Shumë poezi të miat janë kthyer në piktura

3282
Sigal

INTERVISTA/ Flet poeti, piktori, koleksionisti, Agron Calliku: “Sot arti është pasion, nuk është jetesë”

 Sapo ka mbushur të pesëdhjetat dhe është i mbushur me frymëzim për të hedhur në letër dhe telajo gjithë ngjarjet e jetës. Për ‘të, piktura dhe poezia janë njëlloj dhe ndikojnë në mënyrë të ndërsjellë tek njëra-tjetra. Pra, disa herë poezia bëhet pikturë dhe piktura poezi. Synimi i tij mbetet gjinia e romanit pasi për prozën e tij pak është shkruar nga kritikët e artit. Një ndër hobet e tij mbeten dhe koleksionet. Janë shumë objekte të vjetra dhe të reja krejt të veçanta që ai i ka grumbulluar dhe i ruan me kujdes. Në aktivitetin e fundit me rastin e 50-vjetorit, Agroni promovoi një libër, një ekspozitë me 30 piktura dhe një koleksion të rrallë me rreth 130 objekte. Kjo është jeta e tij e trefishtë.

 Poet, piktor, por dhe koleksionist, le ta fillojmë nga poezia…

Poezia lindi si një dëshirë që qëndron brenda e vjen një kohë që nuk mundet ta mbash në shpirtin tënd dhe ajo të del me një vrull, me një dëshirë, me një kënaqësi, me një hov të papërmbajtshëm… Poezia e parë që kam krijuar është e botuar në librin e parë dhe titullohet KUPTOVA… Jo se është e para, por nga poezitë e para që kam botuar dhe është krijuar në vitin ‘90..
Në librin e pestë që nxora me rastin e 50- vjetorit është si titulli që mban libri… “Një dhimbje e madhe” për gjithçka që kam kaluar… dhimbje për dhimbjen dhe dhimbje për dashurinë…Pra, poezia erdhi e para pasi që në fëmijëri kam pasur dëshirë të zhbiroja jetët e njerëzve dhe atë e arrija duke lexuar libra që në atë kohë ishin të pakët… Poezia nuk më linte për asnjë çast, më shoqëronte në çdo rrugicë të jetës, në çdo ngjarje gëzim apo hidhërim.

 Të ndalemi pak tek piktura

Kam hapur tre ekspozita pikture, dy tek Muzeu Kombëtar dhe një të fundit te MKRS. Të tria ekspozitat janë mirëpritur nga kritika dhe jam ndjerë mirë për këtë.

 Cilat janë bojërat e preferuara për pikturë?

Tashmë punoj veç në vaj, por fillimet kanë qenë në akuarel. Secila ka të mirat dhe të këqijat e saj, por bojërat e vajit janë më praktike. Çdo piktor ka preferencat e tij.

 Kam parë se në pikturat e tua mbizotëron portreti dhe peizazhi

Peizazhi dhe portreti më tërheqin shumë, por më shumë më pëlqen  peizazhi që vjen nga fantazia ime. Kjo fantazi vjen natyrshëm kur shkel në vende të reja apo në vende që s’i kam parë.

 Cili është piktori juaj i preferuar? 

Piktori më i preferuar për mua është Van Gogu. Jam më afër me shpirtin e tij, me fantazinë e tij, me ngjyrat e tij, me teknikën e tij. Piktura e tij të mbërthen dhe të befason.

 Kujt i kushton më shumë kohë, pikturës apo poezisë…?

Kohë më të madhe i kushtoj shkrimeve, pra letërsisë. Kam shumë për të hedhur në letër.  Kohët e fundit po punoj në gjininë e romanit. Sigurisht dhe tregime, por dhe poezia më shoqëron ditët e frymëzimit stinor. Pastaj vjen piktura. Jo se kam ndonjë rregullsi, jo se kam gjëra strikte me orar, por e shoh se kush ka më vlerë në mendjen time, aty ngulmoj. Pra, piktura preket me radhë si shlodhje dhe frymëzim në atë kohë, të cilën kur ulem nuk dua të ngrihem më.

 Ndodh që një pikturë të ndikojë në poezi apo anasjelltas?

Shumë poezi të miat janë kthyer në piktura dhe shumë pikturave u përshtatet nga një poezi. Pra, këto dy gjini të artit, janë shumë të afërta me njëra-tjetrën, vijnë lirshëm të dyja tek unë, pa sforco.

 Ju keni dhe një hobi krejt të veçantë, atë të koleksionit…

Koleksionin e kam filluar gati 15 vite më parë. Ashtu si padashje ngela aty dhe jam tërësisht me mendje tek ajo çdo ditë. Kur i shikoj ato që kam mbledhur ngazëllehem.

 Zakonisht ku i gjeni objektet?

Objektet i gjej nëpër shokë e miq, nëpër hallexhinj që i kanë dhe i shesin për të mbijetuar. Por dhe nga jashtë vendit më kanë sjellë.

Cilat nga objektet e koleksionit tuaj do të veçonit?

 Për mua monedhat janë të pushtetshme, ato të tregojnë historinë më saktë, pasi shumica datojnë dhe të kënaqin më shumë. Por dhe antiket që është shumë vështirë t’i gjesh…sepse sot janë berë gati të gjithë pasionantë për to…

 Mund të jetosh sot me art, p.sh me pikturë?

Sot arti është pasion, nuk është jetesë. Me të mund të kënaqesh, por nuk ushqehesh. Arti është kënaqësi shpirtërore dhe krenari e një familjeje që i mbart.

 Mund të na thoni disa nga synimet në të ardhmen?

Synimet në të ardhmen janë të shumta..Për natë shikoj ëndrra që kërkoj t’i realizoj, por shumë prej tyre mbeten veç ëndrra… Ëndrra e kësaj kohe është që të botoj një roman dhe më pas një vëllim me poezi, e më pas një roman për jetën time dhe një roman për të ligjtë që më kanë penguar rrugën dhe kanë tentuar të më ndalin hapin, jetën.

 Si do ta cilësonit shoqërinë sot?

Shoqëria jonë e sinqertë ?!.. ah ajo, pothuaj nuk ekziston fare. E thënë me fjalët e mia, ajo është brutaliste, maskiliste sigurisht. Kjo që ne kemi është një shoqëri rrokopujë që nuk e di se ku do na çojë. Ajo shprehet në vulgaritetin e mashkullit që dominon jetën në çdo sektor dhe nga ana tjetër nuk ka përpjekje për të dalë nga gropa që e kemi futur, por e thellon hendekun, ku ka rënë dhe vetë…

 Ju së fundmi këmbëngulni tek proza, apo jo?

Prozën time askush gjer me sot në të gjallë nuk ka guxuar ta shprehë në formë kritike. Kjo prozë ka dashuritë e saj dhe armiqtë e saj në të gjallë..
Unë kam shkruar për të gjitha ngjyrat e jetës dhe do shkruaj për gjithçka që do jetoj e përjetoj..