“Vajza në tren”, në shqip nga Botimet Morava

1585
“Vajza në tren” është cilësuar si libri i 2015-s. I botuar në fillim të vitit, gjatë gjithë këtyre muajve është libri për të cilin flasin të gjithë. Qëndron në krye të listës së bestsellerëve për 18 javë me radhë, cilësuar sipas “The Guardian”, libri që theu rekordet e shitjes të të gjitha kohërave në Britaninë e Madhe. “Vajza në tren” i vjen në shqip lexuesit tonë nga shtëpia botuese MORAVA. Kur shtëpia botuese amerikane Riverhead Books mori përsipër të botonte një roman thriller nga një autore e panjohur angleze, u duk sikur mori mbi vete një rrezik të madh. Jo gjithmonë romancat e huaja janë koherente me shijet e lexuesit amerikan, aq më tepër që për Paula Hawkins ky ishte libri i parë. Brenda 7 muajve libri u ribotua 27 herë dhe numëron 3 milionë kopje të shitura vetëm në SHBA dhe vazhdon të mos shënojë rënie. “Bëhuni gati të magjepseni, të fiksoheni… “Vajza në tren” është nga ata libra që do të donit t’ia jepnit për ta lexuar kujtdo që njihni, me qëllim që ta ndani me ata fiksimin e të lehtësoheni”.
Fragment libri
Rejçëlli i hipën çdo ditë të njëjtit tren. Çdo ditë kalon nëpër të njëjtën rrugë, buzë disa shtëpive në rrethina dhe, kur treni ndalon te sinjali, sheh po të njëjtin çift që ha mëngjesin në verandë. Nisin t’i duken si të njohur. “Xhesi dhe Xhejzoni”, i quan me vete. Në sytë e saj, jeta e tyre duket e përsosur. Krejt ndryshe nga jeta e vet. Pastaj sheh diçka tronditëse. Kalon vetëm një minutë derisa niset treni, por aq mjafton. Gjithçka ndryshon. Meqë nuk e mban dot për vete, Rejçëlli ia tregon policisë atë që di dhe ngatërrohet keq me gjithçka ndodh më pas dhe me jetën e gjithë njerëzve të përzier në këtë çështje. Mos vallë bëri më tepër dëm se mirë?  Gjithë të tjerëve në atë vagon duhet t’u jem dukur normale, sepse bëja gjithë çka bënin ata: shkoja në punë, lija takime, hiqja gjërat nga lista. Por vetëm në dukje.

Paula Hawkins, një gazetare e kthyer në romanciere, ka sjellë një libër hit. Rrëfimi ndahet mjeshtërisht mes tri grave, jetët e të cilave ndërthuren tragjikisht: Rejçëll, Megan dhe Ana. Në fillim takojmë Rejçëllin, e cila hipën çdo ditë në të njëjtin tren. Një punëtore e lodhur, si shumë të tjera, përveç faktit që në çantën e saj gjen gjithmonë xhin me tonik.  Gjatë udhëtimit me tren, Rejëëll e heq gjithmonë vështrimin kur arrin pranë shtëpisë numër 23: shtëpia e saj e vjetër, ku tashmë ish-burri i saj jeton me gruan e re, Anën. Ndërkohë, Rejcëll është fiksuar pas shtëpisë numër 15 ose më mirë pas çiftit që jeton në të: Xhes dhe Xhejzon, siç i quan ajo. Në sytë e saj, jeta e tyre duket e përsosur. Krejt ndryshe nga jeta e vet. Pastaj sheh diçka tronditëse dhe kur lexon në gazetë se “Xhesi”, që në fakt quhet Megan, është zhdukur, Rejçëll vendos të flasë me policinë. Ajo është e bindur se “Xhejzoni”- i dyshuari kryesor për zhdukjen e së shoqes dhe që në të vërtetë quhet Skot, nuk do ta lëndonte kurrë gruan e tij. Por Rejçëlli e alkoolizuar nuk mund të jetë një burim i besueshëm… 
Sigal