhur, prandaj duhet shkarkuar e larguar nga Presidenca sa më parë, pasi po bëhet pengesë për të shkuar drejt Evropës. Kaq u desh dhe ata që thyen e gjakosen duart për zgjedhjen e tij në krye të shtetit, u vunë në garë, kush e kush të demonstronte “fakte e gabime” të rënda. Në vend të zbatonte Kushtetutën e vendit, po e shkelte me të dy këmbët. Kjo të kujton kohën e “merhumes” diktaturë, kur i shpallte udhëheqësit e Luftës për liri “Heronj të Popullit”, pastaj i quante “Armiq të Popullit” për t’i dërguar përpara skuadrës së pushkatimit apo burgut, për mos dalë më gjallë. Për të vërtetuar etiketimet e diktatorit, turreshin sejmenët e servilët me “ferman” që lëpinin çdo sahan, për t’i “vërtetuar me çdo mjet, sa ua thyenin brinjët. Një ish-luftëtar lirie, kur pa ish- komandantin e tij “Hero të Popullit” me pranga në duar, i tjetërsuar, që po nisej drejt vdekjes, i tha në heshtje:

“More armët dole malit,

Të luftoje për liri.

Ku ta dije mor i gjorë,

Se armiku ishe ti!”

Deputetët në Parlament, madje edhe ata që nuk u ishte dëgjuar zëri gjatë seancave plenare, filluan t’ia numërojnë Presidentit shkeljen e Kushtetutës me nene e germa. Njëri prej tyre, që kishte pushtuar, jo vetëm foltoren e Parlamenti, por edhe ekranin e televizorit cep me cep, e nisi ligjëratën e tij duke ia renditur lajthitjet e Presidentit, me pika e presje, me data, muaj e vite sikur t’i kishte regjistruar në magnetofon e të hedhura në procesverbal. Denoncimet e tij fillonin që në vjedhjen e thesarit të shtetit, kur Presidenti i tanishëm ishte kryeministër, vazhdonin me videokasetën e ish-deputetit, “merhumit” Prifti, me shpërdorimet e shumta, me vjedhjen e votave e me radhë. Edhe unë, i vetëquajturi Hyskë Borobojka, i nderuari deputet jam me ty, se Presidenti e ka “mbushur kupën” buzë më buzë, por pse s’u ngrite zotrote e t’i thoshe kryetarit tënd të “Rilindjes”: “O kryetar, rrofsh e qofsh! Kë po zgjedhim kryetar të shtetit, këtë shkelës të ligjeve, këtë “kusar” të votave, përvetësues të pasurisë së vendit.” Por, ta them unë. Këtë s’e bëje dot, sepse nuk je bërë deputet i zgjedhur nga sovrani, por nga lista e kryetarit, ashtu si dhe shumë të tjerë. Ti dhe shokët tënd deputetë janë “ligjvënës” të listës, të regjistruar, firmosur e vulosur nga kryetari dhe e di, si buka që ha, se ky i fundit, ashtu si të vuri në listë mund të të fshijë, që të mbetesh si peshku pa ujë e t’u thuash, rrini me shëndet gjithë mirësive që të sjell qenia deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Qenia “Baba Kombi” në këtë tranzicion të tejzgjatur, nuk josh vetëm burra, zonjat e zonjushet, por edhe fëmijët. Kjo është kaq e vërtete sa kur në një studio televizive, një fëmijë dhjetë- dymbëdhjetë vjeç, e pyetën se çfarë dëshiron të bëhej kur të rritej, ai më plot gojën tha:

-Deputet!…

Mirë, të keqen xhaxhai! Mund të bëhesh edhe “Baba Kombi”, madje dhe “Gjysh” (si disa të tjerë). Por xhaxhi Hyska, ka një merak: Deri sa të rritesh, të shkollohesh e të diplomohesh, a do të jenë këta që janë tani kryetarë partie që të të venë ne listë?! Kjo është çështja!

Tani të vijmë prapë te Presidenti. Analistët e nderuar japin mendime të ndryshme. Njëri prej tyre pyet publikun që të japë mendimin e tij shkurtimisht: “Po! Jo”, aq sa emisioni “Opinion”, të marrë emrin: “Po-Jo!” Analisti i rubrikës “Provo kacia” (Si nuk gjeti një shprehje një fjali a një fjalë në arën e madhe të gjuhës së bukur shqipe, por preferoi bravare të huaja) Ai, në një nga monologët e tij, i sugjeroi Presidentit të gjashtë të japë vetë dorëheqjen e të dalë në “opozitë”, por s’thotë se cili do të jetë Presidenti i shtatë. Mbase këtë e ka lënë, që ta thotë në monologët në vazhdim.