Shkrimtari e publicisti Bashkim Koçi me librin e ri “Shkëmbi i Sherrit”

762
Sigal

Sapo doli nga shtypi libri i ri i shkrimtarit dhe publicistit Bashkim Koçi, ka ngjallë interes tek kolegë, miq, dashamirës e lexues të thjesht. Mesazhet jetësore që sjellë autori në këtë libër, përçojnë realizëm, mirësi dhe dashuri…

 SHKRIMTAR DHE PUBLICIST

Nuk ka deklaratë më krenare, të cilën mund ta bëjë njeriu, sesa kur thotë: Do të veproj në harmoni me ndërgjegjen time. Për gazetarin Bashkim Koçi kjo “deklaratë” ka qenë dhe mbetet deviza e jetës së tij. Ai u lind më 22 shkurt të vitit 1947 në fshatin Prishtë të Skraparit, aty ku edhe do të merrte mësimet e para, përvetësimin  e ABC-së. Shkollën 7-vjeçare e përfundoi në Çepan, shkollë e cila gëzonte të drejtën “absolute” të ishte e vetme për më shumë se 12 katunde të asaj zone. Disa cilësi, të cilat “i ngjiten” njeriut për gjatë gjithë jetës, si zelli për të mësuar, shkathtësia në veprimtaritë shoqërore, guximi për kapur diçka “të pakapshme”,  kanë qenë pjesë e “trashëgimisë gjenetike”, të bartur nga prindërit, edhe pse në kushte mjedisi të disfavorshme. I vijoi mësimet në një nga gjimnazet më të mirë të kohës, i profilizuar për matematikë, në qytetin e Fierit, të cilin e përfundoi me rezultate shumë të mira. Falë edhe personelit pedagogjik të asaj shkolle, e cili drejtohej nga “Mësuesi i Popullit” Teki Sadiku, arriti të dallohej në të gjitha lëndët mësimore, duke shfaqur prirjet për artin e të shkruarit. Shkrimi tij i parë gjeti dritën e botimit në gazetën e kohës “Zëri i Rinisë”. Ka qenë viti 1963. Për shkak të politikës, e cila në ato vite i dha prioritet zhvillimit të fshatit, sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë, ai ‘u detyrua”, pra pa dëshirën e tij, të vazhdonte studimet në Institutin Bujqësor të Kamzës në Tiranë, në fakultetin e Agronomisë, sot Universiteti Bujqësor, të cilin e përfundoi në vitin 1971 me rezultate të mira. Bashkimi, edhe pse  ishte dhe mbeti “i padashuruar” me bujqësinë,  në frontin ku u caktua të punonte, la gjurmë të një specialisti pasionant, të përgjegjshëm për të bërë punë për t’u mbajtur mend. E, meqë ishte me fat, rasti e solli të punonte në sektorin e pemëtarisë, në një nga fidanishte më të mira në shkallë vendi, siç ishte ajo e Munushtirit në Skrapar. Nëse sot ende mbeten “gjallë” disa nga blloqet me pemë frutore në atë zonë malor, si Skrapari, duhet thënë se është edhe kontributi i  specialistit Bashkim Koçi. Shkalla e parë e marrëzisë tek njeriu është të kujtosh se je i mençëm. Por për Bashkimin, falë  “modestisë” për të kërkuar nga vetja, pra për të mbetur në kërkim “të shtigjeve të reja”, ky “virtyt” nuk gjeti vend asnjëherë. Në viti 1979 ai mori përsipër detyrën e redaktorit në gazetën lokale “Jehona e Skraparit” ku do të dallohej për ngritjen e problemeve të rëndësishëm në fushën e bujqësisë. Janë me qindra artikuj, të të gjithë zhanreve, ku ai goditi me forcë, me kuraje prej specialisti për hedhur dritë në çështje që kishin të bënin me bujqësinë intensive. Sipas Bashkimit pozicioni në detyrën e redaktorit të një gazete, edhe pse lokale, ka qenë “universitet” më vete për të ngjitur shkallët një e nga një, drejt perfeksionimit të punës si gazetar e publicist. Për të pasur sukses dëshira e njeriut duhet të jetë më e madhe se frika nga dështimi. Në punën si redaktor në gazetën lokale “Jehona e Skraparit” Bashkimit nuk ia shfaq për asnjë rast “fantazma” e dështimit. Ishte kjo, ndoshta, që ai në viti 1985 të mund të ngjiste një “shkallë” me lartësi jo të vogël, të caktohej në detyrën e redaktorit në gazetën më të madhe të kohës, “Zëri i Popullit”.  Janë disa qindra artikuj ku ai, me kurajë e guxim, ngre probleme mjaft të mprehta, goxha “me spec” nëse kemi parasysh hapësirat e lirisë të të shkruarit në ato vite. Ai aty do të punonte me gazetarë të dëgjuar, me korifenj të shtypit shqiptar,  siç ishin Arshin Xhezo, Pavllo Gjidede, Spiro Dede, Ibrahim Baçi etj, nga të cilët, përveç mjeshtërisë të të shkruarit, mori edhe kurajën e të qenit “trim me shokë shumë”.

Ai tregon për disa nga momentet e jetës së tij si gazetar ku “frika se shkelej vija e Partisë”, triumfonte, duke u dalë përpara fenomeneve të cilët po gërryenin pak e nga pak atë që, jo rrallë nëpër artikuj, e kishin pagëzuar “Shkëmb Graniti”. Për këtë periudhë Bashkim  Koçi thotë se udhëhiqej nga një thënie me plot kuptim të Tomas Xhefersonit: Kur padrejtësia bëhet Ligj, rezistenca  bëhet Detyrë. Dhe me këtë devizë do ta gjente edhe lëvizja për zhvillime demokratike të viteve 1990. Është vendi të thuhet se ai, bashkë me kolegët e tjerë, mundën t’u rezistojnë me guxim e kurajë provokimeve të të ashtuquajturve “demokratë”, të cilët në shumë raste përfaqësonin regresin, llumin e shoqërisë shqiptare. Ai tashmë është në pension, por gjithmonë aktiv dhe i kudogjendur, kur është fjala për atë çka e shqetëson sot shoqërinë shqiptare. Ai shkruan e shkruan si të jetë në ballë të gardës së gazetarëve, si të jetë i ngarkuar me detyrën për të ngritur shqetësimet e njerëzve, për të mbrojtur të vërtetën. Nëse në kulmin e krijimtarisë si gazetar në vitet 1985 u dekorua me Urdhrin “Naim Frashëri”, këtë vit Shoqata e Gazetarëve të Bujqësisë e nderoi me çmimin “Vasfi Samimi” për artikullin më të mirë të vit 2013 “Të fala nga fshati…”, të botuar në  gazetën  “Telegraf”… “Shkëmbi i Sherrit” është libri i dytë i autorit, pas librit “Rrëfenjë për Prishtën”, – një enciklopedi e bukur historiko-letrare, një biografi e plotë e një copëze Shqipërie; një libër dashurie për vendlindjen.

(Dritëro Agolli: Fragment nga intervista e shkrimtarit, që botohet në këtë libër)

“Kam dy arsye të ta jap me gjithë qejf këtë intervistë, Bashkim. Unë i kam dashur dhe e dua shumë Skraparin dhe skraparllinjtë. Dhe, e dyta: ti që vjen në shtëpinë time, je edhe gazetar i “Zërit”. Në atë shtëpi dhe nën atë çati, ku kemi punuar edhe unë e ti, unë kam kaluar një pjesë të mirë të rinisë time, që nuk e harroj kurrë. Në atë shtëpi kam njohur shumë miq e shokë, si: Vangjush Gambetën, Laver Malon, Niko Nikollën dhe gjeri më të rinjtë, si: Spiro Dedja, Xhevahir Spahiu, Arshin Xhezo, Ludmilla Xhabija, të cilët i kam pasur studentë në gazetari, por pastaj u bëmë edhe kolegë e miq, dhe kemi pasur hyrje-dalje edhe familjare, miqësi që e ruajmë edhe sot e kësaj dite. Nuk mund ta harroj kohën në atë gazetë, edhe për një gjë tjetër. Gazeta më ndihmoi shumë si shkrimtar. Shkrimtarët më të mëdhenj të botës, dihet, kanë kaluar nga gazetaria: Dostojevski, Hemingueji, Markesi e plot të tjerë, gazetarë kanë qenë në fillimet e tyre”.

“Po dalim nga Shkëmbi i Sherrit”, “Do të shkojmë të luajmë tek Shkëmbi i Sherrit”, “Do të mbledhim lajthi tek Shkëmbi i Sherrit”… Kur isha fëmijë, as që e kam shkuar nëpër mend, se ç’do të thotë “Shkëmbi i Sherrit”. Më vonë, zura të mendoja, se ç’ kuptim kishte ky pagëzim i çuditshëm. Përse dhe nga kush në fshat ishte bërë ky sherr kaq i madh që i kishte vënë emrin edhe shkëmbit? Kush është vrarë apo plagosur, dhe, kryesorja, cili është shkaku i sherrit? Për ndonjë femër, apo për ndonjë ledh are; për një kullotë me drurë të shkurtër lajthie apo një burim me ujë të paktë, që do t’u lagte buzën kur do të vaponin bagëtinë? Këto, as tani, as unë, askush nuk i di. Dimë vetëm, se kur vjen pasditja dhe humbet dielli, themi: “Na e zuri Shkëmbi i Sherrit”; lëshojmë bagëtitë shkozishteve mbi fshat dhe u themi fëmijëve t’i çojnë nga lajthia e “Shkëmbit të Sherrit”; bie një gur i madh, dhe, menjëherë trembemi nga “Shkëmbi i Sherrit”. “Shkëmbi i Sherrit”, “Bregu i Çukëzës”, “Ledhi i Kishës”, “Qafa e Sorkadhes”, “Sheshi i Sehirit”, “Rripa e Pazarit”, “Teqetë e Vjetra”, “Bregu i Drenicës”. Njeriu është vendlindja, thotë një fjalë e urtë. Atdheu fillon nga vendlindja, shkruan një filozof i njohur. Jam mëse i bindur se është pikërisht dashuria për “Shkëmbin e Sherrit” dhe për çdo pëllëmbë të vendlindjes sime, Prishtës së Skraparit dhe njerëzit e saj, është ajo që më ka frymëzuar edhe dashurinë për çdo qytet, fshat të Shqipërisë, ku kam pasur rastin e fatin të shkoj si gazetar. Është, gjithashtu, po ajo, q më ka frymëzuar edhe dashurinë, respektin për personazhet e këtij libri. Prandaj edhe për mua, ai nuk është Shkëmbi i Sherrit, por shkëmbi i dashurisë  dhe mallit për tokën dhe për njerëzit.