Strategjia ushtarake e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

1031
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Situata e krijuar dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua dhe veproi prej 10 qershorit të vitit 1879 deri më 30 prill të vitit 1881, në periudhën e krizës që kishte përfshirë Lindjen. Kriza Lindore e viteve 1877-1878 e shoqëruar me përfundimin e luftës ruso-turke dhe disfatën e Turqisë, përkeqësoi autoritetin dhe aftësitë e kësaj perandorie për të ruajtur sferën e influencës mbi shtetet që kishin qenë pjesë e saj. Situata e krijuar me Turqinë dhe veçanërisht vendimet e Kongresit të Berlinit, të vitit 1878, i cili parashikonte copëtimin e trojeve shqiptare në interes të vendeve fqinjë, shtoi rreziqet për Shqipërinë. Në këto situata, Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët shovinistë të Shqipërisë nuk njohën kombin shqiptar dhe nxituan ta copëtonin atë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit mëshiroi në të njëjtën kohë edhe vetë lëvizjen kombëtare që zhvilloi populli shqiptar për të realizuar programin e Rilindjes Kombëtare. E lindur në situata kërcënime e agresione, Lidhja qysh në fillimet e saj mori përmbajtjen e një organizate politike me karakter të theksuar luftarak. Synimi i saj kryesor ishte të mos lejonte copëtimin dhe aneksimin e tokave shqiptare nga shtetet fqinje dhe të arrinte shpalljen e autonomisë nga Porta e Lartë. Meqenëse kërkesat e Lidhjes nuk u morën parasysh, lufta me armë për mbrojtjen e territoreve shqiptare u bë objektivi kryesor politik dhe ushtarak i veprimtarisë së saj.

Konceptin strategjik dhe strategjia ushtarake
Në përputhje me strategjinë politike, si qëllim kryesor të luftës, Lidhja përcaktoi mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe thyerjen e çdo agresioni të mundshëm nga jashtë. Nisur nga ky qëllim, lidhja përcaktoi edhe konceptin strategjik, thelbin e të cilit e përbënte kryesisht karakteri mbrojtës i luftës, por pa hequr dorë nga lufta për çlirimin dhe rimarrjen e territoreve të pushtuara nga Mali i Zi dhe Serbia gjatë viteve 1877-1878. Në këtë kuadër ajo formuloi edhe strategjinë e saj ushtarake, objektivat kryesorë të së cilës ishin: organizimi dhe kompletimi i ushtrisë vullnetare; pajisja dhe armatimi i saj; hartimi i planeve për mbrojtjen e territoreve si dhe të kundërmësymjes për çlirimin dhe rimarrjen e territoreve të pushtuara; organizimi i prapavijës dhe zgjidhja e problemeve të drejtimit etj. Në kërkesat e saj për mobilizimin e burimeve njerëzore, lidhja synonte për një angazhim mbarëkombëtar, baza kryesore e të cilit do të ishte vullnetarizmi i tyre. Kriteri bazë i mobilizimit mbështetej në traditën shumë shekullore “një luftëtar për shtëpi”, por në raste të situatave kritike dhe në krahinat kufitare shpesh gjente zbatim parimi “tre luftëtarë për shtëpi”. Forcat e Armatosura do të quheshin “Roja Kombëtare” dhe bazuar në regjistrimin e popullsisë të bërë nga Lidhja do të arrinte në 260.000 veta. Në varësi të situatës, koncepti për mobilizimin e popullsisë do të realizohej i pjesshëm dhe i përgjithshëm. Mobilizimi i pjesshëm do të bëhej për kompletimin e reparteve dhe njësive që do të përdoreshin për mbrojtjen e zonave kufitare në rast mësymje të armikut. Mobilizimi përfshinte moshat 15-70 vjeç. Të mobilizuarit, grumbulloheshin në “Kampe Ushtarake”, në të cilat pas organizimit në reparte dhe njësi, i nënshtroheshin stërvitjes ushtarake. Qendra të tilla u krijuan në rajonet kufitare si në Ulqin, Shkodër, Plavë, Guci, Pejë, Novipazar, Gjakovë, Shkup etj.

Risia ushtarake shqiptare, korpuse dhe divizione
Struktura e “Rojës Kombëtare” do të përbëhej nga pesë korpuse, prej tyre katër në Shqipërinë e Veriut dhe një në Shqipërinë e Jugut. Çdo korpus do të përbëhej nga disa brigada dhe në tërësi do të ishin forca këmbësorie. Në disa drejtime forcat e Lidhjes u përforcuan me artileri, mjete lundruese, ndërlidhje, shërbim të zbulimit, reparte shëtitëse dhe reparte të mbrojtjes së kalave. Në planet e Lidhjes kërkohej që në çdo batalion këmbësorie të formohej kompania kalorëse e cila do të përdorej për transport njerëzish dhe të materialeve luftarake.

Strukturat e mëdha ushtarake, korpusi dhe divizioni nuk konceptoheshin si njësi të përhershme. Ato qëndronin të grumbulluara për aq kohë sa vazhdonte kërcënimi për luftë. Karakteristikë është se strukturat dhe organikat luftarake ishin përcaktuar me detaje. Çdo njësi, repart e nënrepart kishte të përcaktuar strukturën vartëse, sasinë e luftëtarëve, strukturat mbështetëse, nivelin e gradave të drejtuesve etj. “Roja Kombëtare” do të kishte 380 batalione në Shqipërinë e Veriut dhe 100 batalione në Shqipërinë e Jugut. 

Mobilizimi dhe forcat e gatishmërisë
Në varësi të veprimeve të kundërshtarit, të kohës së nevojshme për futje në luftim, largësisë së rajoneve të mobilizimit, forcat e gatishmërisë ndaheshin: të radhës së parë, të dytë dhe të tretë. Forca të radhës së parë ishin repartet kufitare, të ruajtjes dhe të zbulimit, të cilat zakonisht formoheshin nga vullnetarët e popullsisë kufitare. Detyra kryesore e këtyre reparteve ishte vrojtimi, zbulimi dhe pengimi i kundërshtarit. Forca të radhës së dytë ishin forcat që formonin njësitë kryesore për mbrojtje. Ato formoheshin nga vullnetarë, nga popullsi në thellësi të territorit të vendit dhe organizonin mbrojtjen për të përballuar mësymjen e armikut. Forca të radhës së tretë ishin forcat e rezervës strategjike dhe dilnin nga viset e thella të vendit. Detyra kryesore e tyre ishte përforcimi i mbrojtjes dhe dhënia e kundërgoditjeve dhe kundërmësymjes. Në planin e lidhjes, forcat e Shqipërisë së Mesme ku bënin pjesë popullsia e Matit, Krujës, Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit përbënin rezervat strategjike të Lidhjes dhe do të përdoreshin për në përforcimin e mbrojtjes në drejtim të Shkodrës si dhe do të merrnin pjesë në kundërmësymjen për të rimarrë territoret e pushtuara nga Mali i Zi. Në konceptin e saj për mbështetjen, lidhja krijoi aparatin e prapavijës, i cili do të merrej me sigurimin e armatimit, municionit, ushqimit, veshmbathjes, strehimit të efektivave etj. Në krye të këtij aparati qëndronte një komision i cili kishte strukturat vartëse në çdo krahinë. Këto komisione kishin në varësi reparte speciale shëndetësore, transporti dhe ruajtje. Drejtimi dhe organizimi më i lartë ushtarak i Lidhjes ishte Seksioni i Financës dhe i Mbrojtjes. Ky seksion mori formën e një Këshilli dhe Shtabi Ushtarak Madhor duke vepruar kështu deri në fund të aktivitetit të Lidhjes më 1881. Ky sektor drejtohej nga Sulejman Vokshi dhe aktiviteti i tij drejtues u ndje në njësitë e Shqipërisë Veriore, Kosovës, RRafshit të Dukagjinit, Dibrës dhe Shkupit. Organe drejtuese politiko-ushtarake të një shkalle më të vogël ishin “Komitetet e Mbrojtjes” të degëve kryesore të Lidhjes. 

Drejtimet kryesore strategjike
Për realizimin e objektivave ushtarake, Lidhja formuloi edhe “Planet Strategjike”, qëllimet e të cilave shpRehen qartë në urdhëresën ushtarake të saj të 18 qershorit 1878 ku parashikonte: “….ndarje pune për mbrojtjen e trojeve të Shqipërisë prej veriut deri në jug, ndihmën ushtarake të shoqishoqme”. Në planet strategjike jepen udhëzime për organizimin e mbrojtjes me drejtime të përcaktuara strategjike. Drejtimet kryesore strategjike u vlerësuan ai kundër Malit të Zi dhe Serbisë e më pas vinte ai Greqisë. Në këtë kuadër ishte parashikuar edhe ndarja e përgjegjësive dhe detyrave operacionale të strukturave ushtarake që kishte Lidhja. Korpusi i Kosovës, detyra kryesore e tij ishte përballimi i mësymjes Serbe, si dhe kalimi në kundërmësymje për marrjen e territoreve të pushtuara nga serbët para vitit 1878. Korpusi i Shkodrës detyra kryesore e tij ishte përballimi i mësymjes malazeze, si dhe kalimi në kundërmësymje për marrjen e territoreve të pushtuara të tyre. Korpusi i Shkupit detyra kryesore e tij ishte mbrojtja në drejtim të Bullgarisë. Korpusi i Novipazarit, shërbente si forcë plotësuese e KoRpusit të Kosovës dhe atij të Shkodrës dhe nuk kishte front të veçantë mbrojtje. Vlerësimi real i terrenit, veçanërisht i viseve kufitare shqiptare ku pjesën dërmuese të tij e përbënte terreni i thyer malor, bëri që organizimi i mbrojtjes të bëhet me drejtime, duke mbuluar rrugëkalimet dhe luginat kryesore. Kjo bëri që fronti i vendosjes për mbrojtje të zvogëlohej dhe njëkohësisht krijonte mundësi të kursimit të forcave të cilat mund të përdoreshin në drejtime të tjera.
Sigal