Evdal Nuri: Si jemi, mos qofshim…!

707
Sigal

Këto fjalë i dëgjova në një ambient shoqëror. Kur e kundërshtuam, Q.Koçi u mundua t’na bindë. E filloi me varfërinë ekonomike, situatën e rënduar politike atë sociale, krimin, etj. Të gjithë të shfrytëzojnë e s’ke kujt i ankohesh! Privati të pushon nga puna! Punoj shtatë ditë në javë, paguhem për pesë. Vajza punon 12 orë në ditë paguhet për tetë! Kohë më parë për bindje politike, unë roje ,vëllai shofer na pushuan. Dhe kishte të drejtë. Tek ne ka një dëshpërim të përgjithshëm që po na shoqëron e venit të ardhshmen e plagosur shpresën! Edhe ti, m’u drejtua mua, në shkrimet e tua e paraqet situatën të dëshpëruar, mbase kështu është, por i bie rrotull, s’del hapur! I dyti, F.Xhaxhiu, 82 vjeç mbi peshë i sëmurë. I lutet Zotit t’më lërë kështu si jam, mbase ka më keq. Pra, njërëz që kënaqen me gjendjen që kanë! Sa herë marr në telefon A. Nurellarin dhe e pyes si je, më përgjigjet:” Më mirë prishet”. Kështu flet se i ka në terezi punët! Sa të ndryshëm janë njërëzit, aq të ndryshme janë problemet e hallet, por shumica janë të mërzitur! Shkrimet e mija i shoqëroj me shifra. Me shifra e fakte bindesh, të tjerat janë lojëra fjalësh.

Qëndrimet e të rinjve ndaj politikës

Qëndresa Qytetare publikoi të dhënat e sondazhit kombëtar për qëndrimet e të rinjve ndaj sistemit politik, partive politike dhe sfidave sociale me 1200 të anketuar. Ky pyetësor u realizua në bashkëpunim me Westminster Foundation for Democracy dhe u shtri në 61 bashkitë e vendit . Plaga më e madhe sociale që ka prekur vitet e fundit brezin e ri sot është emigrimi për arsye ekonomike dhe punësimi.71.1% e të rinjve shqiptarë planifikojnë të emigrojnë. Gjysma e të rinjve që duan të emigrojnë preferojnë vendet e Evropës Perëndimore. Kjo dëshirë për të emigruar lidhet edhe me sfidat me të cilat të rinjtë mendojnë se përballet vendi ynë sot. 55% e të rinjve mendojnë se sfidat kryesore që ka Shqipëria sot janë ekonomia, punësimi dhe arsimi, ndërsa 37% e tyre mendojnë se sfidat kryesore janë korrupsioni dhe kriminaliteti. Të rinjtë shqiptarë shfaqen të distancuar nga partitë politike ku vetëm 16.8% e tyre besojnë tek ato. Ndërkohë 64.9% e të rinjve e shohin angazhimin në parti si prestigj ose status social. Shoqëria shqiptare ka nevojë që rinia e vendit të përfshihet në politikë për të sjellë një frymë dhe alternativë të re. 68.8% e të rinjve shqiptarë janë përgjigjur se rinia duhet të merret me politikë, por vetëm 32.3% pohojnë se janë të gatshëm personalisht të përfshihen. Pavarësisht rinovimit të klasës politike 60% e të rinjve nuk gjejnë modele suksesi tek të rinjtë në politikë. Po ashtu 45.3% e tyre mendojnë se të rinjtë në partitë politike imitojnë liderin. Ata shprehen se politikanët e rinj janë kopje të politikanëve të vjetër dhe nuk kanë mendime të tyret. Politika në vend rezulton të ketë prodhuar 85% e të rinjve të pakënaqur me situatën aktuale politike në vend. Vetëm 17% e të rinjve kanë besim tek parlamenti si organ kryesor ligjvënës. Një pjesë e të rinjve pavarësisht se kanë votuar në zgjedhje e para nuk kanë arritur të përçojnë problematikat e tyre tek të zgjedhurit e tyre. 76% e të rinjve nuk kanë kontaktuar asnjëherë me përfaqësuesin që kanë zgjedhur ndërsa 39% e të rinjve nuk e njohin deputetin e zonës së tyre.

Varfëria shqiptare – E veçantë, e përgjithshme, e thellë, e pashpresë!

Emigrantët mbajnë me bukë 200 mijë familje. Rreth 1.2 milionë individë shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë, sjellin në Shqipëri 1.3 miliardë euro në vit në formën e remitancave në vitin 2018, nga të cilat 927 milionë euro vijnë në formën e transfertave personale dhe 309 milionë euro nga të ardhurat nga puna. Në kahun tjetër, flukset dalëse janë 97.5 milionë euro, duke mbetur në Shqipëri 1.23 miliardë euro, një shumë që është gati 8% më e lartë në raport me një vit më parë, sipas shifrave të publikuara nga Banka e Shqipërisë në një material të posaçëm të përgatitur për remitancat. Remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare. Dërgesat nga jashtë përbëjnë 90% të të ardhurave familjare të marrësve. Pra në total, nga rreth 770 mijë familje që janë në Shqipëri, 200 mijë prej tyre e sigurojnë mbijetesën përmes të ardhurave që marrin nga të afërmit e tyre që jetojnë e punojnë jashtë. Kjo varfëri ka sjellë që vetëm 12 % e shqiptarëve kanë mundësi të bëjnë pushime larg shtëpisë. Numri i emigrantëve është rreth 1.19 milionë , kurse në Evropë ndodhen 90% e emigrantëve; Emigrantët e përhershëm përbëjnë 80% të totalit. 26% më shumë shqiptarë kërkuan azil për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian gjatë 3 muajve të parë të 2019-s. Kjo shënoi rritje të emigrantëve shqiptarë që kërkojnë azil për herë të parë, të cilët arritën në 1,645 nga 1,310. Një e dhënë tjetër, kurset e gjermanishtes janë 100% fishuar! Arsyeja dihet. Në total, për periudhën 2009-2018, numri i aplikimeve për herë të parë për azil nga shqiptarët 178,515 aplikime, duke u renditur vendi i parë i Europës për nga numri i lartë i azilantëve, sipas shifrave të Eurostat. Në raport me popullsinë, Shqipëria renditet e para në botë për numrin më të lartë të aplikimeve për azil në BE, duke kaluar edhe popujt që ikin nga vendet me konflikte.