Vedat Beqi, njeriu që i kushtoi gjithë jetën e tij profesionit të mjekut

960
Teksa mora lapsin dhe fillova të shkruaja diçka për personalitetin e intelektualit të Sarandës, tashmë të ndjerë, Dr. Vedat Beqi edhe me ndihmën e familjarëve të tij, mu kujtua një sentencë filozofike që nuk di kush e ka thënë, por me vlera aktuale: “Njeriu që nuk di historinë e kombit të vet, nuk di as veten e tij. Njeriu që nuk di si kanë rrojtur dhe si kanë punuar stërgjyshërit dhe gjyshërit, si dhe prindërit e tij, nuk di se ç’ rrënjë e filiz është”. Ndaj u përcjell mesazhe mirënjohjeje bashkëshortes dhe vajzave të Dr, Vedat Beqi, për ndihmën e tyre, por edhe shumë bashkëqytetarëve për opinionet dhe përshtypjet që dhanë, duke mundësuar të hedhet dritë mbi këtë figurë intelektuale të Sarandës. Vënia në dukje e vlerave të këtyre intelektualëve, mbështetur tek kushtet e kohës kur punuan, përbën një obligim moral, duke u dhënë brezave pasardhës mundësinë e njohjes me këta personalitete, e sidomos të shëndetësisë, e cila si shumë fusha të tjera vinte me një prapambetje dhe mungesë infrastrukture e kuadri. Ndaj kontributi i këtyre individëve, sipas mundësive, aftësive dhe rrethanave ndikuese në interes të shëndetit publik, u jep lexuesve një ide, sado të kufizuar, por të shpejtë, të zhvillimit të shëndetësisë në rastin konkret dhe gjithë procesin e rindërtimit të vendit të pasluftës së dytë botërore e deri në ditët e sotme. Po kush është Dr.Vedat Beqi? Ai u lind më 01 maj 1933 në fshatin Borsh të bregdetit të Sarandës nga prindërit Avni dhe Esma Beqi, familja e së cilës jetonte në Turqi. Familja e të atit ishte e pasur me toka bujqësore e kullota të shumta. Por Vedati shpejt do të mbetej jetim në moshën 5-vjeçare dhe vëllai i tij, Rizai 3 veç, pa nënë, e cila mbeti e vrarë nga bombardimet në një tunel në Vromero, ku qenë strehuar për tu mbrojtur. Humbja e nënës la plagë në zemrën e vogëlushit Vedat, po sikur të mos mjaftonte humbja e nënës, një tjetër dhimbje ju shtua zemrës së tij: pas dy vjetësh vdes edhe vëllai i vogël, Rizai. Në këto kushte, me fëmijë të vegjë e me pasuri dhe në një moshë të re, i ati vendosi të martohej përsëri. Nusja e re që do të hynte në shtëpi të Avni Beqit, Ikbale Kaceli, jo vetëm do të administronte me nikoqirllëk ekonominë e të shoqit, por do t’i kushtonte një vëmendje dhe kujdes edhe mirërritjes, mirëedukimit dhe arsimimit të Vedatit, duke ja lehtësuar disi plagën e humbjes së të ëmës dhe vëllait. Por dhe Vedati do të ruante gjatë gjithë jetës respekt për të. Çlirimi i Shqipërisë do të përfshihej edhe nga kolektivizimi i bujqësisë dhe sekuestrimi i pronave dhe këtij procesi ju nënshtrua edhe familja e Avni Beqit,i cili punoi si punëtor në ish NB-Lukovë në Borsh. Pas demokracisë, familjes i janë kthyer 60 Ha sipërfaqe kullote, por jo e gjitha toka bujqësore. Pas mbarimit të arsimit të detyruar në vendlindje, nisur nga rezultatet e mira në mësime, por edhe gjendjen e mirë ekonomike, prindërit e dërgojnë Vedatin në shkollën e mesme për n/mjek në Tiranë, shkollë të cilën e mbaron me rezultate të shkëlqyera. Falë këtyre rezultateve, pas mbarimit të arsimit të mesëm, do të mbahet në punë si n/mjek në Tiranë për katër vjet. Por ëndrrat e Vedatit nuk mbaruan këtu. Në vitin 1963 përfundon po shkëlqyer Universitetin shtetëror të Tiranës për mjekësi dhe po këtë vit emërohet mjek gjinekolog në maternitetin e Shkodrës, qyteti që do t’i falte shumë kënaqësi, por do t’i hapte edhe shumë telashe. Në Shkodër punoi deri në vitin 1967 dhe në maj të këtij viti transferohet si mjek në qytetin e Sarandës. Qyteti i tij, do t’i ofronte atë çfarë i mungonte në shpirt. Puna si mjek gjinekolog në Sarandë ishte në kushte tepër të vështira, tepër të pamundura për këtë shërbim delikat e me mungesa të shumta mjetesh pune. Fillimisht Vedati përshtati disa ambiente të spitalit të përgjithshëm në formën e klinikës maternitare, me qëllimin që të paktën të përballoheshin disa emergjenca akute, sepse ngarkesa dhe urgjencat në obstet-gjinekologji qenë të mëdha dhe të mos harrojmë se ishte koha kur aborti qe i ndaluar me ligj dhe ndërmarrja e një pengimi të lindjes së padëshiruar në mënyra primitive me iniciativa private sillte mjaft probleme shëndetësore tek këto nëna që i nënshtroheshin abortit primitiv. Dr Vedati ishte i vetmi specialist në këto vite në këtë fushë dhe ka luajtur rol vendimtar në krijimin e maternitetit të Sarandës. Si gjinekolog i vetëm në Sarandë, për shumë vite, i është dashur të përballojë vizitat mjekësore, urgjencat, operacionet si dhe organizimin e këtij shërbimi në gjithë qytetin e Sarandës, në kushtet e mungesës së aparaturave dhe pajisjeve të domosdoshme për këtë shërbim, këto ja bënin vështirësitë më të mëdha, po jo ti tkurrnin vullnetin, pasionin dhe dëshirën për ti shërbyer jetës. Si mjek i vetëm, i këtij profesioni për 18 vite në qytetin e Sarandës, për 22 vjet ishte shef i shërbimit obstet-gjinekologjik të Sarandës, por kurrë nuk e hoqi bluzën e bardhë nga trupi, kurrë nuk ju nda shërbimit ndaj nënave shtatzëna. Kurrë nuk pushoi duke shkuar fshat më fshat të Sarandës dhe bregdetit të Himarës për të organizuar këtë shërbim të shëndetit të nënave, sidomos atyre të reja. Ndaj njihet e respektohet nga çdo fshat e familje dhe nuk ka familje që të mos ndanin gëzimin e lindjes së një fëmije të tyre me Vedatin dhe me qindra janë pacientët që u është shpëtuar jeta, falë shërbimit profesionist të këtij mjeku të përkushtuar totalisht tek jeta njerëzore, ashtu siç janë të shumta çiftet që pas shumë seancash të një terapie i janë gëzuar bërjes prindër, pasi për probleme të ndryshme biologjike të njohura, nuk mundnin të sillnin në jetë krijesën e tyre, por Dr, Vedati ju a mundësonte këtë gëzim duke u larguar trishtimin dhe brengën e shpirtit. Dhe të gjitha këto falë korrektësisë së tij, durimit, saktësisë si mjek, vendosmërisë, dhe guximit për ti çuar problemet deri në fund dhe për këto ka merituar mirënjohjen e pafundme si kur ishte në jetë edhe sot i ndarë nga jeta, mirënjohje e derdhur lumë për këtë personalitet dhe kjo e gjitha falë aftësisë dhe njohurive profesionale të vlerësuara maksimalisht në një nivel të lartë dhe duke pasur në krah k/maminë e njohur Dhoksi Kalivopulli, mamitë Drita Thomagjini, Ngjelo Lepuri, Kasjani Deneko, Parua, Ferideja dhe shumë mami të tjera të përkushtuara që ja lehtësonin punën Dr. Vedatit. Ai ndikoi shumë edhe në përgatitjen e personelit nga ana profesionale, teorike dhe praktike, një personel për të cilin krijoi dhe pati besim. Ai ndikoi shumë edhe në specializimin e shumë mjekëve të rinj, por disa u treguan mosmirënjohës me të, gjë që i krijoi plagë në zemrën e tij humane të rritur mes plagësh e dhimbjesh. Ai qe i ndjeshëm, dinte të falte, por urrente mosmirënjohësit dhe gjithmonë thoshte se duhej të ruheshe nga ta. Por, pavarësisht se këta dy kolegë treguan mosmirënjohjen ndaj tij, ai nuk u ndal në punën dhe shërbimin profesional ndaj pacienteve. Aq sa operacionet e kryera prej tij si dhe sekso–cezonet ishin pothuajse të padukshme dhe puna dhe niveli i tij profesional është vlerësuar nga kolegë, si brenda vendit dhe jashtë shtetit. Si mjek i vetëm për vite me radhë, pati lodhje e stërmundime, po jo tërheqje, një punë që u shpërblye me mirënjohje e respekt që kanë dhe kishin njerëzit për të. Thoshte se forcën e merrte nga kënaqësia për punën e tij, nga dashuria për jetën dhe profesionin human, ku primare pati shërbimin ndaj pacientit. Dr. Vedati shërbeu në maternitetin e Sarandës deri në vitin 1994. Por nuk e la profesionin. Liçensohet dhe hap klinikën e parë private gjinekologjike në Sarandë. Ishte krejt e papritur për të dhe për familjen, pacientët dhe komunitetin, nxjerrja e menjëhershme në pension pa marrë parasysh dhe pa vlerësuar asgjë nga kontributi i tij shumëvjeçar, ndonëse edhe i vetëm si profesionist për shumë vite në këtë fushë. Nuk ju vlerësua asgjë. Veprim që nuk është bërë dhe nuk duhet bërë, për asnjë mjek profesionist të këtij niveli. Ai nuk e meritonte këtë trajtim nga shëndetësia e Sarandës dhe titullarët e sajë, pasi shëndeti nuk ka politikë, por vetëm shërbim në emër të jetës, por ende nuk është vonë për reflektim për të vlerësuar dhe bërë të pavdekshme punën dhe emrin e tij. Dhe këtë më mirë e bëjnë kolegët, njerëzit, organet e pushtetit lokal e të shëndetësisë. Pra ky trajtim do t’i krijonte një plagë të re shpirtërore. Por në krah ju gjend si gjithmonë bashkëshortja e tij, zonja e nderuar, Hasie Beqi, e cila për shumë vite drejtoi Hotel-Turizmin “BUTRINTI” të Sarandës. Hasija thotë, kur e pyesim, se njohja me Vedatin krijoi dhe pak humor, por i solli dhe fat. Qe viti 1970. Hasija sa kishte përfunduar studimet universitare dhe ishte emëruar mësuese e gjuhës ruse në shkollën e mesme bujqësore, shumë me emër në atë kohë, të Delvinës. Ishte e bija e Bastri dhe Tushe Hasanit, familje e varfër ekonomikisht e me tetë fëmijë, ardhur nga Çamëria në vitin 1945 si pasojë e gjenocidit grek dhe vendosur në fshatin Shijan të Sarandës. Të dy prindërit e Asijes qenë punëtorë të thjeshtë në punën e bujqësisë që me mundime të mëdha mundoheshin të rrisnin e arsimonin fëmijët dhe me sakrifica të mbanin e rimëkëmbnin ekonominë e familjes. Rroga e Asijes si mësuese u erdhi shumë në ndihmë familjes dhe fëmijëve të cilëve shpesh u mungonte edhe buka, por jo dashuria për këta prindër që sakrifikonin shumë për ta. Bastriu qe shumë i ndershëm, korrekt dhe i besës, por shumë i rreptë me fëmijët, shumë autoritar. Hasija, si mësuese dhe vajzë e re, kishte dhe ëndrrat e sajë për një veshje të mirë e të bukur, por e detyruar nga kushtet ekonomike të familjes, rrogën ja dorëzonte të atit. Shkonte dhe vinte përditë nga fshati në shkollë me urban, sa një ditë i buzëqeshi fati. Të premteve të çdo jave, mjekët shkonin në Delvinë për vizita. Kjo qe kthyer në traditë. Dhe në njërën nga këto të premte, një mjek , miku ynë, më prezantoi në autobus me Vedatin. Kjo qe pikënisja dhe filluam të takoheshim shpesh, po pa u zgjatur në kohë. Pas gjashtë muajsh Vedati vjen dhe takon babain tim tek klubi i fshatit. I kërkon dorën time sipas zakonit. Kur babai më pyeti me atë dyshimin dhe merakun atëror në këto raste unë i thashë se neve jemi fukarenj, me shtëpi të pasuvatuara. Unë, ndonëse mësuese, përsëri në verë punoja në bujqësi dhe ndihmoja familjen. Do të flas e sqarohem me Vedatin. Babai tundi kokën duke më thënë se ti do vendosësh, po mendohu mirë për vete. Pashë lot në sytë e tij. Shpirtin ma mundonte një frikë e brendshme, frikë që vinte nga fakti se ai qe me gjendje të mirë ekonomike , ndërsa neve jo dhe kjo mos e çonte në përçmim ndaj familjes sime e nuk më linte më ti ndihmoja prindërit dhe vëllezërit e motrat e mia. Aq të varfër ishim sa nuk bëmë as dasmë dhe në Borsh në familje të vedatit shkova me një automjet që përdorej si ambulancë. Në Borsh bëmë darkë. Vedati nuk e përçmoi kurrë familjen time, përkundrazi i respektoi dhe ndihmoi ekonomikisht. Ishin familje e pasur dhe fisnikë. Pas martesës filluan edhe sulmet ndaj Vedatit nga seksioni i shëndetësisë, nga njerëz mediokër që kishte lidhje me jetën private të Vedatit para se të martohej me mua, arsye që qe transferuar edhe nga Shkodra në Sarandë. Dua të shpreh edhe mirënjohjen për bashkëqytetarët sarandjot që më respektuan dhe nuk ranë viktimë e shpifjeve dhe thashethemeve të këtij kallëpi që donin si e si të baltosnin Vedatin dhe familjen e tij. Po nga ç’do kurth, akuza false, ngado që vinin ato, na shpëtoi ndershmëria jonë, respekti për njerëzit, profesionalizmi i Vedatit , sinqeriteti i punonjësve të maternitetit, bëmë ti përballonim dhe ti sfidonim me dashurinë për njëri-tjetrin dhe mbështetjen time të pakufishme ndaj tij. Sa herë dilnim vizita ose xhiro,nuk kalonte ora dhe e njoftonin të paraqitej në urgjencë. Gjithmonë linte adresë të saktë. Ishte i vetmi mjek në specialitetin e tij. Vinte sanitarja dhe e lajmëronte dhe ktheheshim të dy. Unë e prisja në zyrë deri sa mbaronte. Shpesh i çoja edhe për të ngrënë aty. 70% të kohës e kalonte në maternitet me pacientet, herë edhe fshatrave. Gjatë kohës që rinte në maternitet, kur qe gjendja e qetë e normale, lexonte libra mjekësorë, nuk i ndau kurrë. Por edhe romane të letërsisë shqiptare e botërore lexonte shumë. Nxjerrja në pension dhe mënyra se si u veprua e vranë shumë mjekun pasionant e profesionist të Sarandës, mjekun e përkushtuar ndaj detyrës humane nuk e vlerësuan, madje edhe kur kërkonte të vinte në maternitet për konsulta, mosmirënjohësit nuk e lejuan. Deri këtu arrinte shpirtligësia e mosmirënjohësve, dikur të ndihmuar prej tij. Por populli thotë, se të mirën që bën shkruaje në rërë, atë që të bëjnë shkruaje në mermer. Koha kthen dhe jep mundësinë e konkretizimit të mirënjohës. Dhe Hasija, përveçse bashkëshorte, nuk ja harroi respektin për të dhe familjen e sajë. Hasija , si drejtuese e shumë viteve të turizmit të Sarandës do të përshtatej me ndryshimet dhe ekonominë e tregut duke filluar tregtinë me shumicë të fruta-perimeve nga Greqia, kështu që i kishin rregulluar problemet ekonomike dhe nuk e kishin problem rrogën e Vedatit. Po Vedati nuk rrinte dot, nuk ndjehej mirë. Dhe Hasija, për t’i krijuar mundësinë, i hapi një klinikë private me mjete bashkëkohore, por në një shërbim të kufizuar. Vedati kishte qejf shumë peshkimin. Qetësohej nga sulmet e dashakeqësve. Gjatë gjithë karrierës së tij pati vetëm një rast vdekjeje nga një abort i provokuar privatisht me mjete primitive që pacientes, pas hemorragjisë, i shkaktuan vdekjen. Përsëri u munduan ta godisni, por drejtësia nuk u dha të drejtë. Po përsëri ata. Aq sa kur bleu një motoçikletë nga kooperativa e Borshit, me ndihmën e kryetarit Bedo Mici, e sulmuan se si familje e pasur në origjinë, shpirti i kish mbetur tek prona private. Përsëri dështuan. Kështu i kaloi jeta deri në vitin 199, vit kur Vedat Beqi u largua nga kjo botë në mënyrë enigmatike dhe me diagnozë të dyshimtë për familjarët e tij, lidhur me shkakun e vdekjes.
Ai la pas një emër plot respekt e mirënjohje. Miqtë i pati të thjeshtë, si veten, miq që ju gjendën në krah në situata të vështira si Musa maçi, Haki Dauti, Ibrahim Balili dhe shumë e shumë të tjerë. Opinioni qytetar është mjaft vlerësues. Ata janë të shumtë e të shtresave të ndryshme shoqërore, por ne po përmendim disa prej tyre: -Nevila Demi:-Duart e këtij njeriu më nxorën në dritë. Një mjek model, një specialist i mrekullueshëm, një hero(që në kushte nga më primitivet) me aftësitë e një profesionisti të shkëlqyer, ka shpëtuar kaq e kaq jetë nënash e fëmijësh. Një respekt e mirënjohje të pafund!
2-Ilirjan Çukari:-Vedati, i thjeshtë e fisnik!Nga ata njerëz që duhen çmuar e respektuar! Saranda , ku ai ka kontribuar me pasion profesional dhe dashuri njerëzore, i detyrohet ta përjetësojë emrin e tij në historinë e qytetit. Nderime për mikun tonë!
3-Ina Çaçi-Jakubini:-I jam mirënjohës doktor Vedatit për përkushtimin dhe ndjesinë e paharruar për mua që pata kur erdhi në sallë dhe thashë me vete se tani do shpëtoj. Ndonëse kanë kaluar 23 vjet nga lindja e vajzës, nuk mund ta harroj, ja dedikoj jetën.
4-Nikoleta Rako:-Më ka shpëtuar djalin dhe veten time. Ishte nga më të veçantët. Mjek shumë i nderuar!
5-Lindita dauti-Bllaca:-Sa shumë vlera i dha qytetit. Sa shumë njerëzve u dha më të shtrenjtën gjë:Familjen!
6-Gazmend Poka:-Vedati ishte burrë i nderuar dhe i respektuar. Ka mbetur në memorie si model i së mirës.
7-Katerina Mihali:-Vedatin, edhe këtu në kurbet ku jam, e kujtoj dhe nuk e harroj!
8-Anastas Nika:-Njeri familjar dhe mjek i mrekullueshëm!
9-Evanthi Kasi:-Respekte dhe mall për doktor Vedatin!
10-Zamfir Muça:-Respekte për këtë figurë të nderuar!
11-Ina Kocaqi-Xoxa:-I shkëlqyer!Gëzoji respektin e të gjithëve dhe mirënjohjen e sa e sa nënave!
12-Thoma Nika:-I paharruar, është pak të themi për mjekun erudit. Personaliteti i tij le t’i bëj të ndihen keq ata që betimin e Hipokratit e kanë shkëmbyer me rolin e hipokritit. Respekte!
Pra janë të shumta opinionet dhe përshtypjet qytetare, ku shprehet respekti dhe mirënjohja për këtë mjek të pa kursyer, por edhe kërkesa e tyre, që emri i tij të përjetësohet dhe shpresojmë që nga institucionet, zëri qytetar të dëgjohet. Ndërkohë që në sirtar qëndron një projekt-vendim NR:109 datë 21/11/2002 ku Vedat Beqi është propozuar për “Qytetar Nderi i Sarandës”, po nuk dihet arsyeja e mos zbardhjes së këtij propozimi me status projekt-vendimi. Por vërtetohet edhe thënia popullore: Bëmë baba të të ngjajë! E themi këtë, sepse vajza e madhe, Alketa Beqi ka ndjekur rrugën e të atit duke filluar si infermiere dhe më pas, pas përfundimit të kolegjit në SHBA, rezultatet e sajë të larta e emërojnë si supervizore në Winchester Hospital, njëkohësisht ka përfunduar MASTER dhe jep mësim me studentët dhe po shkon drejt përfundimit të PHD. Personaliteti dhe rezultatet e Alketës u ka rënë në sy edhe mediave amerikane, të cilat i kanë kushtuar vëmendje dhe vend në audiencat dhe faqet e tyre. Ndërsa emri i Dr Vedatit pret të vihet në vendin që i takon, sepse edhe ditën e fundit të spitalit, ai shkonte dhe vizitonte mikun e tij në reaminacion, mikun e tij nga Çuka që e thërriste me dashuri në mbiemër, miku Boçari dhe nuk mendonte se e shikonte për herë të fundit, nuk e mendonte se pas gjysmë ore do të ndahej nga kjo jetë. Mirënjohje dhe respekt, mjekut human Vedat Beqi!

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 27.01.2016
Sigal