Romani befasues i Albratos Rexhajt

569
Ky ditar i drejtohet Lúlus, pjesës më të fisshme të njeriut dhe në të shpaloset një botëkuptim i ndryshëm e i ri, si reagim ndaj kohëve të vështira që po kalojmë. Duke u nisur gjithnjë nga përjetimi i tij i problematikave apo situatave të ndryshme, autori i jep zë ndjenjës, duke zgjedhur më të thjeshtën dhe njëherazi më të vështirën prej udhëve për të komunikuar me publikun. Në këtë rrafsh krejtësisht personal, ai shkruan për të shpëtuar, për t’u ndier i lirë, për të mos iu nënshtruar mentalitetit të kopesë, pra për të mos u asgjësuar. Dhe rrugëdalja është imagjinata krijuese, ajo sjell rezistencën brenda botëve të krijuara e të vërteta. Rezistenca shprehet me kthimin e urrejtjes në dashuri, vërtetësinë e ndjenjave dhe të mendimeve në një epokë hipokrizie, mos shkëputjen nga konteksti social, modestinë dhe pranimin e vetvetes. Por kjo letër e gjatë ka edhe një rrafsh shoqëror, në të cilin dallojmë një analizë thumbuese ndaj elitave të llastuara shqiptare që nuk janë më të afta të përfaqësojnë popullin, që vuajnë nga një varfëri shpirtërore e fshehur nga bollëku material, që shfrytëzojnë vendin tonë si të ishte tokë e huaj dhe e urryer. E këtyre elitave nuk mund t’u kundërvihet populli i lodhur, i zhgënjyer, i përthithur në një labirint makabër manipulimi, ku asnjëherë nuk gjendet përgjegjësi, por vetëm pasqyrimi i tij i luhatshëm. E kështu njerëzit kapërfyten mes tyre në luftën për mbijetesë, duke i bërë jehonë pohimit: “… sot duhet që me patjetër t’i përkasësh dikujt, të jesh pjesë e një grupi apo klani, ndryshe rrezikon të dështosh…”. Ja tek ke konfirmimin e pastër se kritikat që të janë dukur të parapërgatitura, i paska ndier të tilla edhe dikush tjetër; kurthet qëllimshëm stisur, ia kanë stisur edhe dikujt tjetër; pafuqia për të bëzajtur, paska kapluar edhe dikë tjetër; trysnia gati e papërballueshme nuk qenka një trill i mendjes sate, si nuk është trill i mendjes së dikujt tjetër: është shtypëse! Po zgjidhja? Zgjidhja nuk është e re, por e vetmja e mundshme sipas autorit: refuzo ta luash këtë lojë, dil nga ky rreth, rebelohu! Vendose dashurinë në qendër të jetës tënde dhe mbarte atë kudo, në çdo tavolinë, në çdo bisedë, në çdo takim. “… dashuria është e vetmja forcë që ka fuqi të na kujtojë se kush jemi dhe kujt i takojmë” 
Publiku i interesuar 
Për publikun e gjerë; çdokush gjen pak nga vetja në këtë libër gjithëpërfshirës. 
Autori 
Albatros Rexhaj është shkrimtar shqiptar, i lindur në Prizren (1975). Veprimtarinë e tij krijuese e zhvillon midis Tiranës dhe Prishtinës. Ai është autor i disa dramave për teatër dhe i librave “Lettera a un amico italiano dal Kosovo” (1999), “Bombë në Beograd” (2012), “Ditar dashurie i një shkrimtari” (2012), “Edith” (2013) dhe “Zonja Z” (2014). Veprimtaria e tij publicistike dhe letrare mund të ndiqet në blogun elektronik www.filozofiaurbane.com. 
Fragmente nga libri 
1)… Qyteti im, nuk do të mendoj më për të gjitha ato që më kanë lënduar, sa herë kam besuar se ti do të jesh shtrati ku do të mund t’i shtrij ëndrrat e mia. Do t’i shlyej të gjitha shenjat e helmit që e mblodha duke u përplasur në gjembat e shpërndarë edhe në skutat e tua më të largëta. Ndërsa pjesën më të bukur të shpirtit tim, atë që ti ma more dhe pamëshirshëm e shtype pa arsye nën rrotat e urrejtjes dhe inatit, do të ta fal si kurban dhe do të lutem për shpirtin tënd. Të dua aq shumë, sa do t’i harroj të gjitha!Dhe do të mbaj mend vetëm kohën kur besoja se ti je vetë mrekullia e Zotit për mua. Do ta përsos këtë art të harresës, sepse ndryshe nuk mund ta këndoj himnin tim për ty.

2) Pesimizmin tim e bazoj më së shumti në mënyrën e reagimit të elitës sonë atëherë kur ne, ndonjëherë në të rrallë, shprehim pakënaqësitë tona. Besoj e ke vënë re edhe ti se reagimi i tyre i parë është refreni “ruajtja e rendit dhe qetësisë publike” dhe jo analiza e shkakut dhe gjetja e një zgjidhjeje që vërtet do ta largonte trazimin tonë. Ata qëllimshëm e ngatërrojnë konceptin “rend dhe harmoni”, si synim i natyrshëm njerëzor, me konceptin “rend dhe qetësi publike” si synim politik të çastit. Kjo tregon se ata kanë për qëllim paqen sipërfaqësore, një gjendje ku vetëm mungon konflikti i hapur, dhe jo paqen e mirëfilltë, gjendjen ku mbretëron rendi dhe harmonia, ku do të mund të modernizoheshim dhe të zhvilloheshim si një vend normal. 3) Nuk ka më armik të jashtëm dhe as të brendshëm, së paku jo ashtu siç mendonim dikur dhe që na jepte komoditetin që të gjitha dështimet, zhgënjimet, por edhe paaftësitë tona t’ia atribuonim ndikimit të këtij apo atij armiku. Armiku i ditëve të sotme është i paemër, por, në të njëjtën kohë, ka emrin e secilit nga ne. Nuk është asnjëri nga ne, por prapëseprapë diçka e jona i jep jetë dhe e fuqizon. Prandaj dhe është shumë e vështirë të luftohet kundër një armiku të tillë. Më trego, si mund ta luftosh dikë që frymon edhe brenda vetes tënde? Ti mund të thuash se atëherë ne vërtet qenkemi viktima të vetvetes. Nuk mund ta pranoj as këtë. Me herët të kam thënë se një nga shkaqet kryesore të këtij autizmi kolektiv, që më pas krijon atmosferën e një apatie të përgjithshme, është pikërisht mendimi ynë se jemi viktima të dikujt apo të diçkaje. Logjika e viktimës së përhershme ushqen ndjenjën e përtacisë, por edhe është një mekanizëm i përkryer për t’iu shmangur çfarëdo forme të përgjegjësisë. 4) Nëse vërtet duam një të ardhme më të mirë për veten dhe vendin tonë, një shoqëri ku jetohet me më pak ankth, duhet të luftojmë për thelbin e asaj që na përkufizon si njerëz: duhet të luftojmë për dashurinë, madje edhe në situata me vështirësi të skajshme, duhet të luftojmë për veten, për njëri-tjetrin dhe pastaj për të tjerët. 
Sigal