Sotir Qirizai: Si e vumë në skenë me Taip Madanin “Vallen e Osman Takës”

1029
Sigal

Flet Sotir Qirjazati, ideatori dhe realizuesi i valles së Osman Takës interpretuar nga i ndjeri Madani

Iku Taip Madani! Iku bashkë me shokët këngëtarë e orkestrantë, po edhe me vëllezërit minoritarë. U përqafuan në vdekje, ashtu si ishim në gjallje në artin e koreografisë, në prezantimin e valleve. Qindra pjesëmarrës në ceremoninë mortore dhe shi lotësh për këto humbje njerëzore. Çamërisë ju pre dhe një lis i artit, ashtu edhe Shqipërisë. Taip, miku im! Ike! Ashtu i përqafuar në vallëzim. Përcjellja jote sot në gropën e zezë, jo, nuk dua ta pranoj, por vdekja të bën supersticioz. Ajo gropë e zezë nuk mund të mbajë dot një shpirt të bardhë. Ja që hapat në përcjelljen mortore përbalten dhe rëndohen, rëndohen nga dhimbja, nga ikja e parakohshme. Por se si Zoti të mori mes klarinetës dhe këngës…ndoshta për të mbetur, bashkë me shokët, në këngë dhe valle…asaj çame, e asaj minoritare…O Taip valltari, ylli i pashuar i asaj vlere të patjetërsueshme e të pakrahasueshme të Çamërisë, që ti i dhe shpirtin, i dhe artin dhe identitetin… Nuk i kisha menduar kurrë t’i shkruaja këto rreshta sot miku im. Kurrë! Po ja, erdhi momenti, miku im, që unë të bëj nekrologji, pa dëshirën time, i bindur edhe pa dëshirën tuaj. Po do shkruaj dhe ti kritikomë nga parajsa ku vajte… Dhe pyeta mikun tënd, Sotir Qirjazatin dhe mes përlotjeve më tha: Nuk kam fjalë për të folur kur të ikën miku i zemrës, mos të duket çudi se para dy ditësh e takova dhe nuk më shqitej pa më qerasur. U përshëndetëm dhe e lamë për tu takuar. Sot them se ka një të shtunë të zezë për artistët…Iku Taipi?! Jam mes dhimbjes, dhe dhimbje që nuk do më shuhet deri në vdekje. Faleminderit për intervistën e vogël për këtë mort të pa menduar e të padëshiruar, të parakohshëm e të pa paragjykuar… Qe viti 1978, vit i përgatitjeve të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës. Angazhim, mobilizim, përgjegjësi. Duhej të përfaqësoheshin të gjitha trevat e Sarandës, kjo një përgjegjësi e frikshme për vet faktin e heterogjenizmit të Sarandës dhe politikave të shtetit në atë kohë, që mundohej të ruante harmoninë e bashkëjetesës. Qe angazhim i madh! Unë isha drejtor i shtëpisë së kulturës së Sarandës, dhe merret vesh se si janë përgjegjësitë… Më duhej përfaqësimi i Çamërisë. Vendosa për vallen e Osman Takës. Pata pengesa, se kjo valle nuk duhej se në atë kohë këndohej dhe interpretohej në Greqi sipas variantit të tyre. Po këmbëngula, se varianti ishte çamiko, dhe me këtë mendim trokita në zyrën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së Punës në Sarandë, Jashar Menxelxhiut. Sa ja parashtrova, dha urdhrin që të vihet në skenë e të përfaqësohet në festival. Fluturova nga kjo arritje. Aq më shumë Taipi. Filluam! Dhe ky fillim solli rezultate e suksese. Zbuluam edhe vallen Barbaro-Vasiliko e bashkë me ‘to edhe kostumet kombëtare të zonës. Nisi punë intensive. Bashkë me Taipin, morëm një plakë nga Dishati që e mbajtëm 15 ditë në mësimin e valles së barbaro-vasiliko dhe ajo ua mësoi vajzave të Konispolit dhe sot kemi një nga vallet margaritar të Çamërisë. Ndërsa për vallen e Osman Takës, nuk u lodha, sinqerisht nuk u lodha…Taipi vallen e kishte brenda shpirtit, ai nuk vallëzonte, ai fluturonte…ne i dhamë ajrin, hapësirën, e nxorëm nga kuvlia zogun fluturues dhe ai fluturoi në hapësirat e magjishme të valles çame. Dhe në Festivalin e Gjirokastrës, pavarësisht se të gjitha interpretimet qenë cilësore, kjo valle dhe Taip Madani na dha çmimin si “Laureant i Festivalit”… Takimet me Taipin kanë qenë ta panumërta, miqësore. Ndaj e thashë në fillim që kur të ikën miku i zemrës, fjalët të humbasin. Taipi është një figurë artistike që mbetet në ajër, se ai fluturonte, nuk vallëzonte… E,  miku im Taip, nuk them dot më shumë se ç’më tha miku i përbashkët yni, Sotir Qirjazati. Arti ka magji dhe magnetizëm, ka fuqi tek shpirti dhe je i paharrueshëm…

….

Në vend të homazhit për Taip Madanin, mademin e valles çame

 Nuk e di, por kur dëgjova për ndarjen aksidentale nga jeta të Taip Madanit, diçka e shenjtë e shtrenjtë, m’u duk se m’u këput nga shpirti. Asnjëherë s’kam pasur rast ta njoh e ta takoj nga afër, por nuk e di pse kam pasur gjithmonë ndjesinë që e kam njohur e kam folur me të sa e sa herë. Në fakt shumë herët, qysh në rininë time të hershme, kam parë e kam njohur një valle që s’më është ndarë tërë jetës, për nga bukuria e madhështia. Është fjala për vallen e Osman Takës, këtij kapedani çam, që po një bir Çamërie e ngjizi në skenë si një perlë të rrallë. Kam patur adhurim për vallet folklorike, korifenjtë e valles i kam parë gjithmonë në “dritën e syrit”që thonë, por nuk di pse Taip Madani kur printe vallen e Osman Takës më është dukur prerje më vete. Një kombinim i hatashëm midis artit të kultivuar e atij tradicional, por që ky i fundit i shtonte lezetin dhe bënte që ta kishte zili edhe një ansambël profesionist si Kombëtari ynë i Këngëve dhe Valleve Popullore, me vlera të mëdha e me emra të mëdhenj korifenjsh. E kam parë në skenën e kalasë së festivaleve, në Gjirokastër, e kam parë edhe në skena të tjera, por skena e Kalasë më duket se ka qenë mejdani i gjetur për vallen e Madanit. Siç duket ai e dinte mirë se heroi i madh i valles së tij ishte burrë e trim për Kala të rënda. Vite të tëra, gati dy dekada, kam pasur fatin të merrem gjatë e ta kem të pa ndarë në skena të shumta kombëtare e ndërkombëtare vallen e famshme të Osman Takës. Me Grupin Folklorik “Bilbili” të Vlorës e kam patur të pandarë në shumë skena në qytete dhe shtete të Europës. Kudo e mirëpritur, kudo befasuese kjo valle fustanellash Çamërie. Kemi folur sa herë rreth “profesorit”, Taip Madani, me djemtë e valles që edhe ata janë bij të asaj ane dhe besonim se një ditë do të takoheshim, diku skenash. Por s’paska qenë e thënë. Mjeshtri i valles së rrallë iku para kohe. Fluturoi si vet vallja e tij me fustanellën e bardhe me kind. Thashë që prej vegjëlie më ka mbetur një pasion e dashuri e pashpjegueshme, e brendshme, për valltarët e shquar të tabanit. Kisha të vizatuar në memorie një “pirusti”, në tre maja vendesh. Alush Milorin e valles së burrave të Kurveleshit, Arapap Çelolesken e vranishjotes se Labërisë dhe Taip Madanin e Osman Takës së Çamërisë. Tani e tutje, të tre s’i kemi më mes nesh. Të tre kanë lënë pas vallen e tyre të madhe, të tre gurë të çmuar të trashëgimisë sonë kombëtare. Të tre përndrrijnë me fustanellat e bardha përherë në fluturim. Sejmen Gjokoli