Hysen Ymeri: Nën hundën e serbëve rrëmbyem avionin amerikan elektronik të rrëzuar, më 16 maj 1999

    513
    Serbi me mortajat jo në pozicione të zakonshme, pra në kreshtë po kërcënonte se do t’u binte shtëpive të  Fshatit, kur e dinim që në secilën shtëpi kishte jo më pak se 15 vetë, atëherë urdhërova largimin e dy tre mjeteve  për dalje nga fshati. Serbët sapo panë lëvizjen e mjeteve në dalje të fshatit, filluan kacavjerjen në drejtim të  pozicioneve të tyre pra ,në këtë mënyrë vendosëm të dy palët, atë që duhej bëre. Shumë nga oficerët dhe efektivi  më nxisnin për sulm me zjarr ndaj serbëve. Sidoqoftë fitoi arsyeja ndaj motivit. Do të ishte bërë katraur, ata  ishin ushtarë e oficerë aventurierë e gjithçka mund të prisje prej tyre. Ishin ushtri e shpartalluar në atë kohë, çdo  veprim i tyre ishte i pakomanduar dhe për të nxjerrë dufin e humbjes ata mund të bënin gjithçka. Nën hundën e serbëve rrëmbyem avionin amerikan elektronik të rrëzuar, më 16 maj 1999. Pak ditë më vonë një grup i kryesuar nga shefi i zbulimit i batalionit, major Maksim Jaupi, lëvizi me guxim e fshehtësi. i maskuar nëpër rajonin e minuar në afërsi të postës sonë kufitare në Stoberdë, të kapur që para dy muajsh nga serbët. Duhet të zbulonin e të tërhiqnin pjesët kryesore të një avioni amerikan pa pilot e të telekomanduar nga 7 mijë metra, që kishte rënë në atë zonë. Katër prestarët e grupit special mundën të afrohen deri tek avioni, të cilin serbët e mbulonin me snajper e mitraloz dhe nën hundën e tyre morën pjesët kryesore, të cilat ishin dhe fjala e fundit e shkencës amerikane në këtë fushë. Gjatë gjithë kohës që grupi vepronte, një grup tjetër i batalionit, i mbante nën vëzhgim lëvizjet e tij si dhe të snajperit serb. Për hir të fshehtësisë së veprimeve pati dhe moment që major, Maksi e ndërpreu ndërlidhjen në radio me ne. Ishte situatë ankthi, por që kaloi shpejt me daljen nga zona e rrezikshme, ku grupi ynë mund të diktohej e të binte nën zjarrin e snajperit e mitralozit serb. Tërhiqemi në Kam nën zjarrin e artilerisë serbe. Të detyruar nga zjarri artilerisë serbe direkt mbi vendislokimin tonë, në Zogaj, vetëm pas katër orësh të qëndrimit në një zgafelle me ujë deri në brez, në pritje të ndalimit të zjarrit, mundëm të dalim të ngarkojmë gjithçka mbi mjete dhe të ridislokohemi në spitalin e qytezës së minierës së Kamit, që ishte braktisur e shkatërruar muaj më parë.
    Oficerë të CIA-s marrin në dorëzim pjesët e avionit spiun
    Jo më shumë se pas 6-7 orësh, në batalion erdhën dy oficerë të CIA-s, të interesuar për të marrë pjesët e kapura të avioni të telekomanduar: radion, kamerën, kutinë e zezë dhe gjithë të tjerat që ne kishim marrë. Ata ishin shumë të interesuar për këto pjesë dhe na falënderuan e na përgëzuan për veprimin tepër të guximshëm e profesional të grupit tonë special. Më bëri përshtypje të veçantë veprimi i komandantit të grupit amerikan “Delta”, i cili jetonte e vepronte, tashmë, në batalionin tonë. Ai ishte që në fillim të takimit me përfaqësuesit e CIA-s. Në syrin tim me plot autoritet u kërkoi dokumentin e identifikimit. Ata, pa asnjë hezitim u përkulën dhe nxorën nga qafa e çorapes dokumentin dhe ia dhanë oficerit të Deltave. Atë darkë i prita mirë dhe pjesët e avionit ua dorëzova, pasi mora konfirmim direkt nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, megjithëse grupi i tyre ishte i shoqëruar nga dy oficerët tanë të SHIKU-t e të Policisë Ushtarake. 

    Bashkëveprim me avionët gjuajtës-bombardues të NATOS në bazën e Avianos në Itali
    Një natë, kur një grup artilerie, në thellësi të kufirit me Kosovën, godiste me zjarr në afërsi të fshatit Kepenek, ne  nisëm menjëherë në autokolonë marshimi për të dalë përpara fshatit Zogaj e Kepenek, të hapur për çdo rast  në formacion luftimi, në mbrojtje, në pozicionet e caktuara, që kur ishim të dislokuar në muajin mars. Gjatë  lëvizjes së autokolonës sonë, artileria serbe godiste përgjatë xhadesë ndaj kolonës sonë. Pasi komandanti i  grupit të artilerisë së obuzave 122 milimetër, me pozicione zjarri në Krumë, na dha përgjigje negative për mundësinë e neutralizimit të artilerisë serbe në veri të malit të Kralicës për shkak të mos mbërritjes së predhave, i kërkuam grupit amerikan “Delta” t’i bënte thirrje Bazës Ajrore të Avianos e t’i kërkonte të jepte goditje me gjuajtësit e bombarduesit mbi grupin e artilerisë serbe në fjalë.  Pas jo më tepër se 15-20 minutash skuadrilja amerikane kaloi mbi kokat e kolonës sonë, që vazhdonte lëvizjen për të dalë përpara Zogajt dhe jo më larg se 200-300 m nga brezi ku binin predhat e artilerisë serbe. Mendoj se ishte ajo skuadrilje që e bëri të heshte grupin e artilerisë serbe, madje deri në mbarim të luftës zjarri i saj nuk u pa e nuk u ndje më nga vrojtuesit tanë.
    Gjenerali me tre yje Henrik, komandant i forcave tokësore të NATO-s u prit në malin e Dobrushës nga unë, kolonel Hysen Ymeri
    Në ditët e para të majit u njoftuam nga gjeneral, Kudusi Lame se do të prisnim në Malin e Dobrushës një grup amerikan rikonicioni, të kryesuar nga gjenerali me tre yje Henrik, në atë kohë ishte komandant i Forcave Tokësore Amerikane, që pritej të angazhoheshin në operacione kundër serbeve në këto rajone. Gjenerali amerikan zbriti me helikopter, i shoqëruar nga një grup i madh sigurimi, si dhe gjeneral Aleks Andoni e gjeneral Kudusi Lama. Zbritja nga helikopteri dhe qëndrimi në këtë rajon për 4- 5 orë i grupit të gjeneralëve u sigurua dhe nga tri grupe speciale të batalionit tonë.  Në këtë rast patëm fatin të rrinim në shoqëri me amerikanin Henrik dhe të drekonim bashkë me të. Jo më  shumë se 15 km në vijë ajrore ishte kufiri me serbët. Pesëdhjetë metra nga vendi ku u ulëm të drekonim ishin  pozicionet betoni lë zjarrit të një grupi tonë obuzash 122 milimetër. “Në këto kushte,- iu drejtova gjeneral Henrikut,- jemi të siguruar dhe nga shiu i zotit dhe nga ai i serbit”. Duke nënkuptuar ndonjë zjarr të befasishëm të artilerisë serbe, siç dhe kishte ndodhur 20 ditë më parë më Helshan ndërkohë që ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga mbante fjalim në një takim me efektivat e reparteve e nënreparteve, që ishin vendosur në këtë zonë të mbrojtjes së Divizionit të Kukësit.

    Ditët e fundit të qershorit të vitit 1999, me fillimin e tërheqjes së forcave serbe nga territori i Kosovës dhe situata në kufirin tonë u qetësua thuajse plotësisht. Me 25 qershor mora urdhrin për lëvizjen e batalionit e kthimin në Tiranë. Edhe gjatë lëvizjes së autokolonës së Batalionit Special nga Hasi për në Tiranë, në malin e Sopotit, rreth Qafë Prushit e Krumës, vazhdonin të dëgjoheshin qitje sporadike të artilerisë serbe. Pak ditë pas kthimit në Tiranë, Kryeministri Pandeli Majko organizoi një takim në selinë e Kryeministrisë me komandantët e njësive dhe reparteve dhe me kuadro kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm. Një javë më vonë pas këtij takimi me forcat që u dislokuan e vepruan në mbështetje të njësive e reparteve të Divizionit të Kukësit, për përballimin e situatës në veri të vendit gjatë luftës në Kosovë dhe provokimeve të ushtrisë serbe, u organizua dhe u zhvillua një parade me pjesëmarrje të kufizuar forcash. Me gjithë këmbënguljen e specialistëve turq për të filluar stërvitjen e ndërprerë, me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, batalioni kaloi në fushim veror 10 ditë në Rrashkull, në bregdet. Pa i mbushur mirë këto 10 ditë u urdhëruam të niseshim për në Bajram Curr, në përforcim të sistemit të ruajtjes të reparteve ushtarake të dislokuara në këtë rreth. Periodikisht në afërsi të këtyre reparteve kishte pasur provokime e ngacmime, mbase dhe nga njerëz të nxitur, nga grupe të forcave të ndryshme politike.
    Sigal