BSH të printojë 50 miliardë lekë borxh për qeverinë

577
Sigal

Banka e Shqipërisë të printojë 50 miliardë lekë borxh për qeverinë

Prof. Alqi NAQELLARI

Këto ditë, si çdo shqiptar, kam ndjekur me vëmendje diskutimet e disa gjeologëve, inxhinierëve të ndërtimit, arkitektëve dhe ekonomistëve për zgjidhjen e problemeve të krijuara nga tërmeti 26 nëntorit. Secili sipas profesionit dhe fushës së vet ka dhënë mendime konkrete. Inxhinierët dhe arkitektët kanë dhënë mendime mbi shkaqet e shkatërrimeve dhe mundësitë e ndërtimit të pallateve të tjera, gjeologët kanë dhënë argumente mbi shkaqet e tërmeteve dhe janë munduar të qetësojnë qytetarët e prekur nga tërmeti, ndërsa ekonomistët kanë dhënë mendime mbi rrugët e mbulimit të kostove të dëmeve të shkaktuara. Unë do jap mendimin tim për një nga mundësitë e mbulimit nga ana financiare të dëmit të shkaktuar nga tërmeti. Sot për sot kemi disa grupe grumbulluesish të ndihmave, brenda dhe jashtë Shqipërisë, me natyrë fetare, OJF, shoqata bamirësie, shoqata patriotike etj. Në këtë mënyrë janë çelur një sërë numra llogarish ku gjithkush që e ndjen veten me mundësi financiare, me ndjenja humane dhe patriotike mund të derdhi një kontribut në këto llogari. Interesante është se në këto numra llogarie kanë derdhur mjete monetare me mijëra e mijëra njerëz, shqiptarë nga të gjitha anët e botës dhe të huaj. Kjo tregon për një shprehje të solidaritetit, dhe të ndihmës në rast fatkeqësie, me vëllezërit e një gjaku. Është shprehje patriotizmi e një shkalle të lartë që rrallëkush mund ta ketë shprehur në këtë formë, si Shqiptarët, në rastin e Luftës për Çlirimin e Kosovës dhe në rastin konkret të tërmetit shkatërrues në Shqipëri. Por ndërsa populli shqiptar në mbarë botën ka reaguar si një trup i vetëm në për përballimin e fatkeqësisë, biznesi shqiptar nuk e ka bërë një gjë të tillë. Kontributorë kryesorë nga ana e biznesit, nuk po përmend Dhomat e Tregtisë këtu, dhe shoqatat e ndryshme , kanë qenë të nderuarit, Pacolli, Kastrati, Mane etj. Pse nuk e kanë bërë bizneset e tjera të ndërtimit, në mënyrë të veçantë subjektet që realizojnë ndërtime në një sërë sektorësh e drejtimesh? Cilat janë arsyet, a e ndjejnë veten sadopak përgjegjëse këto firma që kanë bërë këto ndërtime dhe të mundohen të riparojnë një pjesë të tyre, a e ndjejnë veten edhe ato përgjegjëse për jetët e humbura të njerëzve, të grave dhe fëmijëve? A e ndjejnë veten përgjegjëse edhe firmat e tjera që kanë marrëdhënie kontraktuale me to, firmat e prodhimit të inerteve, çimentos, parafabrikateve, soletave etj, etj? Shmangja e tyre nga kontributi është shumë domethënës. Unë mendoj se dy nga arsyet kryesore janë:

E para, mund të jetë edhe detyrimi ose borxhi që qeveria mund t’u ketë këtyre firmave. Borxhi ndaj tyre është një borxh i mbartur në vite dhe është rritur, aq sa është krijuar një hendek midis ndërtuesve në përgjithësi dhe qeverisë. Rritja e këtij borxhi ka bërë që qeveria t’i mëshojë dhe t’i drejtohet edhe rrugës së 3P dhe koncesioneve si më optimale, pavarësisht se kanë kosto mjaft të madhe.

Së dyti, është stoku i madh i pallateve të pa shitura, numri i të cilave shkon me mijëra, që nga Qyteti vdekur i Golemit e deri në Vlorë e Tiranë. Arsyet pse nuk shiten duhet të kërkohen në:

  1. a) Spontanitetin e ndërtimeve për mospasje të një Plani Strategjik ndërtimor shumëvjeçar, por të një ndërtimi kaotik, pa kurrfarë plani.
  2. b) Çmimet e larta të pa përballueshme prej qytetarëve të zakonshëm të shtresës së mesme. Përgjegjësi për këto çmime të larta kanë vetë ndërtuesit por ka edhe vetë qeveria.
  3. c) Qeveria ka përgjegjësi sepse ka vendosur në mënyrën më absurde, për llogari të rritjes së të ardhurave nga taksat mbi ndërtimet, çmime dysheme. Vendosja e këtyre çmimeve ka bërë që një pjesë e ndërtuesve në mënyrë të padëshiruar të rritin çmimet. Pasojat e këtyre çmimeve i pamë para shumë vitesh në ndërtimet në Laprakë me largimin e Arabit.
  4. d) Stoku i pallateve të pa shitura ka bërë që firmat ndërtuese t’ju mbeten borxh firmave të faktorëve të tjerë, firmave si motra, firmave të furnizimit me inerte, me çimento, me llaç dhe beton të gatshëm, firmave të materialeve elektrike, hidraulike, etj., etj. Këto kanë operuar edhe me klering, me këmbim numër apartamentesh për furnizimet përkatëse. E keqja është se edhe pasi ato u ndërtuan nuk janë shitur, por kanë mbetur në stokun e investimeve, nuk kanë kaluar në elementin C të shpenzimeve. Kështu që këto firma të marrin frymë dhe të bëhen përsëri aktive ato duhet t’i shesin këto pallate. Shitja e tyre do vendosë në eficiencë gjithë sektorin e ndërtimit. Vendosja e sektorit të ndërtimit në eficiencë do vendosi në eficiencë edhe dhjetëra sektorë të tjerë, sepse ky sektor është i lidhur në mënyrë të njëpasnjëshme me dhjetëra sektorë të tjerë. Ndërtimi iu jep punë edhe dhjetëra sektorëve të tjerë.

Kriza amerikane u zgjidh thjesht fare nga qeveria amerikane

Kreditë e qytetarëve i mori qeveria, e cila iu ktheu detyrimet bankave që kishin dhënë kredi për banesa, bankat filluan kreditimin normal dhe furnizimin me kesh të kompanive të fuqishme të automjeteve, dhe gjendja ndryshoi 100 % në favor të rritjes ekonomike. Kjo gjë duhet të ndodhë edhe në Shqipëri.

Banka e Shqipërisë duhet të printojë 50 miliardë lekë dhe t’ia kalojë buxhetit për ndërtimin e banesave të reja si dhe një pjesë për blerjen e banesave të mbetura stok. Ky borxh i qeverisë të jetë afatgjatë dhe shlyerja e tij të fillojë pas dhjetë vitesh.

 

Pronarët e banesave stok duhet të shikojnë leverdinë e shitjes me çmim të ulët

Po t’i kishin shitur që në fillim me çmim të ulët ato do ta kishin qarkulluar kapitalin e tyre 3-4 herë dhe do ta kishin kompensuar fitimin e humbur nga çmimi me shpejtësinë e qarkullimit të fondeve.

Banka e Shqipërisë duhet të ketë guximin dhe kurajën ta bëjë këtë veprim, me një vendim të Këshillit të Mbikëqyrjes ose me një Vendim Parlamenti. Ky veprim është veprimi më i drejtë që mund të bëhet nga Shteti Shqiptar për të dalë nga kjo situatë. Nuk duhet të merret borxh nga jashtë apo të shpresohet nga dhurimet apo donacionet e ndryshme. Ato janë të pakta por më shumë janë simbolike në raport me dëmin e shkaktuar në Shqipëri.

Çdokush që do dëgjojë se unë bëj këtë propozim do thotë, se ky qenka njeri jo normal, është i çmendur sepse me këtë veprim: Inflacioni do dhjetëfishohet apo do kemi inflacion galopant.

Përgjigja ime është e thjeshtë dhe e argumentuar:

Me sistemin e Kurbave të Modeli Keynsian çdo kush që ka bërë ekonomi këtë përgjigje do japë, sepse rritja e kërkesës do shkaktojë zhvendosje të saj djathtas dhe, për pasojë, do kemi rritje ekonomike dhe inflacion të lartë.

Në fakt, për mendimin tim, ky Model është i pa saktë. Ky model është bërë pas viteve 1940, jo prej Keynsit por prej neokeynsianëve. Është bërë përgjithësisht për të justifikuar rolin pozitiv të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, për të justifikuar koncesionet, PPP-të, borxhet, deficitet e krijuara nga luftërat etj. Sipas kësaj teorie shpenzimet buxhetore janë të njëvlershme me shpenzimet për investime. Kjo sepse AE = C+I+G+NX, ku G janë blerjet qeveritare. Themeli kësaj shprehje është i mbështetur në teorinë e shpenzimeve të prodhimit dhe jo të vetë prodhimit, është mbështetur te pasoja dhe jo te shkaku. Klasikët e kishin injoruar rolin e shtetit në ekonomi, sepse theksonin se qeveria është shpërdoruesja më e madhe e pasurisë, është e korruptuar dhe jo pse e kanë injoruar rolin e shtetit në ekonomi ashtu si thuhet rëndon në tekstet e Makroekonomisë.

 

Çfarë ka treguar ekonomia shqiptare dhe ekonomia botërore?

 

Kanë treguar që Kurba e Kërkesës Agregate është me pjerrësi pozitive dhe jo negative. Thjesht, çmimet dhe inflacioni rriten çdo vit, prodhimi agregat dhe të ardhurat rriten çdo vit. Kërkesa e brendshme në Shqipëri ka qenë dhe mbetet me pjerrësi pozitive, po kështu edhe VSH edhe GDP e shprehur me të tria mënyrat. Pra, Rritja e shpenzimeve agregate nuk është e thënë që të rritë inflacionin, ajo e rrit atë në kushte të caktuara, por jo gjithmonë. Teoria Keynsiane i ka lëvizjet me detyrim përcaktim, gjë që injoron dinamikën e zhvillimit të ekonomisë dhe e kthen modelin në një model statik. Në Shqipëri ku Oferta agregate ka qenë dhe mbetet, për llogari të borxhit të qeverisë ndaj bizneseve shumë më e madhe se Kërkesa Agregate, një rritje e Kërkesës Agregate nuk do shkaktojë asnjë problem në qarkullim dhe, për pasojë, në rritjen e çmimeve. Unë këtë Model e kam argumentuar botërisht në artikujt e publikuar në Revista Shkencore Ndërkombëtare ku është hedhur poshtë teoria e Kryqit Keynsian që është në themel të modelit të ekuilibrit AD-AS. Prandaj jam 100 % i sigurt se veç frymëmarrjes së biznesit nuk do vijë asnjë pasojë negative, pasojat janë fiksime të këtij modeli. Borxhi që do marrë qeveria nuk do dalë që ditën e nesërme në qarkullim, përkundrazi ai do kalojë te biznesi, nga biznesi do kalojë te firmat dhe bizneset e tjera ku firma e ndërtimit ka borxhet e saj, do kalojë në sistemin e Bankave Tregtare, do fillojë edhe biznesi të shlyejë kreditë e këqija. Në këtë mënyrë vetëm një pjesë fare e vogël do arrijë tek konsumatori shqiptar. Edhe kjo pjesë që do arrijë, një pjesë e vogël e saj do përdoret menjëherë për shpenzime konsumi. Paratë përgjithësisht do mbeten në sistemin e qarkullimit dhe te firmat e mëdha, se sa do dalin të ballafaqohen me mallrat e konsumit të gjerë. Ideja se po u rritën rrogat do hamë më shumë është ide banale, “Ideja e bollëkut që sjell çmime të ulëta është ide banale.” ka thënë Marksi. Nuk rritet konsumi, sepse njerëzit janë qenie biologjike me konsum të kufizuar. Me idenë se sa më shumë të ulet çmimi aq drejt zeros shkon koeficienti inflacionit, ka një kufi ulje në çmim dhe në blerje. Kështu që një rritje e lekut në qarkullim nuk do shkaktojë asnjë problem.

Për sa i përket ndikimit që do ketë në kursin e këmbimit të euros, mund të theksoj, se edhe këtu, në total, nuk do ketë ndonjë efekt, sepse në muajt e fundit depozitat në euro kaluan depozitat në lekë duke sfiduar qëndrimin e Bankës së Shqipërisë dhe shumë ekonomistëve të tjerë mbi de-euroizimin. Edhe, nëse do zhvlerësohet leku shqiptar një palë do fitojë dhe një palë do humbasë, deri tani kanë humbur eksportuesit, me këtë veprim mund të humbasin importuesit. Kështu që kemi teorinë e kompensimit, dhe e përgjithshmja është barazia.

Pa humbur kohë Banka e Shqipërisë sipas Ligjeve në Fuqi të printojë 50 miliardë lekë dhe t’ia akordojë Buxhetit të Shtetit!

 

Kjo është mënyra më efikase për të dalë nga kjo gjendje. Të tjerat janë dëshira optimiste, por që nuk mund ta përballojnë këtë gjëmë të perëndisë. Është LEKU shqiptar që edhe kësaj radhe do na shpëtojë, është fat që nuk kemi euron si monedhë të vetme. Greqia nëse do kishte monedhë dhrahminë e saj nuk do ishte futur në atë Depresion aq të thellë, por do ta kishte kaluar shumë herë më butë. Ne e kemi shansin me lekun tonë, ta përdorim, të gjithë do fitojnë, askush nuk do humbë, ekonomia vetëm do rritë frymëmarrjen.