Sabiha Kasimati. Nderim dhe brengë

1375
Petro Luarasi
105-vjetori i lindjes së Sabiha Kasimatit, arsimimi, veprat shkencore, arrestimi e pushkatimi, si dhe vlersimet 
Sabiha Kasimati (1912-1951) po përmendet gjithnjë e më shpesh në këto dy dekada si një ndër gratë e shquara shqiptare që meriton më tepër vëmendjen e studiuesve dhe të institucioneve për t’ia hulumtuar jetën, veprimtarinë dhe veprën, si dhe për ta vlerësuar siç e meriton.

Ndonëse për atë janë shkruar me qindra faqe nga shumë autorë, tematika paraqitet e varfër, përsëriten tërkuzë e perifrazohen në forma të ndryshme faktet dhe opinionet e dy-tre studiuesve si dhe propagandohet kryesisht aspekti politik i fundit të saj tragjik duke shtuar edhe ndonjë hipotezë”bindëse” mbi përvetësuesit e veprës së saj. Shkencëtarja martire Sabiha Kasimati meriton shumë më tepër studime të thelluara dhe jo hamendje.

Familja e arsimimi
Sabiha Kasimati u lind në truall të huaj, në Edrene (Adrianopojë) të Turqisë më 15 shtator 1912, në pragun e pavarësisë së shtetit shqiptar, por u mëkua, u rrit dhe u edukua si shqiptare e kulluar në vatrën e një familjeje të madhe në numër e vlera, me farefis të gjerë dhe lidhje të thella, me kontribute atdhetare, kulturore e shkencore, përpara dhe pas çlirimit të Shqipërisë. Krushk i tyre qe edhe kryeministri i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës, Sulejman Delvina, gjak i tyre qe edhe trimi antifashist Refik Refat Kasimati me pseudonimin “Kardiaku”.
Ajo u rrit me ngrohtësinë e tre vëllezërve Hifzi, Refik e Nevzad dhe motrës Minirea, në familjen e kamur të doktor Abdurrahmanit, ku u mëkua me dashuri për atdheun e të parëve të saj libohovitë, diturinë dhe vlerat universal. U arsimua në liceun elitar francez të Korçës dhe në universitetin e Torinos me rezultate të lakmueshme. Këtu mbrojti diplomimin (tesi di laura) me temë “Fauna ittica d’acqua dolce dell’ Albania”. Në këtë periudhë u shoqërua me Olga Luarasin, të motrën e Migjenit, e cila studionte për matematikë dy vite më lart dhe e vijuan miqësinë edhe si kolege në ish-institutin “Qiriazi”, në Kamëz.

Studiuesit kryesorë të saj
Për njohjen e vlerave të familjes Kasimati dhe bijës së saj të denjë Sabiha, vlerësoj veçanërisht përkushtimin dhe të dhënat e publikuara prej tre studiuesve: Myslim Islami, Uran Butka e Uran Asllani. Myslim Islami me monografinë “Refik Refat Kasimati: Kardiaku” (1902-1944) ofron të dhëna mbi gjenealogjinë e familjes Kasimati dhe jetën e Sabihasë, së motrës dhe të tre vëllezërve, katër prej të cilëve u arsimuan dhe kontribuan me rezultare të lakmueshme, në sajë të shtysës ekonomike e morale të babait të tyre Dr Abdurrahman Kasimatit (1865-1943), i cili kudo ku punoi, në Korçë e Elbasan, gëzoi mirënjohjen e qytetarëve dhe miqësinë e Aqif pashë Elbasanit, Lef Nosit, Visarion Xhuvanit, Et’hem Haxhiademit, Sotir Paparistos e të tjerë. Uran Butka, në librin “Bombë në ambasadën sovjetike”, ka publikuar dokumente arkivore me të cilat provohen si u zhvillua ngjarja, kush e shkaktoi atentatin, si u hartuan listat e vdekjes, arsyet e vërteta përse u arrestuan dhe u ekzekutuan të pafajshmit Sabiha Kasimati me shokë si dhe mënyrat e tjetërsimit të procesit hetimor. Ai ka ndriçuar fakte të panjohura mbi personalitetin e Sabiha Kasimatit. Uran Asllani, me disa artikuj në gazeta, ka publikuar fakte e ngjarje interesante mbi jetën, edukimin e dhe botëkuptimin e saj, ka hulumtuar e analizuar veprimtarinë dhe arritjet e saj shkencor, me hipoteza të guximshme. Për Sabiha Kasimatin kanë shkruar edhe mjaft të tjerë që veçse kanë përsëritur të lartpërmendurit, me komente kryesisht në këndvështrimin politik, paksa në aspektin human e botëkuptimor të saj dhe pothuajse aspak për kontributin e saj të mirëfilltë shkencor. Studiuesja Daniela Vathi me të drejtë thekson:”Shumëkush mund të kujtohet për përfundimin e trishtë që ajo pati, por pothuajse askush për veprën dhe punën e saj si shkencëtare ose më mirë si gruaja e parë shkencëtare shqiptare. Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim si “Një intelektuale perëndimore”, gjë jo shumë e zakonte për Shqipërinë e fillim shekullit të njëzetë. Natyrisht do ishte mirë që historia të mos lexohej në çelës politik, pasi është absolutisht dytësore ndaj figurës së kësaj gruaje.” 

Vepra shkencore
Puna shkencore e Sabiha Kasimatit shpaloset mirëfilli në studimin”Fauna ittica d’acqua dolce dell’ Albania: t esi di laurea” (“Fauna iktike e ujrave të ëmbla të Shqipërisë”) që e mbrojti në Universitetin e Torinos,”në vitin 1941”. Në këtë studim shkencor me vlera të rëndësishme për të shkuarën e të ardhmen, ajo shpalosi talentin, vullnetin, volumin e punës, risitë dhe objektivat për të ardhmen e iktiologjisë shqiptare. Ky është i pari studim në këtë fushë dhe mbi të gjitha e shkruar nga një femër shqiptare. Pra Sabiha Kasimati është shqiptarja flamurtare në fushën e studimeve mbi iktiologjinë shqiptare. Kam kënaqësinë ta publikoj dhe analizoj për herë të parë, pasi e kam përkthyer edhe në shqip këtë studim që deri më tani njihet si puna e saj shkencore më e rëndësishme e publikuar. Lënda përmban hyrje, listë të specieve dhe varieteteve që formojnë faunën e peshkut në ambiente të ndryshme iktiologjike, përshkrim gjeografik dhe biologjik të mjediseve të ndryshme iktiologjike, ekzaminim të materialit të mbledhur, analizon 7 familje peshqish (Acipenseridae, Cyprinidae, Clupeidae, Serranidae, Mugillidae, Salmonidae, Anguillidae) si dhe përmban një përshkrim të shkurtër të industrisë së peshkimit në Shqipëri. Studimi përbyllet me një bibliografi me 70 zëra, me 38 autorë të ndryshëm. I gjithë materiali përmblidhet në 85 faqe të daktilografuara.

S.Kasimati i është referuar këtij studimi në artikullin e saj shkencor”Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë”) duke e përfshirë në tetë zërat e tij, ku e ka cilësuar” tesi di laurea, dakt. 1940.” Ky artikull shkencor paraqet rëndësi të madhe për sa i përket kohës kur është shkruar, çështjeve të rëndësishme që analizon dhe i paraqet si domosdoshmëri për t’u zbatuar. 

Pasi kaloi një sëmundje të rëndë dhe u kurua në Itali, në vitin 1947 nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore ku, sipas studiuesit Uran Asllanit: “Dr.Sabiha Kasimati ishte emëruar shefe e sektorit të zoologjisë, por u mor vetëm me ihtiologji. Atë fushë e kishte hulumtuar që nga koha e studimeve universitare”. Në vitin 1949 botoi artikullin shkencor “Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë” që është i pari mbi temën e iktiologjisë për periudhën pas çlirimit të vendit. I nipi i Sabihasë, Namik Kasimati përmend se ajo i tha shoqes së saj Durie Hulusi: “Jam e gëzuar që mbarova një studim mbi peshqit që do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe shteteve të tjera që janë në kufi me Shqipërinë”.

Akuza pa prova! Prej vitesh qarkullon në mediat shqiptare, madje edhe në doktoratura e botime akademike, nga studiues por edhe zyrtarë institucionesh të rëndësishëm, paradoksi i pranimit apriori të akuzës pa paraqitur prova. Kjo mund të pranohet të publikohet nga ndonjë media sensacionesh por jo nga zyrtarë institucionesh të rëndësishme apo në nivele të larta shkencore Bie fjala një studiues shkruan: “Studiuesja Kasimati pati dorëzuar dorëshkrimin e saj të disiplinës së ihtiologjisë”Peshqit e Shqipërisë‘’ në”Institutin e Shkencave” në janar të vitit 1950, ndërsa në vitin 1951, u pushkatua… Vepra e Kasimatit “Peshqit e Shqipërisë” u botua (postum) në vitin 1958 me titullin tashmë të njohur me autorë të tjerë, tjetërsues të punës së Kasimatit, në emrat e rusit Anatolij Poljakov, Ndoc Filipi dhe Ndoc Rakaj.” 3.(Leka Ndoja, Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri (1944/1990)”,2013, f.8,11.). Në fakt akuzën e” përvetësimit të punës intelektuale të Sabiha Kasimatit” (kinse monografisë “Peshqit e Shqipërisë“, 1958) nga disa (2, 3 apo 4) studiues, kolegë shqiptarë me në krye një akademik të huaj (sovjetik) e ka shpallur i ndjeri U.A.. Ai qe i vetmi që mori përsipër dhe publikoi në një gazetë “barrën e provës” për akuzën e rëndë duke iu referuar një buletini: “Mbas një pune shumë të madhe eksperimentale shkencore si asnjë shkencëtar tjetër shqiptar në mesin e vitit 1950, Dr Kasimati i dorëzoi institutit për botim vëllimin prej rreth 200 faqesh dhe të 50 figurave me titull “Peshqit e Shqipërisë”. Në buletinin e Institutit të Shkencave, Nr. 3, të vitit 1950, fq 78, në rubrikën e jetës shkencore të Institutit, njoftohet se janë dërguar për botim…vepra e Sabiha Kasimatit “Peshqit e Shqipërisë” e planifikuar me një tirazh prej 3500 copësh”. Ai shpreh edhe versionin: “Natyrisht që mbas pushkatimit libri i përgatitur nga Sabiha Kasimati u tërhoq menjëherë nga shtypshkronja dhe u arkivua në depozitën sekrete të Institutit, por edhe atje nuk ndenji shumë kohë. Kryesia e Institutit, nën insistimin e Kolë Paparistos, i kërkojnë Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik një specialist ihtiolog të vinte në Shqipëri për përfundimin e botimit të veprës mbi peshqit edhe për ndonjë plotësim te mundshëm. Anatolij Poljakovi përgjatë periudhës që qëndroi në Shqipëri, jo vetëm përvetësoi punën shkencore të Sabiha Kasimatit, por edhe me ndihmën e dy ish-bashkëpunëtorëve te saj … u shtoi 257 llojeve të peshqve të paraqitura nga Sabihaja edhe 10 lloje peshqish… Instituti i Shkencave punën e përvetësuar të Sabiha Kasimatit në fillim të vitit 1958 e botoi si vepër te Anatolij Poljakovit. Unë e kontrollova, jo vetëm një numër, por të gjithë serinë e Buletinit të Institutit te Shkencave, edhe në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, por askund nuk ma zuri syri këtë njoftim, për be. Në lidhje me akuzën ndaj studiuesit Ndoc Rakaj theksoj që ky i fundit nuk bënte pjesë në grupin e autorëve të veprës”Peshqit e Shqipërisë” të botuar në vitin 1958 por të librit “Iktiofauna e Shqipërisë” e vitit 1995! Përkundër hipotezave me copa letrash e perifrazime, kam lexuar me sytë e mi një paragraf të shkurtër por me rëndësi të madhe: “Veç këtyre janë dhënë për në shtyp studimet origjinale: “Ortografia e gjuhës shqipe” -kolektive dhe “Peshqit e Shqipërisë” e S. Kasimatit. (Buletinin i Institutit të Shkencave, Nr. 1-2, 1950, f. 192). Në akuzat e publikuara nuk saktësohet qartë, nëse bëhet fjalë për përvetësimin e një vepre të çuar për botim apo të kontributit të pa identifikuar të S. Kasimatit, si kartela, referenca, diskutime, ekstrakte të hulumtimeve në terren etj. Nëse është përvetësuar e tërë vepra, pjesë të saj etj, kjo mund të vërtetohet vetëm me prova, gjetjen e dorëshkrimeve, analizën e referencave etj. 
(Vijon nesër)
Sigal