Engjëll Musai: Dorëheqja e Sakos përballë cinizmit Spiropali-Xhaçka

356

Engjëll Musai

Drejtor i gazetës “Telegraf”

Pak ditë më parë kryebashkiakja e Durrësit e zgjedhur në këtë post vetëm pak muaj më parë dha dorëheqjen. Arsyeja reale e dorëheqjes, mbi të cilën ka shumë hije dyshime dhe e bërë publike prej saj në status në rrjetet sociale thuhet, se gaboi në artikulim gjatë një interviste për pasojat që solli tërmeti i 26 nëntorit. Humbja e jetëve të qytetarëve të pafajshëm është më shumë se një tragjedi për familjet që humbën të afërmit, por edhe për mbarë shqiptarët dhe kombin tonë. Ajo donte të thoshte se për nga përmasat e këtij tërmeti dhe dëmeve të shkaktuara, fatkeqësitë mund të ishin edhe më të mëdha. Dhe kjo po vërtetohet këto ditë kur me dhjetëra pallate po prishen për shkak të goditjes së pariparueshme të tyre. Por zoti mendoi për shqiptarët, të cilëve vuajtjet, sakrificat dhe lotët i kanë shoqëruar në vazhdimësi. Një pjesë e fatkeqësive janë nga natyra dhe pjesa tjetër nga keq qeverisjet apo, e thënë më drejtpërdrejtë nga shtetarët e pangopur që në vend të misionit kanë parë interesat klienteliste dhe korruptive. E megjithatë kryebashkiakja Sako dha dorëheqjen, pavarësisht se ajo nuk ka firmosur qoftë edhe 1 leje të vetme ndërtimi. E, nëse kryebashkiakja Sako krijoi një standard, çfarë duhet të themi për ato që e kishin për detyrim ligjor të mbronin jetët e qytetarëve sikurse është rasti i ministres koordinatore për punët e Qeverisë me Parlamentin, Elisa Spiropali?! Po për ministren e mbrojtjes Olta Xhaçka që deklaroi, se i kemi marrë të gjitha masat në rast fatkeqësie? Ministrja Spiropali publikisht u tall me kërkesën e ligjshme të Kreut të Shtetit, kur ky i fundit kërkoi të shikoheshin elementët e sigurisë kombëtare në rast fatkeqësish. Spiropali nuk nguroi të ironizonte para tërmetit të 21 shtatorit, ndërkohë që sot fatkeqësia dhe zia janë ulur këmbëkryq në shtëpitë, në mendjen, shpirtin dhe zemrën e çdo shqiptari. Shën Nënë Tereza ka thënë se: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Ndërsa ju znj. ministre Spiropali, u tallët me fatkeqësinë që tashmë ka pllakosur në Shqipëri në vend që të preokupoheshit dhe sot të kishim tjetër qëndrim dhe mendim për pozicionin tuaj, që ju ushqen me taksat e shqiptarëve, por edhe si qytetare, së cilës humanizmi i ka rënë për tokë, pasi ideali i partisë suaj, për ju paska qenë më i shtrenjtë se detyrimi ligjor si dhe tragjedia kombëtare. Ndaj sa më shpejt të jepni dorëheqjen aq më mirë është për ju dhe aq më pak do njollosni ata qindra mijëra socialistë që sot në çdo tavolinë dhe në çdo ambient, për veprimet dhe mosveprimet tuaja ju shikojnë si pjesë të kësaj tragjedie. Ndaj kini kurajën dhe rishikojeni deklaratën tuaj të turpit duke e krahasuar me atë të kryebashkiakes Sako që bëri një gjest qytetar dhe, mbi të gjitha, human.Pas jush Elisa është radha e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila deklaroi në një korrespondencë publike se i kemi marrë të gjitha në rast fatkeqësish. Për çfarë masash flisni ju znj. Ministre Xhaçka? Nuk po futem në detaje të vogla të bazës material dhe lëvizjeve operacionale dhe koordinimit mes pushtetit lokal, atij qendror dhe qytetarëve.Kjo pasi këto masa u panë që ju kapën të papërgatitur, ndërkohë që shqiptarët paguajnë taksa për rrogat tuaja, pikërisht që ju të kryeni detyrën duke qenë roje besnike të jetës së këtyre qytetarëve. Sot po evidentohen dhe po prishen me dhjetëra pallate dhe banesa që përbëjnë rrezik për sigurinë e jetës së qytetarëve. Dhe është më se normale, që kur flasin specialistët të gjithë duhet t’i dëgjojmë dhe të veprojmë pa hezitim. Po përse znj. Ministre Xhaçka , nuk morët masa për pallatin në Thumanë pas tërmetit të 21 shtatorit, i cili u konsiderua i pabanueshëm nga specialistët? Ju duhet të bënit të njëjtat veprime, sikurse po bëhen edhe tani, ku të boshatisej pallati dhe të shembej. E, nëse do kishte ndodhur një veprim i tillë, sot do kishim më pak jetë njerëzish të humbur nga kjo fatkeqësi e ndodhur prej tërmetit apokaliptik.Dhe kjo ishte e para që duhej të bënit, duke vazhduar me kontrollin e të gjitha banesave të tjera të cilat ishin prekur nga tërmeti i shtatorit. E nëse do kishit marrë masa të tilla, nuk do të kishit kurajën të përgatisnit atë relacion tashmë të bërë publik ku deklaroni se gjithçka është brenda parametrave dhe standardeve. Ndaj edhe ju zonja Xhaçka, ndiqni shembullin e kryebashkiakes Sako dhe largohuni nga detyra, pasi me papërgjegjshmërinë e treguar në kryerje të detyrës, nuk parandaluat një katastrofë të evitueshme, megjithëse është përgjegjësia juaj jo vetëm morale por së pari detyrim ligjor të siguroni dhe garantoni jetën e qytetarëve dhe të pasurisë kombëtare. Së bashku me Elisën largohuni të qetësoni sado pak shpirtin e trazuar nga fatkeqësia të shqiptarëve të prekur nga fatkeqësia. Me cinizëm, me hipokrizi, me tallje, me arrogancë, me urdhra të pabazuar dhe, mbi të gjitha, me gënjeshtra nuk krijohet besimi tek qytetarët. Një sentencë të hershme e Antistenit thuhet: “Më mirë mes korbave se mes servilëve. Të parët të shqyejnë për së vdekuri, të dytët për së gjalli”. Ndaj që të mos gjendeni mes këtyre dy grupimeve, jepni dorëheqjen që të dyja.