Ramazan Çeka/ Fadil Kraja emblema e qytetit të shkodrës

618
Për shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Fadil Kraja kam shkruar edhe herë të tjera ndër organet e ndryshme të shtypit, por si rezultat i shumë kërkesave të dashamirësve të artit, miqtë e mi dhe të shkrimtarit, vendosa të ribotoj edhe një herë shkrimin, natyrisht duke e plotësuar atë edhe më mirë me veprimtarinë, si dhe vlerësimet për këtë autor në këto kohë. Është periudha e viteve 1930, kur Shqipëria karakterizohei si një vend i prapambetur dhe i varfër, i dalë me mundim nga errësira pesëshekullore e pushtimit otoman, por me një trashëgimi tradicionale kulturore që ndriçonte me dritën iluministe të Rilindjes Kombëtare duke krijuar vatra përparimi, sidomos në qytetet kryesore të vendit si: Shkodra, Tirana, Elbasani, Korça, Gjirokastra etj. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe që në djepin e nënës shkodrane që përkundej pranë një vatre të tillë plot dritë e ngrohtësi, të mos lindnin edhe djem e vajza të talentuar që do ta mbanin gjallë këtë zjarr me veprat e tyre. Në një vatër të tillë shkodrane ku kultura dhe arsimi ishin ushqimi i përditshëm, lindi në vitin 1931 edhe shkrimtari i ardhshëm i cili do të kishte një krijimtari të shumanëshme e cilësore dhe me vlera mbarëkombëtare, veçanërisht në fushën e dramaturgjisë, Fadil Kraja. Mësimet e para për historinë, për gjuhën e bukur shqipe, për zakonet dhe traditat e bukura shqiptare, Fadili i mori që në prehërin e nënës së tij, mësueses së paharruar Hajrie Hanëmi (Zonja Hajrie), e cila ka qenë e vetmja grua e asaj kohe që përveçse e arsimuar dhe e emancipuar ka ditur t’i bie instrumentit shumë të vjetër “UDI” që kishte 12 tela dhe ishte i vështirë në akordim (Shprehet kështu) pedagogu i kantos Prof. Ferid Bala. 
Mbasi mbaroi gjimnazin e Shkodrës, ku spikati talenti i tij për letërsinë, u diplomua në Universitetin e Tiranës në fakultetin e filologjisë gjuhë-letërsi, dhe vazhdoi me pasion profesionin e mësuesit të cilin e trashëgonte dhe nga familja e tij. Ai kontribuoi për vite me radhë si një mësues i nderuar në fshat e qytet duke nxjerrë nga duart e tij nxënës e studentë që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme e në mënyrë të veçantë, në fushën e letërsisë dhe të artit. Në vitin 1950, filloj punën për herë të parë si mësues në fshatin Mjedë në shtëpinë e Hasan Metit, pasi në atë kohë nuk kishte shkollë në këtë fshat. Mësimi aty filloi me rreth 50 nxënës të ardhur nga 8 fshatra: Shelqet, Spathar, Laç, Qyrsaq, Hajmel, Ganjoll, Kaç, Naraç, me 4 mësues; Isak Ramadani, Fadil Kraja, Rifat Barbullushi, Gita Shani. Prof. Fadil Kraja kujton për atë kohë një lidhje interesante mes tij dhe dramaturgut të madh shqiptar Kolë Jakova : “Nuk ishte koincidencë por është fakt. Në 40 vjetorin e hapjes së shkollës së parë në fshatin Mjedë ishim të ftuar themeluesi në vitin 1935 i kësaj shkolle (atëherë fillore) Kolë Jakova në shtëpinë e Elez Agies në Vaun e Dejës dhe unë që hapa për herë të parë ciklin 7 vjeçar në vitin 1947- dhe me buzëqeshje vashdon- në këtë shkollë, në këtë fshat Kolë Jakova shkroi dramën e tij të parë, në këtë fshat, në këtë shkollë mua më lindi ideja të bëhesha dramaturg, gjë që më vonë e bëra realitet. E, sa për poezitë e para, ato i kam shkruar që në bankat e gjimnazit dhe i kam botuar në gazetën “Letrari i ri” që aso kohe botohej në Tiranë”. 
Fadil Kraja ka luajtur një rol të madh edhe në gjallërimin e Gjimnazit të Shkodrës. Më pas punoi si pedagog i letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Për disa dekada drejtoi degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Shkodrën, ku nuk e ka kursyer asnjëherë punën e tij duke i dhënë një ndihmesë të madhe edhe dramaturgëve të rinj. Për disa kohë ka drejtuar Klubin e rinisë dhe më vonë anëtar i përhershëm i këshillit artistik në Teatrin “Migjeni”. Fillimet e para në krijimtari datojnë që në moshë të re. Vëllimi i parë poetik “Kanga ima” (1954) fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë. Pastaj me radhë ka botuar vëllimet poetike “Melodi malësore”, “Jehona malesh” etj., vëllimet me tregime “Kandidatja e fundit”, “Ndodhitë e Nereidës”, romanet: “Britma e një gruaje”, “Pengu i diellit”, “Balada e nënës”. Këto që po përmendi më lart janë një pjesë e krijimtarisë së tij, pasi në këtë shkrim e pamë më të udhës të ndalemi pak më gjërë në krijimtarinë dramaturgjike. Është autor i mbi 50 dramave dhe komedive të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diasporë, ku mund të veçojmë: “Fisheku në pajë”, “Gjaku i Arbërit”, “Baca i Gjetajve”, “Djem të mbarë”, “Çështja e Blertës”, “Shpartallimi”, “Flamur në dasëm”, “Rozafa”, “Luani i shtëpisë”, “Mos më shkim hisen e diellit”, “Jorgani”, “Ditari i një mësuesi”, “Dopio gjashta”, si dhe shumë drama për fëmijë, librete operash dhe operetash. Fadil Kraja është fitues i dhjetra çmimeve në konkurse kombëtare. Është Laureat i Çmimit të Republikës, duke u bërë kështu një shkrimtar që ka ndërtuar identitetin e tij shumë planesh. 
Eksperienca e tij e gjatë, kontributi i shquar, sidomos në fushën e dramaturgjisë ishin një shtysë për ta nderuar atë si një mjeshtër të madh të fjalës nga institucioni më i lartë i Shtetit, Presidenti i Republikës i cili i akordoi titullin “Mjeshtër i madh”, që vinte mbas vlersimit të madh që i bënte atij qyteti i lindjes duke i dhënë titullin “Krenaria e Qytetit të Shkodrës”. Fadil Kraja është i pari personalitet në fushën e krijimtarisë në Shkodër, që nderohet me këto çmime të larta. Personaliteti i Fadil Krajës rrezaton mirësi dhe popullaritet, është i njohur jo vetëm në Shkodër e Shqipëri, por edhe në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarë. Në një bisedë të lirë me Prof. Fadil Krajën mësuam se nga penda e tij e artë, Teatri i Gjakovës për herë të parë është inaguruar me dramën “Fisheku në pajë”, dhe në vitin 2000, kur Gjakova po digjej, në këtë teatër po jepej drama “Dasma e trojeve tona”. Këto momente janë të pa harruara për Fadil Krajen, i cili është më shumë se shkrimtar, dukshëm i shquar e me profil që rrezaton ide dhe mesazhe të cilat, falë pasionit të tij të madh dhe aftësisë së madhe të komunikimit bëhen impersionuese kur transmetohen në skenat e teatrove që gati-gati të kujtojnë lojën e aktorëve grekë. Është ndër ata krijues që tërë kohën u angazhua për një shoqëri të hapur shqiptare. “Përmes dramave të tij e sidomos ato që janë të karakterit historik, Fadili din të bëjë një lidhje kohore prej së kaluarës në të tashmen, duke dhënë një vizion edhe për të ardhmen”. Në një moment ai është shprehur: “Në qoftëse në Shkodër në themelet e kësaj kështjelle të madhe të kulturës e të artit me të cilën krenohet Shqiperia, kam vënë edhe unë një guralec, do të jem shumë i lumtur”. 
Aktorët e shquar të Teatrit “Migjeni” të shkodrës shprehen për Fadil Krajën: “Kudo qe jemi ne, kudo që është pena e Fadil Krajës ne jemi krijesat e tij”, është shprehur artistja Tinka Kurti. Fadil Kraja i dha jetë krijimeve të tij falë bashkëpunimit me një trupë aktorësh virtuozë siç ishte trupa e teatrit të Shkodrës. Fadil Kraja është një nga penat më të ndritura të dramaturgjisë tonë kombëtare. Askush më mirë se miku dhe bashkëpunëtori i tij më i mirë, regjisori Serafin Fanko nuk mund të bënte një përmbledhje të asaj që solli bashkëpunimi i tij me Fadil Krajën. Të dy i bashkoi puna, gëzimet dhe emocionet, përkushtimet dhe suksestet e skenës. Drama e parë që vuri në skenë pas studimeve, regjisori Serafin Fanko ishte “Fisheku në pajë” që i garantoi një sukses të madh të dyve”. Fadil Kraja i dha skenës shqiptare vepra të mrekullueshme të interpretuara nga aktorët e mrekullueshëm si: Ndrekë Luca, Tinka Kurti, Ndrekë Prela, Lec Bushati, Vitore Nino, Bep Shiroka, Ymer Bala, Elez Kadrija, Rikard Ljarja, Bruno Shllaku e Paskualina Gruda (një çift i mrekullueshëm, që drama “Gjaku i Arbërit” i bashkoi për jetë), si dhe shumë aktorë të trupave profesioniste të Tiranës, Korçës, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe trupës prestigjoze të Prishtinës. 
Sigal