Shkëlqejnë artistët rusë në Tiranë

486
Sigal

Përtej një kronike kulturore-artistike

 Viktor BAKILLARI

 

– Kush?

-Rusët.

-Çfarë?

-Koncert.

-Ku?

-Në Katedralen e Kishës Ortodokse “Ngjallja e
Krishtit” –  Tiranë.

-Kur?

-Më 24 nëntor 2016, ora 19.30.

-Mirë, faleminderit, do përpiqem të vij…

***

Kjo ishte biseda telefonike që bëra me një mikun
tim, i cili më telefonoi atë mbrëmje. Bukur! Diçka ndryshe, mendova dhe u nisa
për të parë koncertin… Me të mbërritur te Katedralja, menjëherë më ra në sy
dyndja e madhe e shumë njerëzve: të reja e të rinj, meso-burra e meso-gra,
plaka e pleq, rusofonë, nostalgjikë dhe rastësorë si unë. Hyrja ishte e lirë!

Salla e shfaqjes ishte mbushur plot. Shumë rrinin në
këmbë. Fatmirësisht, shoku që më telefonoi më kishte mbajtur një vend…

***

Emri “Rus”, kurdo që dëgjohet e lakohet prodhon
ngjarje, prodhon lajm; në çdo fushë: në politikë, gjeo – politikë, diplomaci, ushtri,
ekonomi, art, kulturë, muzikë, sport; kudo: në tokë – det – ajër e qiell.

***

Një mbrëmje të kësaj vjeshte të tretë (24 .11.2016,
ora 19.30 – 21.00) një grupi artistik rus, i krijuar në vitin 2005, pagëzuar me
emrin “Vertograd”, i cili kishte si  qëllim
ruajtjen trashëgimisë së muzikës popullore ruse, interpretoi këngët më të
bukura të tabanit popullor rus.

Fillimisht, zëvendës-ambasadori i Ambasadës së
Federatës Ruse akredituar në Tiranë, Shkëlqesia e Tij z. Dimitër Kazmin, bëri
përshëndetjet e rastit (të përkthyera rrjedhshëm dhe qartë nga përkthyesi
shqiptar) dhe prezantoi shkurtimisht grupin, vlerat që ai mbart e përçon si dhe
nënvizoi faktin e rritjes së bashkëpunimit dhe të forcimit të marrëdhënieve
midis dy vendeve tona… Ky grup muzikor, veshur me kostume popullore
tradicionale ruse, përbëhej prej pesë virtuozësh, konkretisht nga:

Anna Zborovskaja, një këngëtare me zë shumë të
ëmbël, të bukur, rezëllitës; një interpretuese e shkëlqyer e këngëve
karakteristike ruse, një vajzë me bukuri të madhe, e denjë për të fituar
konkurs bukurie. Ishte një rast i mirë për të “shfajësuar” e për t’u dhënë të
drejtë atyre qindra studentëve shqiptarë në vitet 1945 – 1960, të cilët shteti
shqiptar i çoi për studime, dhe ata, krahas rezultateve të shkëlqyera, u kthyen
duke mbajtur në krahun e zemrës diplomën dhe në të djathtin “Anën” e tyre.

“Ana, Ana, e bukur si zana” – nisi të këngëzonte
dikush pranë vendeve ku ishim ulur ne.

Gennadi KOSINOV – një këngëtar virtuoz me zë kumbues
e gjëmues disaoktavësh, si buldozer i vërtetë, i cili u rrëmbeu të pranishmëve
duartrokitje frenetike të gjata.

Juri STUPAK: balalajkaist, (balalajka: vegël
muzikore tradicionale ruse me tela, e ngjashme me utin, mandolinën me formë
trekëndore), i cili harmonizonte shumë këndshëm tingujt e balalajkës me zërin e
tij të ngrohtë, të mëndafshtë.

Aleksej STEPANOV: kitarist i talentuar, i cili e
përdorte kitarën në mënyrë të tillë mjeshtërore që të krijohej përshtypja sikur
të kishte qenë një arushë e egër polare e zbutur, e cila tashmë i bindej
verbërisht zbutësit.

Pjotër MATRONIÇEV: fizarmonicist i talentuar, i
çlirët, i cili kalonte në regjistra të ndryshëm zëri kur këndonte. Me
fizarmonikën e tij, ai i shoqëronte shumë bukur këngët që këndoheshin apo që
këndonte vetë. Një artist i këndshëm, shumë miqësor me publikun, i cili nuk
mungoi që të zbriste nga skena dhe të kalonte pranë rreshtit të parë të
ndjekësve pasionantë të shfaqjes.

Dukej qartë, kishte humor ai djalë!

***

Koncerti me këngë dhe vegla instrumentale zgjati një
orë e gjysmë. Talenti i tyre bëri që publiku t’i shoqëronte me duartrokitje të
gjata e t’i priste me fytyrë të çelur dhe të qeshur.

Spasiba/Faleminderit, grupi “Vertograd”!

 

Të dhëna
shkurt për Federatën Ruse

 

Sip.: 17 125 191 km2 (Vendi i parë në botë për nga
sipërfaqja).

Popullsia: 146 544 710 (Vendi i 9-të në botë, të
dhënat: Janar, 2016)

Kryeqyteti: Moska (12 330 126 banorë (2016))

Forma e Shtetit: Republikë Federale

Festa Kombëtare: 12 qershori

President: Z. Vladimir Putin (*7.10.1952)

Kryeministër: Z. Dimitri Medvedev (*14.09.1965)

Gjuhë zyrtare: Rusishtja

Monedha: Rubla ruse. (68,3322 RUB = 1 EUR)

Grupi artistik “Vertograd”

Programi i grupit