Vasil Premçi/ Ali Abdihoxha, një meteor në qiellin e letërsisë shqiptare!

2592
Sigal

Më 15 shtator të vitit 2014,  u nda nga jeta shkrimtari Ali Abdihoxha. U shua edhe një meteor në qiellin e letërsisë shqiptare! Çdo shkrimtar, duke e ditur dobësinë e mistershëm të kujtesës, (shkrimtarët me përvojë nuk i zënë besë asaj) ngrihet menjëherë, ditën ose natën, sikurse unë tani dhe  hedh me të shpejtë në letër copëzat e mendimeve që më kanë pataksuar aq papritur me rrëmujën e tyre. I di edhe rreziqet bashkudhëtare të kësaj përvoje; përballë lumit të tyre të rrëmbyer mbetesh si gauk, sepse nuk di nga t’ia fillosh. Po, a nuk ndodh kështu edhe kur dëshiron të shkruash një poezi apo tregim? Ah, ai vargu apo rreshti i parë! Jo më kot, shkrimtarët me përvojë i këshillojnë më të rinjtë që, kur ta kenë pisk me rreshtin apo vargun e parë, të kapërcejnë me guxim tek vargu apo reshti i dytë! A mund ta shquash dot britmën  dëshpëruese të njërit prej atyre zogjve që gatitet për fluturimin e largët në mes të turmës së harbuar që nxin e gumëzhin mbi pemë, mbi linjat e tensionit të lartë apo reve që formojnë turmat e tyre laramane atje lart në qiell?

Përpiqem të qëndroj fort me këmbët  në tokë. Shkurt, të largoj nga vetja, apo të vendos  sadopak rregull në lëmshin e mendimeve që më zhurmojnë në kokë. Dhe shkruaj në fletën e bardhë:

Dje u nda nga jeta shkrimtari Ali Abdihoxha…

Dhe sërish, gjendem para lumit të rrëmbyer të mendimeve: Nga e mësova vdekjen e  tij? Në raste të ngjashme si ky, njëkohësisht me njoftimin në telefon nga një shok apo mik i përbashkët, do ta dëgjoja kumtin kobzi edhe nga televizonet dhe shtypi. Por kësaj here, dëgjova vetëm zërin e mikut tim, Pandeli Koçi:

       -Sapo mësova për vdekjen e Ali Abdihoxhës. Pasi të mësoj nga familjarët e tij edhe për orën e ceremonisë mortore, do të njoftoj edhe Ministrinë e Kulturës. Me siguri që do t’i organizohet ceremoni mortore. Ali Abdihoxha ka qenë  jo vetëm një shkrimtar i njohur, por edhe një personalitet  i kulturës tonë kombëtare. Ka punuar për një periudhë të konsiderueshme kohore si zv/ministër i arsimit dhe drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”.

 *      *           *

Heshtja

Por, jo! Televizionet nuk pipëtijnë as edhe një fjalë të vetme për vdekjen e shkrimtarit të njohur Ali Abdihoxha. Ato dhjetëra televizione, radio e gazeta të cilat  gumëzhijnë dhe të marrin mendjen me lajme si: “Guvernatori Fullani hetohet në gjendje arresti shtëpie”. Apo:

Guvernatori Fullani gjatë ndjekjes penale në shtëpi, do survejohet nga byzylykë elektronikë që i janë vendosur në këmbë…”.

Si mund të ndodhë kështu, që, duke përjashtuar një shkrim të publicistit dhe shkrimtarit Kolec Traboini, asnjë televizion apo gazetë,  “e/i pavarur” ose  privat, që komandohet me dorë të hekurt, gati me rregullore ushtarake, njësoj si një togë ushtarësh nga komandanti i tyre, nuk dha asnjë lajm mbi ndarjen nga jeta të Ali Abdihoxhës?!

Qysh në orët e para Ali Abdihoxha u reshtua  në radhët e  luftëtarëve të lirisë, të Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare  për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë. Pas çlirimit  të vendit vijoi studimet e larta në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë.

Zv/ ministër i Arsimit

Gjatë jetës së tij u ngarkua me detyra të rëndësishme në zhvillimin e  kulturës dhe arsimit kombëtar duke kryer detyrën e zv/ministrit të arsimit.  Për një periudhë kohore  1967-1973 kreu edhe detyrën e Drejtorit të Shtëpisë Botuese Naim Frashëri. Kolegët e kujtojnë si një drejtues të përkushtuar, korrekt dhe që dinte të dëgjonte mendimin e të tjerëve. I përmbajtur në dhënien e mendimeve, sa tolerant aq dhe i kujdesshëm në marrëdhëniet me  stafin e punës. Ndërsa lexuesit e shumë brezave në vendin tonë e njohin atë  nëpërmjet mjaft tregimeve me përmbajtje jetësore, në të cilat spikat fryma patriotike e atdhetare. Falë talentit dhe punës së tij vetëmohuese,

Krijimtaria

 Ali Abdihoxha do të bëhej një ndër prozatorët më të njohur  të letërsisë së kohës, në veprat e të cilit u ngrihet përmendore djemve dhe vajzave të popullit që luftuan dhemb për dhemb me okupatorët nazi-fashistë për çlirimin e atdheut gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Disa prej romaneve të tij  janë botuar edhe në gjuhë të huaj. Ali Abdihoxha ka botuar veprat:

Një vjeshtë me stuhi; roman -1959 ribotuar disa herë, 

Ëndra dhe dritë; tregime -1963 ribotuar disa herë,

Tri ngjyra të kohës; roman 1970
Probleme të zhvillimit të  letërsisë sonë -1970 , studime dhe mendime kritike,

Dueli i madh, roman 1975, ribotuar disa herë,

Sfida -1987

Mirazh-1978

Vila në periferi, roman  -1982 

Vepra letrare  në 7 vëllime -1983 

Kronika e një nate, roman – 1984 

 –Sarajet–1997

 

                                  *    * *

Gazetar apo shkrimtar

Nuk kam asgjë me gazetarët, madje di që, Heminguei apo Dino Buxati, majave të letërsisë që mbërritën,ia dinë për nder këtij profesioni, veçse dukë zbatuar një këshillë fare të vockël:

“Një gazetar i mirë, për t’u bërë një shkrimtar i mirë duhet të dijë me saktësi kohën kur duhet të braktisë gazetën, ndryshe…”

Ndryshe do të përpiqet të mbulojë diellin me shoshësa herë që ia do puna. (Me fjalën “punë”, duhet të kuptojmë periudhën kohore të jetës së tij si gazetar).

Më erdhën ndër mend dhjetëra raste kur gazetarët e rënë në hall, përpiqen të bëjnë lajme sensacionale. Madje, për të zbuluar ndonjë sosh, janë gati të futen edhe në vrimën e miut.

Midis tyre, kohët e fundit,  ka fituar të drejtën e qytetarisë principi se: “Nëse një qen kafshon një njeri dhe rrezikohet të humbasë jetën, nuk është më lajm. Lajm është kur ky njeri kafshon qenin!”

Slogani i mësipërmi gazetarisë moderne, është mjaft amatoresk, përballë përvojës së një gazete që, për të shtuar tirazhin e shitjes së numrit të radhës, përdori një titull bombastik, si ky: “Presidentit i fiken dritat!” Dhe lexuesi i gjorë i gazetës në fjalë, nis e shqyen sytë, të gjejë në ndonjë  rresht të shkrimit, faktin se, presidenti i një vendi të vogël, si Shqipëria,   (Cili? Meidani, Moisiu, Berisha apo Nishani? Të cilët,  kur e kur me sjellje delirante, në shumicën e herës, u dëshmuan si mbrojtës besnik të interesave të një klani apo të partisë që u përkasin dhe jo halleve të popullit apo shtresave të varfra, me eskorta shoqërimi dhe ambulance moderne). T’i ketë ndodhur hataja dhe t’i jenë fikur dritat?! Pastaj, duke kaluar rresht pas rreshti mëson se, bëhet fjalë për “presidentin e firmës së gozhdë-bulonave”. Atëherë i bie njeri hilesë së gazetarit finok dhe aty për aty vendos të heqë dorë një herë e përgjithmonë  nga gazeta në fjalë.

Ndonëse janë të mjaftueshëm shembujt e mësipërm, por edhe fakti për të cilin bën fjalë ky shkrim, në një farë mënyre dëshmojnë për përmasat e krizës shpirtërore të shoqërisë shqiptare, e cila  është shumë herë më e rëndë se kriza ekonomike e politike, ciklet dhe rikuperimet e të cilave janë afatshkurtra.

Në përfytyrimin tim,  një shkrimtar dhe vepra e tij ngjason me bletën dhe mjaltin që ajo prodhon. Përfytyroni për një çast punën e bletës për zbulimin e ushqimit (sipërfaqeve të lulëzuara), endjen  lule më lule, mbledhjen e nektarit dhe të polenit… A nuk ngjet kështu edhe me shkrimtarët që mbledhin lëndën  e librave të tyre?

Në këtë kuptim, jeta e bletës (shkrimtarëve)shndërrohet edhe në një farë “termometri” që tregon pastërtinë shpirtërore të një shoqërie. Jo më kot  mendja më gjeniale shekullit XX dhe autori i teorisë së relativitetit, Albert Ajnshtajni, pas vëzhgimeve të jashtëzakonshme ekzistenciale të  jetës  së  shoqërisë njerëzore, në një moshë të shtyrë, duke iu referuar asaj, shpërfaqi  një vlerësim paksa të çuditshëm dhe  të panjohur më parë:

“Katër-pesë vjet pas vdekjes së bletëve, shoqëria njerëzore do të pësonte fatin e tyre”.